– Apostulli – Jakovi 3:1-10.

 

Mos të bëhen nga ju shumë mësues, o vëllezër të mi, duke ditur se do të marrim dënim më të madh. Sepse të gjithë bëjmë faje në shumë gjëra. Në qoftë se nuk bën faj ndonjë në fjalë, ky është burrë i përsosur, i fuqishëm t’i vërë fre edhe gjithë trupit. Ja, kuajve frerët ua vëmë në gojë që të na binden, edhe e drejtojmë gjithë trupin e tyre.

Ja edhe anijet, ndonëse janë kaq të mëdha edhe shtyhen prej erërash të forta, çohen prej një timoni të vogël atje ku të dojë drejtuesi.
Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja pak zjarr tek djeg kaq shumë lëndë. Edhe gjuha është zjarr, bota e padrejtësisë. Kështu ndër gjymtyrët tona gjuha është ajo që fëlliq gjithë trupin, edhe i vë flakë rrotës së jetës, edhe vihet në flakë prej gjehenës.

Sepse çdo lloj bishe, edhe shpendi, edhe zvarraniku, edhe krijese deti, zbutet, edhe është zbutur prej natyrës së njeriut.
Po gjuhën asnjë nga njerëzit nuk mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtëshme, plot me vrer vdekjeprurës. Me atë bekojmë Perëndinë dhe Atin, edhe me atë mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shembëllimit të Perëndisë.
Prej po asaj goje del bekim dhe mallkim.
Nuk duhet, o vëllezër të mi, të bëhen këto kështu.