Oshënar Bukoli i Smirnit.
I përkushtuar që në rini për të pastruar veten prej pasioneve e njollave të botës, ati ynë i shenjtë, Bukoli, u bë banesë për Shpirtin e Shenjtë dhe kur apostull Joan Theologu themeloi Kishën e Smirnës, e caktoi episkop të qytetit. I udhëhequr nga hiri, shën Bukoli i ndriçoi paganët me anë të fjalës dhe shembullit të tij, duke i bërë ata bij të dritës nëpërmjet Pagëzimit të Shenjtë dhe duke i çliruar nga demonët me anë të lutjes.
Kur e kuptoi se kishte mbërritur koha për t’u larguar dhe për të takuar Zotin, e dorëzoi shën Polikarpin (23 shkurt) pasues të tij, duke i besuar përkujdesjen e grigjës shpirtërore dhe pas kësaj dha frymën te Zoti. Pas fjetjes së shenjtit, te varri i tij mbiu një pemë me veti shëruese, ku shumë njerëz fituan shëndetin.
* * * * *
Oshënar Foti i Madh i Konstandinopojës.
Ati ynë i shenjtë, Foti i Madh, lindi më 810, në një familje të madhe të Konstandinopojës. Ati i tij, oborrtari Sergi, ishte vëllai i patriarkut të shenjtë Taras (25 shkurt) dhe vëllai i nënës së tij, Irinit, ishte martuar me motrën e perandoreshës Theodhora. Prindërit e tij i donin murgjit dhe u martirizuan gjatë persekutimit ikonoklast; ata donin që i biri të ishte pjesëtar i një trashëgimie më të madhe sesa lavdia dhe rangu i lartë, që është dashuria për besimin e vërtetë deri në vdekje. Ai pati shkollimin më të mirë në çdo degë të dijes, si asaj të shenjtë edhe të asaj shekullare. Kalonte net të tëra në studim dhe kishte një aftësi të madhe intelektuale, nuk kishte degë të shkencës bashkëkohore që të mos dinte. Sa i takon gjerësisë dhe thellësisë së të nxënit, ai ishte njeriu më i ditur i Bizantit në kohën e tij dhe një figurë qendrore në rilindjen intelektuale pas trazirave të ikonoklazmës. Shërbente në shkollën perandorake të vendosur në pallatin Magnaura, ku jepte filozofinë e Aristotelit dhe theologji. Kur u dërgua në një mision diplomatik te kalifi i Bagdatit, hartoi i mbështetur në kujtesën e tij, për të ndihmuar të vëllanë, një përmbledhje kritike të rreth 280 librave Miriobiblos (Bibloteka), një provë e gjerësisë së dijeve të tij. Kur u kthye nga Bagdati, pasi e kishte përmbushur misionin, u caktua kryesekretar i kancelarisë perandorake (protasecretis), por gjente përsëri kohë për detyrimet e tij akademike dhe për studimet e dashura.
Më 857, Vardasi, ungji i perandorit Mihail III, mori përsipër pushtetin me titullin e Cezarit. Ai e detyroi të dorëhiqej patriarkun e shenjtë Ignat (23 tet.), sepse denoncoi sjelljen e tij imorale. Perandori ndikoi te klerikët që të zgjidhnin Fotin e ditur dhe shpresëtar si pasues të tij. Foti nuk pranoi dhe e kundërshtonte gjithmonë sa herë që ia ofronin si post, sepse parapëlqente më shumë vdekjen sesa detyrën shumë të vështirë në atë kohë të rrezikshme. Por, i detyruar nga urdhrat e prerë dhe kërcënimet, më në fund pranoi dhe sakrifikoi paqen e studimeve dhe të diskutimeve filozofike me miq të cilët ishin në të njëjtën mendje me të. Më 25 dhjetor 858 u fronëzua patriark i Konstandinopojës, pasi mori brenda 6 ditëve të gjitha shkallët e priftërisë. Në një letër drejtuar Cezarit Vardas ai shkruan: “Zgjedhja ime nuk është diçka që e kam dashur dhe jam fronëzuar si i burgosur…”. Mbrojtësit më fanatikë të Ignatit përdorën çdo mjet për të penguar dhe diskredituar hierarkun e ri, duke iu referuar faktit se ai i kishte marrë shumë shpejt të gjitha shkallët e priftërisë, duke u bërë në pak ditë nga laik-patriark.
