Oshënar Leoni i Katanias.

 

Ky yll i ndritshëm i Orthodhoksisë dhe imitues i apostujve jetoi në kohën e valës së parë të persekutimit kundër ikonave të shenjta (760). Ishte nga një familje fisnike dhe u ngjit në të gjitha shkallët e priftërisë, derisa u bë episkop në Ravena, qyteti i tij i lindjes. Fama si shërbyes besnik i Krishtit u përhap përtej kufijve të dioqezës dhe u zgjodh episkop i Katanias, në Sicili. Kur shkoi në këtë qytet, puna e parë ishte pastrimi i grigjës së tij nga ndotja e herezive dhe e mbeturinave pagane. Në vendin ku më parë ndodhej një tempull pagan, që ai e kishte shkatërruar me anë të lutjes, ndërtoi një kishë dedikuar Dyzet Martirëve të Sebastës. Shenjti ishte energjik dhe i paepur për çështjet e besimit, por i dhembshur dhe i dashur për të varfrit, jetimët dhe të dëshpëruarit, për të cilët, siç thotë apostulli, bëhej çdo gjë për të gjithë njerëzit, për të arritur shpëtimin e tyre.

Në ato ditë e tërë Sicilia ishte e trembur nga Heliodori, një magjistar me një fuqi të jashtëzakonshme, të cilën e kishte marrë me anë të një pakti me satanin, marifetet dhe kurthet e të cilit ishin për popullin e Sicilisë më të rrezikshme sesa flakët e Etnas. Prefekti i alarmuar i shkroi perandorit, që e urdhëroi ta arrestonte magjistarin. Prefekti e zbatoi urdhrin, por magjistari, me anë të ndihmës së djallit, u zhvendos menjëherë në Konstandinopojë, bashkë me ushtarët që e ruanin. Kur e dënuan me vdekje, ai u zhduk nga qyteti në mënyrë të mistershme, sikundër kishte thënë: “Mirupafshim, perandor, do të shihemi në Katania!”. E arrestuan përsëri në Katania dhe e çuan sërish në Konstandinopojë. Kësaj radhe ai e zhyti qytetin në errësirë, duke shuar të gjitha dritat dhe zjarret. I dënuari me vdekje solli vdekje dhe zi buke në qytet dhe, ndërsa po bëheshin gati ta ekzekutonin, iu zhduk sërish nga sytë.

Në Katania, shën Leoni bëri ç’kishte në dorë për të konvertuar magjistarin, por më kot. Një ditë, Heliodori erdhi në kishë gjatë Liturgjisë Hyjnore, duke hingëllitur si mushkë, duke u tallur me Misteret e Shenjta dhe duke i bërë thirrje episkopit e priftërinjve të vallëzonin për besimtarët. Shën Leoni, pasi u lut, doli nga altari me veshjen episkopale. Ai e shkatërroi fuqinë magjike të Heliodorit kur e mbështolli me omoforin e vet. Prefekti urdhëroi që skllavi i djallit të digjej i gjallë dhe episkopi u fut në turrën e druve bashkë me Heliodorin, dhe kur flaka nisi të lartësohej, doli së andejmi i paprekur, madje as rrobat nuk ishin përzhitur, ndërsa magjistari mjeran u shkrumbëzua.

Më vonë, perandori e ftoi Leonin në Konstandinopojë dhe ai shpërndau në qytet mrekullitë e hirit hyjnor, për lavdinë e Perëndisë dhe për turpin e demonëve, paganëve dhe heretikëve. Ai i ktheu një të verbri shikimin, ngriti një të paralizuar dhe ngushëlloi të pikëlluarit, jo vetëm gjatë pjesës tjetër të jetës së tij tokësore, por edhe më vonë, me anë të lipsaneve të tij të shenjta, që ndodhen në kishën e themeluar prej tij për nder të shën Luçisë.

 

* * * * *

Oshënar Visarioni, çudibërës.

