– Apostulli – Efesianëve 1:7-17.

 

Tek Jisui kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri, duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete, me synimin që kur të mbushen kohët, t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë mbi dhe; në atë, tek i cili edhe morëm trashëgim, siç qe paracaktuar sipas qëllimit të atij që i bën të gjitha sipas pëlqimit të vullnetit të tij, që ne shpresuam më përpara tek Krishti të jemi për mburrje të lavdisë së tij; tek i cili shpresuat edhe ju, pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj; dhe tek i cili, pasi besuat u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, që është paradhënia e trashëgimit tonë, deri në shpërblimin e atyre që u fituan për lëvdim të lavdisë së tij.

Prandaj edhe unë, si dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jisu dhe për dashurinë që keni për të gjithë shenjtorët, nuk pushoj duke falënderuar Perëndinë për ju, e duke ju përmendur ju në lutjet e mia, që t’ju japë juve Perëndia i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i lavdisë, frymë diturie e zbulese, që ta njihni atë.