Foti shmangu të gjitha përplasjet dhe bëri çdo gjë që kishte në dorë për të rivendosur unitetin dhe paqen në Kishë, duke i bashkuar ata në dashuri, që është lidhja e përsosmërisë. Ai ndërmori aksione të forta kundër manikeistëve që kishin mbetur dhe ikonoklastëve heretikë dhe shfaqi një interes të madh për të restauruar shumë kisha e manastire, si dhe dërgoi misionarë për të përhapur Ungjillin në fiset barbare. Por përpjekjet e tij për të zbutur përkrahësit e Ignatit dështuan dhe, ndërsa shprehu pakënaqësinë ndaj masave shtypëse të qeverisë kundër tyre, u detyrua të thërriste një sinod më 859, i cili konfirmoi largimin e Ignatit dhe e internoi në Mitilini e pastaj në Terebinthus. Kundërshtimi ndaj Fotit vazhdoi edhe më tej, pavarësisht kësaj mase, e një tjetër sinod u mblodh në vitin 861, që njihet si “i Pari-i Dytë”, i mbledhur në kishën e Apostujve, me qëllim për të aprovuar rivendosjen e plotë të Orthodhoksisë dhe dënimin përfundimtar të ikonoklazmës. Për më tepër, sinodi vendosi të njihte vlefshmërinë e emërimit të Fotit, me pranimin e plotë të legatëve të papës që ishin aty të pranishëm, të cilët menduan se në këtë mënyrë do të arrinin triumfin e autoritetit papal, megjithëse vepruan në kundërshtim me udhëzimet e dhëna nga papa.
Papa Nikolla I (858-868), ambicioz dhe arrogant, mbështetës i Ignatit, e shfrytëzoi këtë rast për të mbrojtur haptazi, për herë të parë, pretendimin e papëve të Romës për të pasur juridiksion “mbi të gjithë dheun dhe mbi Kishën universale”. Parësisë së nderit të Kishës së Romës dhe autoritetit të saj si arbitër në çështje të dogmës, që ishte pranuar nga Kishat e tjera veçanërisht kur herezia ariane monoteliste dhe herezitë ikonoklaste u promovuan nga perandorët në Konstandinopojë papati i shtoi edhe kërkesat hegjemoniste, të cilat perandoria franke, pas vdekjes së Karlit të Madh dhe traktatit të Verdunit (843), nuk mund t’i arrinte dot. Me iniciativën e papëve autoritarë, papati kërkoi të ushtronte një supremaci mbi të gjithë Kishën, të cilën supozohej se ia kishte dhënë vetë Krishti, si dhe të drejtën për papët që të ndërhynin në çdo çast në çështjet e brendshme të Kishave të tjera dhe të impononin zakonet e Kishës së Romës, si celibatin klerikal, kreshmën e së shtunës dhe bukën pa maja për Eukaristinë.
Kundërshtimi i papës Nikolla I dhe ndërhyrja e tij në punët e brendshme të Kishës Bizantine, kur i ishte kërkuar të shprehte qëndrimin e tij vetëm në rastin e ikonoklazmës, e detyroi Fotin të dënonte këto zakone të reja të Kishës së Romës. “Shfuqizimi i gjërave të vogla që kemi marrë nëpërmjet Traditës”, shkroi ai, “do të na çojë në një konflikt të plotë rreth dogmave”. I nxehur nga kjo përgjigje, papa Nikolla shkroi një letër për të gjithë episkopët e Lindjes, duke e akuzuar Fotin për kurorëshkelje, meqenëse ai mbante fronin e dikujt tjetër dhe dekretoi me iniciativën e tij shfronëzimin e patriarkut të Konstandinopojës një gjë që më parë ishte diçka e padëgjuar. Për më tepër, duke mbrojtur të drejtën e papës për njohjen ose jo të sinodeve, ai deklaroi se vendimet e Sinodit “Të Parë-të Dytë” ishin të pavlefshme. Nuk u mjaftua me aq, por thirri një sinod të episkopëve të Perëndimit, ku e shpalli Fotin të shfronëzuar dhe të aforizuar bashkë me të gjithë klerin e dorëzuar prej tij. Kur perandori Mihail III i bëri të ditur papës kundërshtimet e tij, papa e vuri në dijeni (865) se supremacia e tij buronte nga vetë Krishti. Në letrat e mëvonshme, ai e fyeu Fotin me akuza të rënda, të cilave dishepulli i Krishtit nuk iu përgjigj.
