Oshënar Leoni i Madh i Romës.
Në kohën kur Kisha e Perëndimit ishte pjesë e Kishës së pandarë, Papa i Romës, si episkopi i qytetit të vjetër perandorak dhe patriarku i Perëndimit, gëzonte një nder të veçantë dhe shikohej nga të gjithë të krishterët si ruajtësi i parë i traditës apostolike dhe i saktësisë në çështjen e dogmave. Shën Leoni u ngjit në selinë e Romës gjatë një prej periudhave më kritike të historisë, që pa kolapsin e Perandorisë Romake në Perëndim dhe Kishën e kërcënuar nga çdo anë prej heretikëve. Ai shpalli doktrinën e plotë të së vërtetës dhe bëri çdo gjë që kishte në dorë për të ruajtur unitetin e Kishës e për këtë arsye nderohet si në Lindje, dhe në Perëndim si shën Leoni i Madh.
Shën Leoni lindi në Romë në një familje fisnike me origjinë nga Toskana. Ai hyri në kler i ri në moshë dhe u bë kryedhjak i Kishës së Romës, gjë që e shtyu të tregonte interes për të gjitha çështjet kishtare, si edhe në kundërshtitë doktrinare të kohës. Ishte me një mision në Gali, kur mori vesh për vdekjen e papa Celestit dhe që populli e zgjodhi atë unaninimisht për ta pasuar në fron. Në fronëzimin e tij, në shtator 440 dhe në çdo përvjetor, ai dëshmonte në predikimet e tij për përgjegjësinë e madhe që mbante dhe për faktin se përmbushjen e kësaj detyre ia kishte besuar vetëm hirit hyjnor.
Me të vërtetë, iu desh të përballej me një detyrë të vështirë. Perandoria, e kërcënuar nga barbarët, ishte e minuar prej korrupsionit moral dhe e copëtuar prej herezive, duke e lënë popullin e Perëndisë në errësirë dhe injorancë. Duke bashkuar me zotësi rreptësinë me dhembshurinë, Shën Leoni nisi të reformonte klerin dhe të rivendoste rregullin në Kishat e Afrikës dhe të Sicilisë, pas shkatërrimit që solli pushtimi i vandalëve. Ai riforcoi autoritetin e mitropolitit të Selanikut mbi Kishën e Ilirikumit, që varej nga Roma në atë kohë dhe rivendosi respektin për episkopët e Galisë. Shenjti zbërtheu dhe shfaqi haptazi gabimet e heretikëve manikeistë. Me anë të jetës së tij të paqortueshme, përkujdesjes për adhurimin hyjnor dhe elokuencës së përkorë të homelive të tij, ai dha shembullin e bariut të mirë për episkopët dhe priftërinjtë. Gjatë Kreshmëve të Mëdha, ai shpjegonte misteret e besimit për të mësuar popullin e Perëndisë dhe i nxiste ata të jetonin në përputhje me mësimet e Ungjillit.
Përmbi dhe përtej përpjekjeve të tij pastorale, shën Leoni nderohet me të drejtë nga Kisha për kontributin e madh në lëmin e dogmave. Me rastin e dënimit të shën Flavianit (16 shkurt) në Sinodin e rremë të Efesit, “Sinodi Kusar”, siç e quajti vetë shën Leoni, ai nuk hezitoi të dënonte vendimet e tij dhe të thërriste një sinod të episkopëve perëndimorë për të anuluar dekretet e tij dhe për të riafirmuar besimin e vërtetë që ka lidhje me personin e Krishtit. Edhe para “Sinodit Kusar”, shën Leoni i shkroi një letër shën Flavianit, në të cilën, pasi pohonte dhe shfaqte me qartësi të madhe besimin e Kishës në hyjninë e Krishtit, ai thotë:
“Cilësitë e dy natyrave (hyjnore dhe njerëzore), mbeten të plota, por bashkohen në mënyrë të papërzier në një Person të vetëm: madhështia lidhet me përulësinë, pushteti me dobësinë, përjetësia me qenien e vdekshme. Për të qenë e aftë për të paguar borxhin që ka lidhje me gjendjen tonë, natyra e paprishshme hyjnore bashkohet me atë që prishet dhe vuan, meqë kjo ishte e domosdoshme për të na shpëtuar. Jisu Krishti u bë njeri, i vetmi dhe i njëjti Ndërmjetësues midis Perëndisë dhe njeriut, vdiq në natyrën e tij njerëzore, ndërsa ishte i pavdekshëm në natyrën e tij hyjnore… Ai mori formën e skllavit pa njollën e mëkatit, duke e ngritur lart natyrën njerëzore, pa u shkëputur nga Hyjnia. Me anë të kësaj përulësie të vullnetshme, i Padukshmi u bë i dukshëm, dhe Krijuesi, Zoti i të gjitha gjërave, deshi të bëhej si një prej krijesave të Tij të vdekshme, e kjo nuk është pakësim i fuqisë së Tij, por një denjim i mëshirës së Tij të pamasë…
Kështu, Biri i Perëndisë erdhi në këtë botë, duke zbritur prej banesës së Tij qiellore, por pa e braktisur lavdinë e Tij pranë Atit… I njëjti Person, është në këtë mënyrë në të njëjtën kohë Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë; dhe ky bashkim është i pastër, sepse përfshin njerëzoren e njeriut dhe madhështinë e Perëndisë… Kisha Katholike jeton dhe do të vazhdojë gjithmonë me këtë besim, se në Jisu Krishtin, nuk ka natyrë njerëzore pa atë të vërtetë hyjnore ose nuk ka Hyjni pa natyrën njerëzore”.
