Kryepiskopi Anastas priti Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame.
Të shtunën, 17 shkurt 2024, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, priti Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa dhe delegacionin që e shoqëronte. Z. Abdulkerim el-Isa njihet për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në dialogun ndërfetar. Delegacionin e shoqëronte edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia e Tij, Bujar Spahiu.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë në zyrën e Kryepiskopit Anastas, ku të pranishëm ishin edhe Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili, Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti dhe Arkimandrit Anastas Mamaj. Gjatë bisedës u ndanë pikëpamje për disa çështje dhe veçanërisht ato që lidhen me vlerat e përbashkëta dhe ndërtimin e urave midis qytetërimeve.
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame vlerësoi kontributin e Fortlumturisë së Tij Anastasit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në promovimin dhe kultivimin e harmonisë fetare në vend, duke e shndërruar Shqipërinë në një model të shkëlqyer në botë të bashkëjetesës harmonike midis feve të ndryshme.
Kryepiskopi Anastas vlerësoi bashkëpunimin vëllazëror me kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësinë e Tij Bujar Spahiu, si edhe me drejtuesit e tjerë fetarë në vend dhe më pas theksoi se:
“Në kohët e sotme shoqëria ka shumë njohuri dhe shumë ide, por ka një mungesë të dashurisë dhe respektit për të vërtetën. Edhe ne, së bashku, duhet që të themi se realiteti real në këtë univers është Perëndia dhe jo diçka tjetër. Unë besoj se kjo është një vlerë e përbashkët për ne në kohët e sotme dhe duhet ta theksojmë këtë.
Në botën Orthodhokse ekziston një marrëdhënie e vazhdueshme me vëllezërit tanë myslimanë dhe duhet të punojmë që të mos mbetemi thjesht në një miqësi sipërfaqësore por në një marrëdhënie të sinqertë dashurie dhe bashkëpunimi real. Sa më shumë i afrohemi Zotit aq më shumë afrohemi edhe me njëri-tjetrin dhe anasjelltas, sa më shumë afrohemi me njëri-tjetrin aq më shumë afrohemi me Perëndinë”.
Në fund të takimit u shkëmbyen dhurata.
Z. Muhamed Bin Abdulkerim el-Isa dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan edhe Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Foto Album: