Oshënar Efthimi i madh.

Ashtu si shën Andoni për Egjiptin, disa vite më vonë, ati ynë i shenjtë, Efthimi, ishte themeluesi dhe ati i madh i lëvizjes monakale që do të mbushte shkretëtirën e Palestinës. Iu dha prindërve nga Perëndia, sepse ata për shumë kohë nuk kishin fëmijë dhe, si fryt i lutjeve të tyre, lindi më 378 në Militinë, në Armeninë e Vogël, si shenjë pararendëse e periudhës së gëzueshme dhe paqësore që do të kalonte Kisha, pasi ishte turbulluar për 40 vjet nga persekutimi arian.

Në moshën 13-vjeçare, kur humbi të atin, e ëma e besoi tek episkopi Otrios, i cili, si dalloi pëlqimin e Perëndisë te fëmija, e pagëzoi dhe e caktoi lexues të kishës së tij. U rrit në shtëpinë episkopale me virtyt, vetëpërmbajtje duke zbatuar Shkrimin e Shenjtë dhe shumë herët mësoi të kryente shërbesa hyjnore me frikë Perëndie dhe të lutej me zemër të përqendruar. Dilte vetëm kur duhej të vizitonte murgjit përreth, dhe në çdo kreshmë, që nga Theofania e deri për Pashkë, hynte thellë në shkretëtirë për të jetuar në heshtje dhe vetmi, duke imituar profetin Ilia dhe shën Joan Pagëzorin.

Duke shkëlqyer nga këto virtyte, u hirotonis prift që në moshën 19-vjeçare dhe njëkohësisht u emërua drejtues i të gjitha manastireve të dioqezës. U mor me këtë detyrë për 10 vjet, por, duke parë se nderimet përbënin pengesë për virtytin, u largua drejt Jerusalemit, duke dëshiruar të imitonte Zotin tonë Jisu Krisht në shkretëtirë. Qëndroi për pak kohë në një qeli të vetmuar jashtë lavrës së Faranit, themeluar më shumë se një shekull përpara nga shën Haritoni (28 shtator), ku, i shkujdesur nga çdo merak, lutej e kreshmonte, thurte litarë, që të mos bëhej barrë për askënd. Lidhi miqësi të ngushtë shpirtërore me fqinjin e tij, Theoktistin (3 shtator); si njëri dhe tjetri kishin gjithçka të përbashkët, mendimin, mënyrën e jetesës dhe ishin si një shpirt në dy trupa. Efthimi ia kalonte në butësi dhe përulësi, prandaj dhe Perëndia tregoi më qartë pëlqimin ndaj tij dhe i dha iniciativën në gjithçka.

Si çdo vit, të dy asketët shkonin të kalonin gjithë kreshmën në shkretëtirën e madhe të Kutilas, drejt Detit të Vdekur. Një ditë u drejtuan nga Perëndia te një shpellë e admirueshme mbi greminë, të cilën e zgjodhën si banesën e tyre dhe e shndërruan në kishë të Perëndisë nëpërmjet virtytit shenjtërues, himneve dhe lutjeve. Pasi kaluan disa kohë pa komunikuar me njeri, duke jetuar vetëm me bimët që mbinin atje, u zbuluan nga disa barinj të atyre anëve. Që atëherë, banorët e fshatit më të afërt e quanin për nder të ndihmonin këta njerëz të Perëndisë. Edhe murgjit nga Farani filluan t’i vizitonin dhe t’u bashkoheshin atyre gjithmonë e më shumë në numër. Por, meqë Efthimi dëshironte të qëndronte i lirë nga çdo lidhje dhe meqë vendi ishte shumë i ngushtë që të organizohej aty jeta eremite e një lavre, themeloi rrëzë shkëmbit një kinov të drejtuar nga Theoktisti. Ndërsa vetë qëndronte gjithë javën në vetmi në shpellën që e kishte shndërruar në kishëz. Të shtunën e të dielën, kur të gjithë mblidheshin për agripni dhe Liturgji Hyjnore, mësonte vëllezërit dhe priste rrëfimin e mendimeve të tyre.

Oshënar Efthimi përparoi pa pushim në komunikimin intim me Perëndinë dhe mori si shpërblim pushtetin për të kryer çudira. Një ditë, kjo ndodhi në vitin 420, me shenjën e kryqit shëroi birin e kryetarit të një bande saraçenësh, i cili erdhi dhe e kërkoi pas një vegimi që pati. Barbarët e habitur nga kjo çudi, i ranë në këmbë shenjtit dhe i kërkuan t’u mësonte doktrinën që i jep njeriut fitoren mbi vdekjen dhe t’i ndriçonte me Pagëzimin e shenjtë. Disa nga ata iu bashkuan dishepujve të Efthimit, dhe komandanti i tyre, pasi mori emrin Petro, u bë misionar i zjarrtë pranë grupeve nomade të saraçenëve, të shpërndara në Palestinë.

Kjo mrekulli e bëri emrin e Efthimit të njohur në mbarë vendin. Turma të sëmurësh vraponin ngado, duke e turbulluar atmosferën e jetës së tij prej eremiti, prandaj ai vendosi të largohej, me gjithë këmbënguljen e Theoktistit dhe të vëllezërve të tjerë, drejt shkretëtirës më të thellë të Rubas, i shoqëruar nga Dometiani, i cili ishte me prejardhje nga Melitina. Përshkoi shumë vende ku mrekullitë e tij kishin tërhequr dishepuj të rinj dhe themeloi manastire.

Më pas u kthye pranë shën Theoktistit dhe qëndroi me Dometianin në një shpellë mbi një kodër të vogël, në mes të një lëndine të gjerë e të shkretë (Saheli). Pas pak kohësh, Petroja i dërgoi një turmë saraçenësh, të cilët kërkonin të pagëzoheshin. Këta ujqër të shkretëtirës u shndërruan në grigjë shpirtërore të Krishtit dhe nuk donin më ta braktisnin shenjtin, dhe e vendosën kampin e tyre të përhershëm diku afër. Ky kamp u bë më pas një episkopatë, që pati si bari Petron. Efthimi vazhdoi t’i dërgonte Theoktistit ata që kërkonin t’i drejtonte shpirtërisht, deri në çastin kur Perëndia e urdhëroi me një vizion të fillonte të pranonte vetë ai nxënës dhe të ngrinte një lavër të organizuar sipas modelit të Faranit.

Eremitët jetonin të tërhequr gjithë javën, jo më nëpër shpella, por në qeli të ndërtuara nga Petroja dhe saraçenët. Ata mblidheshin për vigjiljen e së dielës rreth priftit dhe atit të tyre shpirtëror në kishën kushtuar më 428 nga kryepiskopi shën Juvenali (kujtimi i tij më 2 korrik).

Njëherë, kur shën Efthimi celebronte Liturgjinë Hyjnore, një zjarr nga qielli u shfaq mbi Tryezën e Shenjtë dhe i mbuloi atë dhe dhjakun e tij Dometian, si një mbulesë. Me syrin e mendjes së pastruar nga Hiri, ai mund të dallonte qartë ata që afroheshin denjësisht te Kungata hyjnore dhe ata që i kishin shpirtrat të ngarkuar me mëkate, të cilët kungoheshin për dënimin e tyre; dallonte sekretet e zemrave dhe profetizonte të ardhmen.

Me gjithë varfërinë e madhe të lavrës, shenjti ishte mikpritës dhe bujar me vizitorët. Një ditë, me lutjen e tij bëri që të mbusheshin me bukë qilarët e boshatisur, në sasinë e mjaftueshme për të ushqyer 400 pelegrinë të ardhur nga Armenia për të vizituar bashkatdhetarët e tyre, dhe për 3 muaj rezervat nuk u boshatisën. Mrekullive të shumta që kryente, njeriu i Perëndisë i shtonte përherë mësimin rreth bindjes, këmbënguljes në kushtet ku Perëndia na ka vendosur dhe rreth pendimit, aq sa hiri që derdhte mbi dishepujt dhe popullin e tij ishte gjithnjë për ndërtimin dhe përparimin e tyre në virtyt.

Shën Efthimi ishte në gjithçka model i përsosur i sjelljes engjëllore dhe në kohët e turbullta që rrodhën mes Sinodit të Efesit (431) dhe atij të Kalqedonisë (451), ishte për besimtarët kriter i sigurt i së vërtetës dhe shtyllë e orthodhoksisë. Ai dërgoi disa dishepuj në njërin sinod dhe disa në tjetrin dhe ata luajtën një rol të rëndësishëm. Pas përfundimit të Sinodit të Kalqedonisë, Theodhosi, një mashtrues, arriti ta zaptonte për 20 muaj fronin e Jerusalemit dhe të tërhiqte pas në anën e monofizitëve një pjesë të madhe të murgjve të Palestinës, për të cilët terminologjia e hollësishme e sinodit ishte pak e kuptueshme. Ethimi me dishepujt qëndruan të vetëm në mbrojtjen e besës, me gjithë kërcënimet dhe akuzat nestoriane.

Ashtu si shën Andoni, shkëlqimi i shenjtërisë së tij ishte prova e së vërtetës së doktrinës së tij; gjithashtu, pak nga pak, murgjit më në zë u radhitën pas tij. Perandoresha Evdhokia, vejusha e Theodhosit II, e cila banonte në Palestinë, ishte tërhequr edhe ajo nga monofizitët; por gjatë marrjes së Romës u godit nga fatkeqësi familjare, kuptoi gabimin, dhe kërkoi të kthehej në Kishë, prandaj dërgoi disa emisarë te shën Simeon Stiliti, pranë Antiokisë (1 shtator). Ai e nxiti të kthehej pa humbur kohë në Orthodhoksi dhe i tha: “Përse kërkon të nxjerrësh ujë kaq larg, kur je pranë burimit? Ti ke njeriun e Perëndisë, Efthimin, ndiq mësimet e tij dhe do të shpëtohesh!”. Pas kësaj, ajo ndërtoi një kullë pranë lavrës dhe i ndoqi udhëzimet e Efthimit, sikur të dilnin nga vetë goja e Perëndisë. Perandoresha mori nën mbrojtje besën orthodhokse dhe e mbushi Palestinën bujarisht me dhurimet që bënte: kisha, manastire, azile.

Asketi i nderuar, i lodhur nga ditët, por i ndezur nga zelli që jep Shpirti i Shenjtë, drejtonte shumë dishepuj drejt Mbretërisë së Qiejve, ndër të cilët numërohen figurat më të mëdha të epokës: shën Sava (5 dhjetor), shën Qirjakoja (29 shtator), shën Gjerasimi (4 mars), dhe një numër episkopësh. Në moshën 90-vjeçare zbriti për të vizituar Theoktistin, dhe qëndroi deri në çastet e tij të fundit, që të celebronte shërbesën mortore dhe të caktonte një igumen të ri.

Perëndia i dha gjithashtu të mësonte që më përpara ditën e vdekjes, por nuk tha asgjë deri ditën ku, sipas zakonit, sado që ishte në moshë të madhe, duhej të nisej për Kreshmën në shkretëtirë. Gjatë vigjiljes së shën Andonit, i mblodhi dishepujt e vet dhe u dha porosinë e tij të fundit: “Ruajeni gjithmonë si fillim dhe qëllim të çdo vepre të mirë dashurinë e sinqertë, e cila është lidhja e përsosmërisë. Çdo virtyt fortifikohet nga dashuria dhe përulësia, me ndihmën e përvojës, të kohës dhe të hirit. Por dashuria kryeson mbi përulësinë, sepse me anë të dashurisë Fjala e Perëndisë u përul duke u bërë i ngjashëm me ne”.