Patriarku i shenjtë nuk i lejoi këto konflikte që të pengonin aktivitetin e tij apostolik. Me mbështetjen e perandorit nxiti ungjillëzimin e popujve sllavë, duke angazhuar për këtë qëllim kolegun dhe mikun e tij Konstandin (të cilin e nderojmë si shën Kirili) dhe vëllanë e tij, Metodin, një asket nga mali Olimp, për të ndërmarrë më 860 një mision paraprak te hazarët e Rusisë Jugore. Pas tre vjetësh, me kërkesën e princit të Moravisë, ai i dërgoi dy vëllezërit në atë mision të madh, që shënoi fillimin e konvertimit të popujve sllavë të Ballkanit.
Në të njëjtën kohë, Borisi (Mihaili), Khani i Bullgarisë, që ishte pagëzuar së fundmi nga Foti me perandorin Mihail si kumbar, duke sjellë tërë popullin e tij në Krishterim, u kthye kundër Konstandinopojës, që kishte refuzuar caktimin e një patriarku për Bullgarinë dhe pa nga Roma për të marrë mbështetje (866). Duke e shfrytëzuar menjëherë këtë rast, papa dërgoi misionarë latinë në Bullgari, me udhëzim që të përhapnin ndryshimet në Kishën e re, që bizantinët e kishin ungjillëzuar, veçanërisht që të shtonin shtesën e re të Filioques në Simbolin e Besimit. Duke parë në këtë veprim rrezikun e prekjes së doktrinës së Trinisë së Shenjtë, shën Foti ishte i mendimit se erdhi koha që i buti të bëhej luftëtar (Joel 4:9) dhe se ishte i detyruar të prishte heshtjen dhe të fliste. Ai u drejtoi një Letër Qarkore të gjithë episkopëve të Lindjes, ku dënonte fuqishëm gabimet e latinëve, veçanërisht atë të Filioques. Mblodhi një sinod të madh në Konstandinopojë, i cili në vitin 867 shpalli fitoren e doktrinës orthodhokse mbi të gjitha herezitë dhe shkishëroi papën Nikolla dhe misionarët e tij në Bullgari. Të dyja Kishat u ndanë nga një skizmë, që do të ishte pararendësja e skizmës finale të vitit 1054.
Mihaili III u vra në fund të vitit 867 dhe Vasili I, themeluesi i dinastisë maqedonase, u bë perandor. Ai e shfronëzoi menjëherë shën Fotin dhe rithirri shën Ignatin. Edhe pse Ignati bëri përpjekje paqësuese, armiqtë e Fotit nisën një persekutim të vazhdueshëm ndaj klerikëve të dorëzuar prej tij. Duke parë shqetësimin gjithnjë e në rritje, perandori vendosi të çonte çështjen e këtij debati në lidhje me fronin e Patriarkanës në Kishën e Romës për ta gjykuar, një akt që ishte një dhuratë e papritur për papatin. Adriani II, pasuesi i Nikollës, mblodhi një sinod më 869, ku dënoi Fotin edhe një herë tjetër, sinodin e vitit 867 e deklaroi si të pavlefshëm, i dogji publikisht aktet e tij dhe urdhëroi të mblidhej një sinod i ri në Konstandinopojë. Episkopët e paktë në numër, që morën pjesë në këtë sinod të rremë i quajtur Sinodi i Tetë Ekumenik prej latinëve u detyruan nga perandori të pranonin diktatin dhe në burracakërinë e tyre dënuan Fotin, shtyllën e Kishës dhe mbështetësit e tij i dëbuan në kufijtë e perandorisë. Në këtë kohë u dëbuan prej episkopatave të tyre më tepër se 200 episkopë dhe shumë priftërinj u aforizuan. I paraqitur si keqbërës përpara sinodit dhe i thirrur që t’iu përgjigjej akuzave të bëra kundër tij, hierarku i shenjtë foli pas një heshtjeje të gjatë: “Perëndia e dëgjon zërin e atij që hesht. Sepse edhe Jisui që nuk u përgjigj, por heshti, përsëri nuk i shpëtoi dënimit”. Meqë po ngulnin këmbë, ai u përgjigj: “Drejtësia ime nuk është prej kësaj bote”. Imitues i denjë i Pësimit të Jisuit të shumëmbël dhe të shumëduruar, shenjtori, edhe pse i sëmurë, duroi për tre vjet të gjitha mundimet e një burgosjeje të padrejtë, privimin e çdo shoqërie dhe madje të librave, pa u ankuar. Ai nuk akuzoi askënd, as Ignatin, që ishte i pafajshëm ndaj tërë këtyre mundimeve, duke menduar vetëm që t’u jepte zemër me anë të letrave miqve të tij që vuanin dhe të lutej për perandorin, si dhe për përndjekësit e tij.
