– Ungjilli – Marku 5:22-24, 35-6:1

Edhe ja tek vjen një nga të parët e sinagogës, që e kishte emrin Jair; edhe kur pa atë, i bie ndër këmbë, edhe i lutej shumë, duke thënë se ime bijë është në frymë të fundit; të lutem të vish e të vësh duart mbi të, që të shpëtojë; edhe do të rrojë. Edhe ai shkoi bashkë me të; edhe turmë e madhe i vinte pas dhe e shtrëngonte.

Ndërsa ai po fliste ende, vijnë nga i pari i sinagogës, duke i thënë se jot bijë vdiq; pse po e mundon mësuesin? Po Jisui sapo dëgjoi fjalën që po flitej, i thotë të parit të sinagogës: Mos ki frikë, vetëm beso. Edhe s’la asnjë të shkojë bashkë me të, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, vëllait të Jakovit.

Edhe vjen në shtëpinë e të parit të sinagogës, edhe vështron trazirë, e njerëz që qanin e ulërinin shumë. Edhe si hyri, u thotë atyre: Pse bëni trazirë e qani? Fëmija nuk vdiq, por po fle. Edhe ata e përqeshnin. Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, merr me vete të atin e fëmijës dhe të ëmën dhe ata që ishin bashkë me të, dhe hyn ku dergjej fëmija. Edhe si kapi dorën e fëmijës, i tha asaj: “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë: Vajzë, të them, ngrihu.

Edhe përnjëherë vajza u ngrit edhe ecte; sepse ishte dymbëdhjetë vjeç. Edhe u çuditën me çudi të madhe. Edhe i porositi shumë të mos e marrë vesh këtë asnjeri; edhe tha t’i jepet asaj të hajë. Edhe doli andej dhe erdhi në vendin e tij, edhe nxënësit e tij i shkojnë pas.