Thuhet se shën Leoni e hartoi këtë letër nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë pas shumë ditësh kreshmimi, agripnie dhe lutjeje dhe se e vendosi mbi varrin e shën Petros, duke e lutur protokorifeun e apostujve, që të korrigjonte çdo lloj gabimi që mund të kishte bërë për shkak të dobësisë njerëzore. Pas 40 ditësh, apostull Petroja iu shfaq në lutje dhe i tha: “E kam lexuar dhe e kam korrigjuar”. Kur e hapi letrën, shën Leoni gjeti me të vërtetë korrigjimet e bëra nga shën Petroja, të shkruara me dorë. Kjo letër, që legatët e papës e sollën në Sinodin e Efesit, u la mënjanë, pa u lexuar nga heretikët. Megjithatë, kur perandori i devotshëm, Markiani, dhe shën Pulkeria thirrën Sinodin Ekumenik të Kalqedonisë (451), u lexua në mënyrë solemne përpara gjithë etërve të shenjtë, që e mirëpritën dhe e pranuan, duke thënë me një zë: “Ky është besimi i apostujve, ky është besimi i etërve, Petroja ka foluar me gojën e Leonit”.
Ndërkohë që në Lindje po ndodhnin këto ngjarje të mëdha, Perëndimi po shkatërrohej prej dyndjeve të hordhive hune të Atilës. Pasi mbollën vdekjen në Gjermani dhe në Gali, ata kapërcyen Alpet, shkatërruan krahinën e Milanit dhe erdhën për të kërcënuar Romën. Perandori, senati dhe populli i trembur i kërkuan shenjtorit të negocionte për paqe me tiranin barbar, para të cilit dridhej e tërë bota. Pasi veshi rrobën e tij episkopale, episkopi i shenjtë, në krye të një procesioni të gjatë priftërinjsh dhe dhjakësh, u paraqit tek Atila. Për habi të të gjithëve, ky barbar, që e quanin “Kamxhiku i Perëndisë”, tregoi një respekt të ndrojtur dhe pranoi të largohej, duke marrë edhe një shumë të madhe parash me vete. Kur luftëtarët e tij i kërkuan të shpjegonte zemërbutësinë e tij të pazakontë, Atila iu përgjigj atyre se papa kishte pranë tij apostull Petron, që mbante në dorë një shpatë dhe që e shikonte me kërcënim.
Roma shpëtoi kështu me një mrekulli, por jo për një kohë të gjatë, sepse njerëzit mosmirënjohës e harruan bekimin e Perëndisë dhe, të udhëhequr nga perandori, rifilluan jetën e tyre të shthurur. Zoti nuk e përmbajti më zemërimin e Tij kundër popullit mosmirënjohës të qytetit kryelartë dhe lejoi që vandalët e Genserikut të pushtonin dhe të bastisnin Romën më 455. Papa shkoi përsëri për të takuar pushtuesin që premtoi se do të kursente jetët e banorëve të qytetit dhe ndërtesat e tij. Ushtria pushtuese u kënaq me plaçkën e madhe të luftës dhe me robërimin e një numri të madh banorësh, si nga fisnikët ashtu edhe nga populli i thjeshtë. Sapo u rikthye paqja, Leoni u mor me ngushëllimin e të mbijetuarve, duke ringritur kishat e shkatërruara dhe duke rehabilituar edhe një herë tjetër, me sa ishte e mundur, jetën e krishterë, në qytetin dikur të lavdishëm. Ai pati sukses në dërgimin e ndihmave dhe priftërinjve për të ndihmuar të internuarit në Afrikë.
Pjesën tjetër të jetës ia përkushtoi përkujdesjes baritore dhe ruajtjes së besimit të Sinodit të Kalqedonisë, i cili kërcënohej nga monofizitët, veçanërisht në Kishën e Aleksandrisë. Fjeti më 461, pas një baritimi që zgjati 21 vjet.
