Hierodëshmor Harallambi e 2 dëshmorët.
Martiri i shenjtë dhe i lavdishëm i Krishtit, Harallambi, jetoi në kohën e perandorit Septimus Severus (194-211), në qytetin e Magnezisë, në lumin Meandër pranë Efesit. Ai ishte 107 vjeç dhe kishte qenë prift për të krishterët e qytetit për shumë vjet, duke i mësuar me zell në rrugën e virtytit dhe duke u predikuar Krishtin, pavarësisht nga rreziqet dhe kërcënimet. Kur e akuzuan si shkaktar të rrezikshëm trazirash dhe e sollën përpara gjykatës së guvernatorit Lukian, iu përgjigj kërcënimeve me këto fjalë: “Ti di shumë pak gjëra se çfarë është në të mirën time. Asgjë nuk është më e pëlqyeshme për mua sesa të vuaj për Krishtin. Prandaj mos ngurro ta vësh në torturat më të frikshme trupin tim të plakur dhe ke për ta mësuar se pushteti i Krishtit tim nuk mund të mposhtet”.
Pas këtyre fjalëve, ia hoqën rrobën priftërore, ndërsa xhelatët i çanë mishin me grepa hekuri, por nuk ia dolën mbanë të nxirrnin prej tij edhe thirrjen më të vogël të dhimbjes. Përkundrazi, ai u tha: “Ju falënderoj, vëllezër! Duke rrahur trupin tim të plakur, po ma ripërtërini shpirtin dhe po ma përgatisni për lumturinë e përjetshme”.
Kur guvernatori pa qëndresën e burrit të moshuar, nuk u pendua aspak dhe nuk i dha lavdi Perëndisë, por i thirri i tërbuar, duke i çjerrë lëkurën me duart e tij. Atë çast, me anë të një veprimi të Perëndisë, i ngrinë duart dhe i mbetën të ngulura në trupin e martirit. I shtyrë nga dhembshuria kur pa dëshpërimin dhe vajtimet e guvernatorit, shën Harallambi u lut dhe e shëroi. Kjo mrekulli, që i habiti të gjithë të pranishmit dhe kjo dashuri e Perëndisë për të krishterët e shfaqur haptazi, solli kthimin në të krishterë të Lukianit, si dhe të xhelatëve Porfir e Bato, që besuan te Krishti dhe hoqën dorë nga adhurimi i kotë i idhujve. Edhe tri gra që panë tërë ngjarjen, u prekën në shpirt dhe u kthyen në të krishtera, duke rrëfyer kudo besimin te Krishti. Guvernatori u pagëzua menjëherë nga shenjtori dhe një numër i madh banorësh të provincës së Azisë besuan te Krishti.
Kur perandori Severus mësoi se banorët e Magnezisë dhe të krahinës përreth kishin braktisur idhujtarinë dhe ishin pagëzuar nga prifti i moshuar, që ishte dënuar me vdekje, dhe se të verbrit fitonin dritën e syve me lutjen e tij dhe të paralizuarit ecnin, u tërbua nga inati. Ai dërgoi 300 ushtarë në Magnezi, me urdhër për ta arrestuar shenjtorin, për ta lidhur me zinxhirë dhe për ta sjellë para tij në Antioki të Pisidisë. Ushtarët e trajtonin shumë keq shenjtorin rrugës, derisa kali ku e kishin lidhur foli me gjuhë njerëzore, duke thënë se Perëndia do ta ndëshkonte perandorin si një armik të Tij dhe ushtarët e tij si shërbëtorë të djallit. Kjo shenjë i tmerroi ushtarët, të cilët, në pjesën tjetër të rrugës, e lanë të qetë shenjtorin.
Kur e sollën para tij, perandori dha urdhër ta hidhnin në një furrë të nxehtë. Por zjarri u shua sapo shenjtori hyri brenda, kështu që nuk u cenua fare. I habitur, tirani donte të mësonte se cili ishte shkaku i fuqisë së tij. “Fuqia e Krishtit”, iu përgjigj shenjtori. Atëherë Severusi e vuri në provë dhe i solli një njeri të pushtuar nga djalli për 35 vjet. Shenjtori e dëboi demonin me një fjalë të vetme. Severusi solli më pas trupin e një djali të ri, të cilin po e bënin gati për ta varrosur. Pasi bëri një lutje të nxehtë te Perëndia, shën Harallambi i zgjati dorën të riut dhe, për habi të perandorit, ky u ngrit sikur të zgjohej nga gjumi.
