Oshënar Pavli i Tebës.

 

Në kohën e perandorit Deci (rreth 250), kur derdhej gjaku i martirëve në të gjitha krahinat e Perandorisë Romake, në Tebaidën e Poshtme (Egjipt) jetonte një burrë i devotshëm, i ditur dhe i stolisur me të gjitha llojet e virtyteve, i cili, pas vdekjes së prindërve, trashëgoi një pasuri të madhe. Për t’i shpëtuar furtunës së persekutimit, u tërhoq në një shtëpi fshati; por shumë shpejt, burri i së motrës, nga lakmia për të shtënë në dorë trashëgiminë familjare, mendoi një plan për ta dorëzuar në duart e persekutorëve. I frikësuar, Pavli u largua në shkretëtirë, duke lënë pas çdo të mirë.

Eci me ditë të tëra, arriti rrëzë një mali ku zbuloi një shpellë, e cila nuk binte në sy dhe që kishte shërbyer si strehë për falsifikuesit e monedhave. Aty pranë rritej një palmë e gjerë, e cila jepte frutat e saj dhe bënte hije, dhe gurgullonte një burim me ujë të pastër. Shenjti qëndroi në atë parajsë të vogël, dhuruar nga Perëndia, dhe kaloi gjithë jetën në heshtje e në lutje.

Pas shumë vjetësh (më 342), Andonit të Madh, atëherë 80 vjeç, i erdhi mendimi se asnjë njeri mbi dhé nuk kishte bërë një jetë kaq të përsosur para Perëndisë. Natën, ai u lajmërua nga engjëlli, se një eremit tjetër bënte këtë jetë qiellore në një mënyrë më të përsosur se ai, diku në një shkretëtirë tjetër dhe që kishte arritur në moshën 113-vjeçare. Jeronti i lumur mori pa humbur kohë shkopin e tij dhe u nis në kërkim të atij, duke iu dorëzuar Providencës hyjnore për ta drejtuar. Udhës hasi shumë kafshë të egra që i vinte djalli, por që bëheshin të pafuqishme me shenjën e Kryqit dhe i tregonin pastaj se cilin drejtim duhej të ndiqte. Një ujkonjë e drejtoi përfundimisht deri te shpella dhe me shumë lutje e përgjërime arriti ta bindte Pavlin t’i hapte derën.

Të dy etërit shkëmbyen një puthje të shenjtë, u përshëndetën me emrat e tyre; lavdëruan Perëndinë që lejoi këtë takim. Pavli, i cili nuk i kishte folur asnjë njeriu për 90 vjet, e pyeti Andonin se si shkonte bota, nëse kishte ende idhujtari dhe persekutim. Gjatë bisedës, një korb fluturoi mbi ta dhe u la para këmbëve bukë të freskët. Pavli i tha vizitorit të tij: “Admiroje mirësinë e Perëndisë. Ja, u bënë 70 vjet që Perëndia më dërgon çdo ditë me anë të këtij korbi një gjysmë buke që të ushqehem dhe sot, për ardhjen tënde, Zoti e dyfishoi”. Si hëngrën prej ushqimit qiellor, gjithë natën e kaluan në lutje.

Kur zbardhi dita, Pavli i zbuloi Andonit se e njihte që kur jetonte në shkretëtirë dhe se Zoti e kishte dërguar tani drejt tij që të kthente trupin e tij të varfër në dhé, pasi ora e fundit e betejave të tij ishte afër.

Andoni, i përlotur, e luti të mos e linte vetëm, por t’i lutej Zotit që ta merrte edhe atë me vete. Oshënar Pavli i kërkoi që të shkonte të kërkonte në manastirin e tij pallton që shën Athanasi i Aleksandrisë i kishte dhënë që ta groposte. Jeronti i moshuar, 90 vjeç, gjeti fuqitë si një i ri ta bënte rrugën brenda ditës, i djegur nga dëshira për të riparë Pavlin, nga frika se mos vdiste në mungesë të tij. Të nesërmen në mëngjes ai ishte ende rrugës, kur pa shpirtin e oshënar Pavlit të ngrihej në qiell në mes të koreve engjëllore, të profetëve dhe të apostujve. Ai thirri: “Pavël, pse po më lë? Të njoha shumë vonë, por po ikën kaq herët!”. Vrapoi deri te shpella, ku gjeti oshënar Pavlin të palëvizur, në pozicion lutjeje. E mbështolli me pallton e rrëfyesit të madh të Orthodhoksisë, psali për të himnet e funeralit dhe, i ndihmuar nga dy luanë që Providenca i dërgoi, të cilët hapën një gropë me kthetrat e tyre, vendosi me përkushtim trupin e eremitit të parë në tokë, në pritje të ngjalljes. Që të mos privohej nga hiri që kishte banuar te shenjti gjatë jetës tokësore, Andoni mori me vete tunikën që Pavli kishte thurur me duart e veta me gjethe palmash, dhe e vishte në të kremtet e mëdha të Pashkës dhe Pentikostisë.

* * * * *

Oshënar Joan Kaliviti.