* * * * *
Omologjet Agapiti i Sinait.
Shën Agapiti ishte me origjinë nga Kapadokia. Kur ishte i ri, hyri në një manastir që kishte më shumë se një mijë murgj. Si një bletë që shkon nga njëra lule në tjetrën për të marrë nektarin, ai merrte shembullin e mirë të vëllezërve të tjerë në virtyte dhe në përpjekjet asketike, për të ofruar edhe ai mjaltin e ëmbël të përsosmërisë te Zoti. Ai mposhti prirjen natyrore, duke u ushqyer për 30 vjet vetëm me bimë të egra mali dhe për më tepër se 18 ditë hëngri hirin në vend të bukës. Agapiti e mposhti aq shumë gjumin, saqë një orë në ditë pushimi i mjaftonte dhe e kalonte pjesën tjetër të mbetur të natës duke u lutur. Ishte gjithmonë i gatshëm për të përmbushur çdo bindje në jetën murgërore dhe e shikonte veten si shërbëtorin e të gjithë vëllezërve, para të cilëve ulej me nderim të madh, duke i quajtur zotërinjtë e tij. Kështu fitoi dashamirësinë e Perëndisë, admirimin e njerëzve dhe hirin e kryerjes së shumë mrekullive. Vetëm duke bërë shenjën e Kryqit, ngordhi një dragua që terrorizonte njerëzit e krahinës dhe shëroi një vajzë të munduar për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë.
Fama e jetës dhe e virtytit të tij në përpjekjen shpirtërore arriti në veshët e perandorit Licinius (313-324), i cili e mobilizoi në ushtri. Megjithatë shenjtori vazhdoi përpjekjen e tij asketike dhe i trajtonte shokët e ushtrisë si vëllezër manastiri. Vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme për të shëruar sëmundjet e njerëzve e të kafshëve, të dëbonte demonët, madje të ngjallte edhe të vdekurit.
Shën Agapiti ishte i pranishëm në betejat e lavdishme të martirëve Viktori, Dorotheu, Theodhuli dhe Agripa, madje u pushtua edhe vetë nga një dëshirë e flaktë për t’u martirizuar, që të mbërrinte në përsosmërinë e kësaj lavdie shpirtërore. Ai u paraqit vetë tek ekzekutuesit e martirëve, të cilët e goditën me heshtë, por Përkujdesja Hyjnore e ruajti të pacenuar për hir të shpëtimit të shumë shpirtrave.
Pas vdekjes së Liciniusit, shën Konstandini i Madh u bë perandor i vetëm. Një nga shërbëtorët e tij, ngaqë ishte i pushtuar nga një frymë e keqe, thërriste vazhdimisht për Agapitin. Perandori dha urdhër që Agapiti të vinte në pallat dhe, sapo shenjtori nisi të lutej, demoni u dëbua prej njeriut. Gjithçka që Agapiti kërkoi si shpërblim ishte ta lironin nga ushtria, që të kthehej në jetën e tij të shtrenjtë të qetësisë. Pasi u kthye në manastir, u hirotonis prift nga episkopi i Sinait (në Lidi, Simavi i sotëm) dhe më vonë, pas vdekjes së këtij të fundit, Agapiti u zgjodh unanimisht nga kleri dhe populli i qytetit si episkop i tyre. Hiri hyjnor, që e kishte lartësuar Agapitin në ofiqin episkopal, tani e bëri një burim të pareshtur mrekullish e profecish. Me anë të lutjes së tij fashiteshin furtunat, binte shi, largoheshin karkaleca e mushkonja dhe dëboheshin demonë.
Njëherë, kur donte të ndërtonte një kishë, zhvendosi me lutjen e tij një shkëmb të madh, që i bënte punëtorët të dyshonin për suksesin e veprës së tyre; ndryshoi rrjedhën e një lumi që përmbytte tokat e besimtarëve të një episkopate fqinjë etj. Ai i nxirrte mëkatet e fshehura të të tjerëve në dritë dhe korrigjonte me vendosmëri gabimet e klerit e të popullit. Mëshira e tij ishte e pakufishme për të varfrit, të cilëve ishte gati t’u jepte edhe tunikën e tij të vetme. Ishte mik i ngushtë i shën Parthenit të Lampsakës (7 shkurt), i cili, para hirotonisjes e këshilloi rreth detyrave të episkopit.
Meqenëse shërbeu për shumë vjet si një kujdestar i mirë i Hirit të Perëndisë, shën Agapiti fjeti në Zotin i gëzuar, ndërsa lutej për shpëtimin e grigjës së tij shpirtërore.