– Apostulli – Hebrenjve 13:7-16.

 

Kujtoni ata që ju drejtojnë, të cilët ju folën juve fjalën e Perëndisë; besimin e tyre ta keni për shembull, duke pasur përpara syve frytin e sjelljeve të tyre. Krishti është po ai dje dhe sot dhe në jetë të jetëve. Mos u rrëmbeni prej mësimesh të ndryshme e të huaja; sepse është mirë të forcohet zemra juaj me hir, jo me të ngrëna, ndër të cilat ata që ecën nuk panë dobi.

Kemi një therore, prej së cilës ata që shërbejnë në tendë s’kanë pushtet të hanë. Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave sillet brenda në shenjtërore prej kryepriftit për mëkat, digjen jashtë vendfushimit. Prandaj edhe Jisui, që të shenjtërojë popullin me anë të gjakut të tij, pësoi jashtë portës.

Le të dalim pra tek ai jashtë vendfushimit, duke mbajtur poshtërimin e tij. Sepse nuk kemi këtu qytet që mbetet përherë, po kërkojmë atë që ka për të ardhur. Me anë të atij pra le të sjellim gjithnjë tek Perëndia theror lavdie, domethënë fryt buzësh që rrëfejnë emrin e tij. Edhe mos harroni të bëni mirë e të ndani gjithçka me të tjerët, sepse therore të tilla pëlqen Perëndia.