 

Me origjinë egjiptiane, oshënar Visarioni u fut në jetën murgërore nga shën Andoni i Madh. Më vonë u bë dishepull i shën Makarit, themeluesit të Skitës (19 janar) dhe, që nga ajo kohë vendosi të bënte jetë endacake, i dërguar sa në një vend në tjetrin nga Përkujdesja Hyjnore, si zogu nga era. E tërë pasuria e tij ishte një Ungjill, të cilin e mbante gjithnjë në duar. Jetonte në qiell të hapur, duronte të gjitha vështirësitë e motit, dhe nuk mendonte as për strehë e as për veshje. I fuqizuar nga besimi, atë nuk e tronditnin aspak pasionet e mishit.

Kur mbërriti në një manastir ku vëllezërit bënin jetë komunitare, ai u ul te porta e manastirit duke qarë. Një vëlla i ofroi mikpritje dhe i kërkoi të dinte se përse ishte i dëshpëruar. “Nuk mund të jetoj nën një çati, pa fituar më parë pasurinë e shtëpisë sime”, iu përgjigj ai, duke nënkuptuar me këto fjalë trashëgiminë hyjnore, të humbur që nga koha e Adamit. “Jam i mërzitur, më kërcënon vdekja përditë dhe pareshtur për shkak të fatkeqësive të mia të mëdha, që më detyrojnë të shtegtoj, për t’i dhënë fund udhëtimit tim”.

Ai u end 40 vjet i pagjumë dhe i kalonte ditët e netët duke u lutur. Në një ditë dimri, kur po ecte në rrugët e një fshati, hasi trupin e një të vdekuri. Pa hezituar, hoqi pallton dhe e mbuloi trupin. Pak më tutje, ai ia dha tunikën e tij një të varfri që po dridhej nga të ftohtët. Një oficer që kaloi atje, deshi të mësonte se kush ia kishte rrëmbyer rrobat. “Ky e bëri”, i tha Visarioni, duke i treguar Ungjillin. Një herë tjetër, takoi një të varfër dhe, duke mos pasur asgjë për t’i dhënë si ndihmë, rendi në treg dhe shiti Ungjillin e tij. Kur një nxënës i tij e pyeti për Ungjillin, ai iu përgjigj me dhembshuri: “E kam shitur për t’iu bindur porosisë që veshët e mi nuk reshtin kurrë së dëgjuari: “Shko, shit çfarë ke dhe jepua të varfërve” (Matth. 19:21).

Me anë të jetës së tij ungjillore ai u bë një enë e zgjedhur e Hirit dhe Perëndia kreu shumë mrekulli nëpërmjet tij. Një ditë, ëmbëlsoi ujin e detit duke i bërë shenjën e Kryqit, për të shuar etjen e nxënësit të tij. Kur ky i fundit i kërkoi të merrnin ujë me vete, por shenjtori ia ndaloi duke thënë: “Perëndia është këtu, Perëndia është kudo!”.

Gjithashtu, një herë tjetër, qëndroi në lutje për dy javë me duart e ngritura drejt qiellit dhe kështu solli një shi të bollshëm për të shuar etjen e një vëllai. Ndodhi që ai ndaloi diellin derisa shkoi në qelinë e një jerondi, të cilin donte ta takonte. Madje, në një rast tjetër eci më këmbë mbi ujë. Me anë të këtyre shenjave dhe shumë mrekullive të tjera, të kryera prej shenjtorit, Perëndia tregoi, siç bëri me Moisiun, Jisuin e Naviut dhe Ilian, se Ai u fal shërbëtorëve të Tij pushtetin mbi dukuritë natyrore. Nëpërmjet pushtetit të Krishtit, ai ngriti më këmbë një të paralizuar, dëboi demonë dhe e tregoi veten me të vërtetë “një perëndi” përmbi tokë.

Pasi arriti në fund të rrugës së tij, ai ishte gati të shkonte në banesat qiellore, që i kishte dëshiruar gjatë gjithë endjeve dhe u la si mësim atyre që i ndodheshin pranë: “Murgu duhet të jetë si keruvimi, gjithë sy”.

Kur një vëlla e pyeti se çfarë duhet të bëjë një murg që jeton në komunitet, ai i tha: “Të ruajë heshtjen dhe të mos e krahasojë veten me të tjerët!”. Me të vërtetë, kjo është mënyra se si, në mes të njerëzve, dikush mund të fitojë hirin e eremitëve të mëdhenj.