Atëherë prefekti Krispi tha: “Madhëri, duhet ta vrasësh menjëherë këtë magjistar!”. Kur dëgjoi këto fjalë, zemërimi i perandorit u ngjall përsëri dhe ai e urdhëroi shën Harallambin t’u ofronte sakrificë idhujve. Kur shenjtori e refuzoi këtë urdhër, perandori u tha rojave t’i thyenin nofullën shenjtorit dhe t’i vinin flakën mjekrës së tij. Por Perëndia veproi përsëri. Flakët u kthyen kundër xhelatëve dhe vendi ku qëndronin u tund nga një tërmet i fortë.
I ngritur lart në qiell dhe i mbajtur pezull, perandori u rrah në mënyrë të padukshme me kamxhik prej engjëjve. Kur mësoi për këto ngjarje, vajza e tij, Galinia, pohoi Krishtin si Perëndi të Tërëfuqishëm dhe erdhi për t’i kërkuar martirit të shenjtë të çlironte të atin nga ky ndëshkim. Këtë bëri shenjtori, por habia e perandorit për fuqinë e Perëndisë zgjati për pak kohë dhe ai u kthye përsëri në marrëzinë e idhujve. Me gjithë qortimet e Galinisë, që i kujtoi bekimet hyjnore që i ishin dhuruar, ai e mbajti shën Harallambin në burg dhe e torturoi përsëri. Perandori iu kthye edhe Galinisë dhe e kërcënoi me vdekje, nëse edhe ajo nuk do t’i sakrifikonte idhujve. Ajo u shtir sikur do t’i bindej, por, sapo hyri në tempull, i rrëzoi përtokë statujat dhe i bëri copa. Severusi i dërgoi në fonderi për t’i ribërë, por edhe ato ajo i shkatërroi, duke e bërë objekt talljesh.
Severusi bëri një përpjekje të fundit për të thyer shkaktarin e konvertimit të vajzës së tij. Por shën Harallambi hodhi poshtë çdo rreng të persekutorëve të tij me një forcë të pathyeshme dhe të gjithë u habitën nga shkëlqimi i hirit të madh që mori kur pranoi me gëzim lajmin se do ta ekzekutonin. Kur mbërriti në vendin e ekzekutimit, shenjti ngriti sytë dhe duart drejt qiellit. E falënderoi Perëndinë, sepse i dha mundësinë betejës së tij që të kurorëzohej në atë mënyrë dhe i kërkoi Atij t’u falte shpëtimin e shpirtit, shëndetin e trupit dhe bollëkun e të mirave në këtë jetë dhe në tjetrën të gjithë atyre që do t’i luten Perëndisë në emrin e martirit të tij, që do të festonin kujtimin e tij ose do të nderonin lipsanin e tij. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: “Eja, Harallamb, o njeri trim në luftë, për të shijuar gëzimin dhe lavdinë e martirëve dhe të priftërinjve të shenjtë!”. Koka e tij ra përtokë nga shpata më 10 shkurt dhe trupi i tij u varros nga Galinia e bekuar.
Koka e shën Harallambit ruhet në manastirin e Shën Stefanit në Meteora. Pjesë të lipsaneve të tij të shenjta, që ndodhen në Greqi dhe në vende të tjera, kryejnë mrekulli të shumta dhe e kanë bërë shën Harallambin, më të vjetrin në moshë të të gjithë martirëve, shumë të dashur, veçanërisht për popullin e Greqisë.
* * * * *
Oshënar Prohori i Lavrës së Kievit.
Oshënar Prohori jetoi në Lavrën e Kievit në shekullin e 12-të. Ai njihet si “spinaqngrënësi”, sepse, në vend të bukës, përdorte një lloj spinaqi të egër (oraç), që rritej në male dhe që e gatuante sipas mënyrës së tij. Kur e bekonte këtë bukë të veçantë dhe ia jepte dikujt, ajo kishte shije të ëmbël si mjaltë, por për këdo që vidhte një copë, kthehej e hidhur si pelin.
Kur në Rusi ra një krizë e madhe për kripë deti, Prohori u ndante njerëzve hi nga qelia e tij, i cili shndërrohej në kripë kur ai e bekonte. Por atyre që donin ta shisnin për të përfituar, kripa u kthehej përsëri në hi. Pa i kërkuar leje oshënarit, princi Sviatopolk mori të gjithë hirin e qelisë dhe e la në oborrin e tij, por u mërzit shumë, se hiri mbeti përsëri hi. Prohori u tha njerëzve që vinin tek ai për kripë: “Shkoni te princi dhe, kur ai të flakë hirin, mblidheni dhe përdoreni si kripë”. Kështu bënë dhe, nëpërmjet bekimit të shenjtorit, hiri iu kthye në kripë, sapo ata e mblodhën. Që prej asaj kohe princi u pendua dhe tregoi respekt të madh dhe dashuri birërore për shenjtorin. Dhe kur Prohori vdiq, më 1107, princi Sviatopolk e vendosi me duart e tij në një varr pranë atij të shën Andonit dhe të shën Theodhosit.