Kryepiskopi Anastas zgjidhet kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2024.

Në datën 10 shkurt 2024 u zhvillua mbledhja e mbledhja e parë e këtij viti e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, në Kryepiskopatën e Hirshme të Tiranës. Morën pjesë liderët e komuniteteve fetare, anëtarë të Bordit të Presidencës: H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë; Mons. Angelo Massafra, President i Konferencës Ipeshkvnore; H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve; Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së, Prof. Genti Kruja, Hirësi Asti Bakallbashi, Mons. Arjan Dodaj etj.

Pika kryesore e mbledhjes ishte marrja, në bazë të statutit, të detyrës së kreut të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2024 nga Fortlumturia e Tij, Anastasi. Ai është një nga katër themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në vitin 2007 dhe ka qenë presidenti parë i KNFSH-së në vitin 2019, vend që është marrë me rotacion nga kryetarët e komuniteteve fetare. Po atë vit, ai u zgjodh për herë të dytë President Nderi nga Asambleja e X Botërore e “Religions for Peace”, për kontributin e lartë në dialogun ndërfetar.

Më tej mbledhja vijoi me paraqitjen e raporteve të aktiviteteve dhe atyre financiare të vitit 2023. U miratua ngritja e grupit të punës për hartimin e planit strategjik për periudhën 2024-2029, si dhe ka miratuar emërimin e znj. Sonila Dedja, përgjegjëse të Departamentit të Gruas për vitin 2024.

Anëtarët e Presidencës kanë diskutuar edhe problematika të tjera, si deklarata të disa pseudoklerikëve dhe ndërhyrje të huaja në punët e brendshme të komuniteteve fetare.

Ata kanë vënë theksin po ashtu në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërfetar në dobi të shoqërisë shqiptare.

 


Foto album:

 

Kryepiskopi Anastas zgjidhet kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2024.