Oshënar Joani, i Varfri për Krishtin, lindi në Konstandinopojë në kohën e sundimit të Leonit I (457-474). Duke qenë bir i senatorit pasanik e të fuqishëm, Eftropit, shenjti mori një edukim të mirë pranë mësuesve më me famë të asaj kohe, dhe që fëmijë tregoi devotshmëri të madhe. Kur ishte 12 vjeç, takoi një ditë një murg të manastirit të Akimitëve (të Pafjeturve), i cili përgatitej të shkonte në një pelegrinazh në Jerusalem, dhe fëmija e pyeste rreth jetës së murgjve, praktikat e tyre asketike, himnet që psalnin, dhe lutjen e tyre. I gëzuar nga përshkrimi që dëgjoi për jetën engjëllore që bënin të vdekshmit, ai i kërkoi që, kur të kthehej, ta merrte me vete. Me pretekstin se do të ndiqte mësimet e leximit të mësuesit të tij në shkollë, mori nga prindërit një dorëshkrim të Ungjillit, të lidhur mirë dhe të zbukuruar me ar dhe perla. E mbante me vete si thesarin e tij më të çmuar dhe, kur eremiti u kthye nga Jerusalemi, iku fshehtazi nga shtëpia dhe nuk mori asgjë me vete, përveç Ungjillit.

Sa arriti në manastirin e Akimitëve, e preku shumë igumenin me zellin dhe lotët e tij dhe e bindi ta qethte murg dhe të vishte skimën po atë ditë, megjithëse ishte i vogël, pa e lënë të kalonte periudhën e rishtarisë. Që atëherë, Joani tregoi një zell të admirueshëm për betejat e asketizmit dhe ua kaloi në virtyt edhe murgjve më të sprovuar. Për 3 vjet hante vetëm të dielave, pas Kungatës dhe u dobësua kaq shumë, sa askush nuk mund të njihte tiparet e të riut aristokrat. Demoni, xheloz për arritjet e shenjtit, filloi luftën kundër tij. E ngacmonte me mendime dhe me kujtimin e prindërve dhe i thoshte që të shkonte e t’i vizitonte. Rrëfimet e përsëritura, shtimi i kreshmëve dhe lotët rrëke nuk arritën dot ta çlironin nga ky mendim tundues. Përfundimisht, mori nga igumeni bekimin që të shkonte në shtëpinë e prindërve, jo që t’i nënshtrohej djallit, por që të luftonte me të ballë për ballë, me fuqinë e Hirit të Krishtit dhe me lutjet e vëllezërve të manastirit. Kur doli nga manastiri, u vesh si lypsar, dhe pas shumë ditësh rrugëtim, i rraskapitur, arriti natën para derës së pallatit ku jetonin prindërit, të cilët nuk e njohën, nga asketizmi që kishte bërë. Shërbëtorët e pritën dhe e panë me mëshirë, por meqë në pallat nuk lejoheshin lypsarët, morën leje që ai të qëndronte në një kasolle të shkretë, jo larg hyrjes, që të ishte i mbrojtur nga moti i keq.

Një ditë, nëna e Joanit, e cila ende nuk e kishte marrë veten nga humbja e birit të saj të dashur, doli nga shtëpia për të shkuar në kishë dhe, duke parë lypësin e shpërfytyruar, ulur në derën e qelisë së tij, u mbush me neveri dhe dha urdhër që të qëndronte i mbyllur brenda, përndryshe do të dëbohej. Për 3 vjet Joani jetoi i mbyllur, u tall dhe u përbuz nga prindërit, u trajtua keq nga shërbëtorët dhe kalimtarët. Ende i pakënaqur nga këto vuajtje të vullnetshme, ai i ofronte Perëndisë kreshmë dhe lutje pa ndërprerje. Një natë, Krishti iu shfaq dhe i tha: “Gëzohu, Joan, sepse e munde djallin me durimin tënd dhe i shkatërrove gjithë dredhitë e tij. Koha e fundit tënd po afron, për 3 ditë engjëjt do të vijnë të të marrin dhe të të sjellin afër meje”.

Atëherë Joani i kërkoi së zonjës së shtëpisë, nëse ajo do të dëshironte, ta vizitonte para fjetjes së tij. Fillimisht, e çuditur nga kjo kërkesë, nëna e tij erdhi deri te kasollja. I varfri, të cilin e kishte përçmuar për shumë kohë, e falënderoi për mikpritjen dhe i kërkoi nëse mund të varrosej po në këtë kasolle, me veshjet që kishte. Më pas i dhuroi asaj Ungjillin e artë që i kishte dhuruar para 10 vjetësh. Zemra e nënës doli nga kraharori kur pa dorëshkrimin. Vrapoi dhe ia tregoi menjëherë të shoqit, pastaj që të dy shkuan dhe pyetën lypësin t’i tregonte se ku e kishte gjetur Ungjillin. Shenjti, me fytyrën e lagur nga lotët, u tha: “Jam Joani, biri juaj, dhe nga dashuria për Krishtin e mora këtë libër që ju më dhatë, si zgjedhë të lehtë dhe të ëmbël dhe vendosa të jetoja si i huaj”.

Gëzimi dhe hidhërimi i prindërve u përzje, e përqafuan djalin e tyre, Joanin, i cili u tregoi se çfarë kishte ndodhur me të. Pas pak, ai dorëzoi frymën e tij te Perëndia dhe prindërit e lanë trupin e tij me lot.

I gjithë qyteti i Konstandinopojës u prek nga historia heroike e shenjtit. Në kasollen e tij u ndërtua më vonë një kishë, ku Hiri i Perëndisë, nëpërmjet lutjeve të shën Joanit të Varfër, bëri shumë mrekulli.