Porositi gjithashtu të falënderonin kurdoherë Perëndinë që i nxori nga pështjellimi i botës dhe i vendosi në këtë gjendje të shenjtë, në imitim të engjëjve; pastaj zgjodhi pasuesin e tij, u paratha vdekjen e afërt të Dometianit dhe transformimin e lavrës në kinov. U tregoi vendin se ku do të ndërtohej kisha dhe ndërtesat, i nxiti të mos e linin pas dore mikpritjen, të ngushëllonin dhe të nxisnin vëllezërit e sprovuar nga tundimet dhe të kryenin me devotshmëri të gjitha shërbesat hyjnore.

Pasi ndenji 3 ditë rresht në shenjtërore, fjeti në paqe më 20 janar 473, dhe fytyra e tij ishte e qetë dhe e bardhë, më tepër engjëllore sesa tokësore. Fjetjen e tij e pasoi edhe ajo e Dometianit, nxënësit të tij besnik që prej 50 vjetësh. Një grup i madh murgjish, klerikësh dhe laikësh u mblodhën për varrimin e këtij ati të shkretëtirës. Shumë mrekulli u kryen dhe vazhdojnë të kryhen në varrin e tij, që u vendos në shpellën ku u ushtrua. Mbarë Kisha erdhi për ta nderuar Efthimin si një nga Etërit e saj më të mëdhenj, sepse, pasi jetoi në vetmi, kurrë nuk pushoi së qeni mbështetje e besimit, misionar, ligjvënës i jetës në komunitet dhe ekonom i Hirit të Perëndisë.

 

* * * * *

Dëshmor i ri Zaharia.

Me origjinë nga Arta, shën Zaharia ushtronte profesionin e lëkurëregjësit në qytetin e vjetër të Patrës, në Peloponez. Për arsye të panjohura, ai ishte bërë mysliman, por ruante fshehurazi në shtëpi një libër të titulluar Shpëtimi i mëkatarëve, dhe sa herë e lexonte, qante i mbytur në lot, duke iu lutur Krishtit t’i tregonte udhën e pendimit. Më në fund, duke mos i rezistuar brejtjes së ndërgjegjes, shkoi të rrëfente mohimin që kishte bërë te një prift i dëgjuar për virtytin e tij dhe i tregoi dëshirën për të rrëfyer Krishtin para turqve. Prifti e këshilloi të ishte i kujdesshëm dhe e porositi të kreshmonte e të lutej për 40 ditë, që të sprovonte kështu edhe vendimin e tij.

Pas 20 ditësh, Zaharia nuk mundi ta përmbante flakën e dashurisë që i digjej në zemër dhe shkoi te prifti, që të merrte bekimin për t’u martirizuar. Doli para gjykatësit, rrëfeu qetësisht se ishte i krishterë, hoqi turbanin turk dhe e luti t’i jepte veshje karakteristike të të krishterëve. Duke qenë se lajkat ishin pa efekt ashtu si dhe kërcënimet, e burgosën dhe e dënuan me rrahje tri herë në ditë. U lumturua që u dënua për dashurinë e Krishtit dhe, sa herë që e rrihnin, përsëriste këto fjalë: “Zot Jisu Krisht, ki mëshirë për mua” dhe, kur dhimbja shtohej, në heshtje ngrinte sytë drejt qiellit.

Një natë, xhelati ia shtrëngoi këmbët në drurin e dënimit derisa ia theu dhe pastaj shkoi të hante darkë, ndërsa martiri i shenjtë dha shpirtin te Perëndia. Vendi u mbush me erë të mirë. Të nesërmen, ushtarët ia hodhën trupin në një pus, që të krishterët të mos kishin mundësi ta nderonin.