Oshënar Timotheu.
Oshënar Timotheu u vesh me rrobën e shenjtë engjëllore në moshë të re. Ai bëri një jetë asketike në manastirin e Simbolit, të themeluar nga shën Theoktisti, në malin Olimp të Bitinisë, ku shën Platoni (4 prill) banonte para se të bëhej igumen në manastirin fqinj të Sakudionit.
Shën Timotheu e nënshtroi mishin në të gjitha fazat e një jete të ashpër asketike dhe mori nga Perëndia si këmbim hirin e papasionshmërisë. Në këtë mënyrë ikona e Zotit tonë Jisu Krisht u skicua në zemrën e tij me anë të lutjes.
Ai dëshmoi me forcë besimin e tij përpara persekutorëve, në lidhje me nderimin e ikonave të shenjta. Shpirti i Shenjtë banonte te shenjti dhe shpërndante nëpërmjet tij shërime, ngushëllime shpirtërore dhe mirësi hyjnore. Frytet e Hirit e bënë emrin e shën Timotheut të përjetshëm në korin e të Zgjedhurve. Fjeti në paqe rreth vitit 795.
* * * * *
Oshënar Efstathi i Antiokisë.
Shën Efstathi erdhi në Pamfili nga Side. U hirotonis episkop i Beroeas (Alepos) në Siri dhe, pas vdekjes së shën Filogonit të Antiokisë (20 dhjetor), më 324, u transferua në atë mitropoli të madhe. Vitin që pasoi mori pjesë aktive në Sinodin e Nikeas kundër herezisë ariane dhe pohoi me forcë, bashkë me etër të tjerë, se Zoti ynë Jisu Krisht është Perëndi i vërtetë nga natyra, njësoj si Ati dhe Shpirti i Shenjtë. Më pas vazhdoi të predikonte kudo besimin e vërtetë dhe për këtë arsye ngjalli urrejtjen dhe sulmet e heretikëve Evsevi i Nikomedisë, Theogni i Nikeas dhe Evsevi i Qesarisë, ngaqë e shikonin si udhëheqësin e madh të Orthodhoksisë.
Rreth vitit 330, ata mblodhën një sinod në Antioki, me qëllim që të dëbonin shën Efstathin nga froni episkopal. Heretikët përdorën lloj-lloj shpifjesh dhe e akuzuan shenjtorin për herezi, kryengritje dhe se kishte fyer shën Elenën, perandoreshën mëmë. Paguan edhe një grua të shthurur me një shumë të madhe parash, për të deklaruar se djali që ajo kishte lindur ishte i biri i episkopit të Antiokisë. Shkarkimi i shenjtorit, që u shpall me nxitim nga këta punëtorë të paudhësisë, iu komunikua perandorit Konstandin, që e internoi Efstathin në Trajanopolis të Thrakës, ku vdiq pas pak vjetësh.
Gruaja që e akuzoi shenjtorin thuhet se u godit në atë çast nga një sëmundje e rëndë dhe pranoi që kishte bërë akuzë të rreme, e paguar nga episkopët arianistë. Megjithatë, dëbimi i shën Efstathit nga detyra episkopale shkaktoi një skizmë të madhe në Antioki, e cila u shërua plotësisht vetëm në vitin 414. Edhe pse shën Efstathi u lavdërua si martir nga shën Joan Gojarti, lipsanet e tij u sollën në Antioki në vitin 482. Populli doli i gëzuar për ta nderuar atë me qirinj e temjan dhe e shoqëroi teksa hyri triumfalisht në qytetin e tij, i cili rifitoi unitetin e besimit dhe nderimin e duhur të këtij kampioni të Orthodhoksisë.