– Ungjilli – Joani 15:17-16:2.

 

Këto ju urdhëroj që të doni njëri-tjetrin.

Nëse ju urren bota, dijeni se mua më ka urryer më parë se ju. Të ishit prej botës, bota do të donte të sajën; po meqenëse nuk jeni nga bota, por unë ju zgjodha ju nga bota, prandaj ju urren bota. Mbani mend fjalën që ju thashë unë juve, nuk ka shërbëtor më të madh se i zoti.

Nëse më përndoqën mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse ruajtën fjalën time, do të ruajnë edhe tuajën. Po të gjitha këto do t’jua bëjnë juve për emrin tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi.

Të mos kisha ardhur e të mos ju kisha folur atyre, nuk do të kishin mëkat; por tani nuk kanë ç’të thonë për mëkatin e tyre. Ai që më urren mua, urren edhe Atin tim. Të mos kisha bërë ndër ata punët që s’i ka bërë asnjë tjetër, nuk do të kishin mëkat; po tani edhe panë, edhe na urryen edhe mua edhe Atin tim. Po kjo u bë që të përmbushet fjala që është shkruar në ligjin e tyre: “Më urryen pa ndonjë shkak”.

Po kur të vijë Ngushëllimtari, të cilin do t’jua dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së vërtetës, që buron prej Atit, ai do të dëshmojë për mua. Po edhe ju dëshmoni, sepse që në fillim jeni bashkë me mua.

Jua thashë juve këto, që të mos skandalizoheni. Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; por vjen një orë, në të cilën kushdo që t’ju vrasë do të pandehë se i bën shërbim Perëndisë.