– Apostulli – 2 Korinthianëve 6:11-16.
Goja jonë u hap për ju, o Korinthianë, zemra jonë u zgjerua. Nuk jeni në ngushtim në ne, por jeni në ngushtim përbrenda jush. Dhe për të na e shpërblyer, ju flas si bijve, bëhuni edhe ju të gjerë.
Mos hyni në një zgjedhë me të pabesët; sepse ç’të përbashkët ka drejtësia me paligjshmërinë? Edhe ç’shoqëri ka drita me errësirën? Edhe ç’përputhje ka Krishti me Belialin? Apo ç’pjesë ka besimtari me të pabesin? Apo ç’bashkim ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, siç tha Perëndia: “Se do të banoj në mes tyre, dhe do të eci; dhe do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im”.