Gjatë kësaj kohe, episkopët, pasi e kuptuan se oportunizmi i tyre prej burracaku i kishte çuar drejt nënshtrimit të Kishës Bizantine ndaj despotizmit roman, e bindën perandorin të deklaronte si të pavlefshme vendimet e sinodit të vitit 870 dhe të lironte Fotin. Sovrani e rithirri shenjtorin përsëri me nderime të mëdha dhe e emëroi mësues të fëmijëve të tij. Veprimi i parë i Fotit ishte të shkonte tek Ignati për t’u pajtuar me të. Të dy shenjtorët, viktima të rivalitetit midis grupimeve që kishin shfrytëzuar emrin e tyre, u përqafuan me dashuri të madhe dhe Foti i ofroi të gjithë ndihmën e tij patriarkut të sëmurë, të cilin e vizitonte vazhdimisht. Pas fjetjes së shën Ignatit, 23 tetor 877, Kisha, në mënyrë unanime, e rivendosi Fotin në fronin patriarkal. Pak kohë më vonë, Foti caktoi kremtimin e kujtimit të shën Ignatit. Prandaj është më se e drejtë që Kisha i bashkoi në të njëjtin lavdërim në Sinodikonin e së Dielës së Orthodhoksisë: “Kujtim i përjetshëm i shenjtorëve të mëdhenj, i patriarkëve të vendosur orthodhoksë dhe shumë të famshëm Ignati dhe Foti!” Më pas, nën kryesimin e Fotit dhe me praninë e legatëve të Papës, u mblodh një sinod (879-880) ku morën pjesë 383 etër. Ata konfirmuan rehabilitimin e patriarkut, anuluan sinodin e vitit 869 dhe rivendosën kungimin midis Kishave, duke shkishëruar çdo lloj inovacioni, në veçanti shtesën heretike në Simbolin e Besimit. Dëshira më e madhe e hierarkut ishte përmbushur: rivendosja e paqes dhe e unitetit të Kishës. Ai ndërmori përsëri veprën e pajtimit, duke iu propozuar me dashuri armiqve të tij pajtimin dhe duke u kujdesur larg çdo mërie, me një përkujdesje atërore për pasuesit e Ignatit.
Kur Leoni VI i Dituri (886-912), pasoi të atin në fronin perandorak, i nxitur nga dëshira për t’u hakmarrë ndaj një miku të Fotit, sepse, siç e besonte ai, e kishte denoncuar tek i ati për një komplot të thurur kundër tij, e largoi pa e gjykuar fare shën Fotin (886) dhe e mbylli si keqbërës në manastirin e Armeniakës. Atje shenjtori qëndroi i mbyllur për 5 vjet, i privuar nga çdo lloj ngushëllimi njerëzor, por duke shkëlqyer si ari i sprovuar në furrë. Në këtë kohë ai shkroi, pa ndihmën e asnjë libri, Mistagogjinë e Shpirtit të Shenjtë: refuzimin sistematik të herezisë së Filioques, në të cilën tregon qartë se Shpirti i Shenjtë buron përjetësisht prej Atit, që është Burim i Hyjnisë dhe na dërgohet nga Biri, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës së Tij hyjnore. Duke e lënë këtë traktat si një testament për Kishën e Shenjtë, meqë parapa problemet e ardhshme, ai u nis që të bashkohej me korin e etërve të shenjtë dhe të mësuesve të saj, më 6 shkurt 891.
Mrekullitë e shumta në varrin e tij, bënë që edhe armiqtë e tij më të mëdhenj të ktheheshin në fenë e vërtetë. I përulur, i qetë dhe i duruar në sprova, ky pohues i besimit, i akuzuar padrejtësisht nga armiqtë e tij për fanatizëm, mbeti një nga ndriçuesit më të mëdhenj të Orthodhoksisë dhe një nga dëshmitarët më autentikë të frymës ungjillore.