– Oshënar Theodhos Kinovjarku –
Shën Theodhosi, kryetar dhe udhëheqës i kinovitëve (murgjërit që jetojnë në komunitet murgjëror) në Palestinë dhe një yll i shkëlqyer për përjetësinë në qiellin shpirtëror, lindi rreth vitit 423 në fshatin Garisos, nga prindër besimtarë dhe që e kishin frikë Perëndinë, të cilët i transmetuan të birit dashurinë për virtytet e shenjta dhe zbatimin e Shkrimit të Shenjtë. Që në moshë të re shërbeu si lexues në kishë, donte të meditonte rreth historisë së Abrahamit, modeli i gjithë atyre që lënë atdheun nga dashuria për Zotin (Gjeneza 12), dhe rreth fjalëve të Ungjillit që porositin të braktisësh prindërit, të mirat dhe miqtë për të trashëguar jetën e përjetshme (Matth. 19.29).
Shpirti i digjej nga zelli hyjnor, ndaj dhe një ditë vendosi t’i zbatonte këto porosi, duke marrë rrugën për në Jerusalem. Kur kaloi nga Antiokia, mori bekimin e të ndriturit shën Simeon Stiliti (1 shtator). Jeronti e përshëndeti nga larg, duke thënë: “Theodhos, njeri i Perëndisë, je i mirëpritur!”. E hipi në majë të shtyllës, e përqafoi me dhembshuri dhe i paratha se do të bëhej bari i një grigje të madhe delesh shpirtërore.
Kur arriti në Jerusalem, si nderoi Vendet e Shenjta, kërkoi se si mund të niste jetën asketike. Sigurisht, ai dëshironte të bënte jetë të vetmuar; por, i paralajmëruar për rreziqet në këtë luftë kundër armiqve të padukshëm nga ndonjë mësues me përvojë, që qe paraprakisht i ushtruar në këtë betejë, kërkoi një udhëheqës, dhe gjeti një jeront nga Kapadokia, të quajtur Longin, i cili shkëlqente nga të gjitha virtytet mes murgjve të përkushtuar në shërbimin e bazilikës së Ngjalljes.
Me të mësuar bindjen, duke bërë si Krishti vullnetin e Atit, dhe të dallonte me vetëdije të mirën nga e keqja, ai u vendos i vetëm në një kishë që gjendej rrugës për në Bethlehem. Kur themeluesja e pasur dhe e devotshme e kësaj kishe donte ta caktonte në krye të një vëllazërie murgjish, ai u tërhoq në një shpellë mes një mali të shkretë ku thuhet se magët kishin qëndruar pasi nderuan Perëndinë – Foshnjë. Atje, duke harruar gjithçka që vinte nga toka, Theodhosi pastroi shpirtin nëpërmjet vdekësimit, pa iu dorëzuar kënaqësive të mishit, duke qëndruar më këmbë gjatë natës, i mbajtur nga litarët që kishte lidhur në tavan, me psalme dhe lutje të pandërprera. Qëndroi për 30 vjet pa vënë bukë në gojë, hante vetëm hurma, thjerrëza dhe disa bimë që mbinin në shpellë. Fama e betejave të tij dhe e jetës hyjnore që shkëlqente, i solli në shpellë shumë dishepuj. Si fillim, pranoi vetëm 6, më vonë 12, dhe pastaj të gjithë ata që Perëndia i dërgonte.
Në radhë të parë, i mësonte të mbanin gjithnjë parasysh mendimin e vdekjes, si themel të jetës në Krishtin. Një ditë, i vuri të gërmonin një varr të gjerë dhe u tha: “Ja varri juaj, kush nga ju do ta përurojë?”. Një prift me emrin Vasil, ra në gjunjë dhe i kërkoi shenjtit bekimin që të ikte i pari te Zoti. Atëherë Theodhosi porositi të celebronin Shërbesat Përkujtimore: të të tretave, të nëntave dhe të dyzetave, siç e kemi zakon edhe sot për të fjeturit. Kur erdhën të dyzetat, Vasili dha shpirt, dhe 40 ditë më pas, Theodhosi e pa të qëndronte shpirtërisht në mes të vëllezërve, kur psalnin.
Gjatë një vigjiljeje të Pashkës, vëllezërit u shqetësuan se u mungonte ushqimi, madje as bukë meshe për Liturgjinë Hyjnore nuk kishin. Theodhosi i mblodhi në një vend të izoluar, i urdhëroi të vinin tërë shpresën e tyre te Perëndia. Kur ra nata, në portën e manastirit mbërritën 2 mushka të ngarkuara me ushqime, që zgjatën deri në Pentikosti.
Nga dita në ditë shpella ngushtohej për numrin e dishepujve, që sa vinte e rritej, dhe shumë miq të pasur, që ishin të gatshëm të ndihmonin për të gjitha shpenzimet, e shtrënguan shenjtin të zgjidhnin një vend të përshtatshëm për të ndërtuar një manastir të madh, sipas profecisë së shën Simeonit. Fillimisht, hezitoi, nga frika se mos humbiste frytet e jetës vetmitare, por pastaj Theodhosi arriti në konkluzion se, me ndihmën e Perëndisë, mund të ruante shpirtin e tij në paqe të patrazuar, duke sjellë shumë njerëz në shpëtim. Mori një temjanicë, e mbushi me qymyr, dhe eci para tij, duke lutur Perëndinë që ta ndizte Ai vetë temjanin në vendin e duhur. Zoti ia dha këtë shenjë shërbëtorit të tij në një vend rreth 7 km larg Bethlehemit. Ngritën menjëherë ndërtesa të mëdha për murgjit, me punishte dhe çdo gjë të nevojshme për të çliruar shpërqendrimet e shkaktuara nga marrëdhëniet me botën e jashtme. Në këtë qytet ungjillor ishin lidhur shumë anekse: një shtëpi pritjeje për murgjit e huaj, një tjetër për të pritur të varfrit dhe ata që nuk ishin vendës, një spital për të sëmurët, një për murgjit e moshuar dhe një azil për të pamundurit. Syri për të verbrit, këmba e të gjymtuarve, çatia e të pastrehëve, veshja e të zhveshurve, shenjti u bë gjithçka për të gjithë; vetë ai kujdesej për plagët më të rënda dhe i përqafonte me dhembshuri lebrozët. Një numër shumë i madh të pastrehësh vraponin tek ai në manastir, në kohë varfërie, aq sa e shtronin tryezën 100 herë në ditë. Për të përballuar këto nevoja, Perëndia ndërhynte herë pas here me mrekulli dhe shumëfishonte bukën e rezervat ushqimore.
Komuniteti përbëhej nga më shumë se 400 murgj të kombësive të ndryshme. Prandaj shenjti kishte ndërtuar 4 kisha në kompleksin e manastirit: në njërën lavdërohej Perëndia në greqisht, në tjetrën në sirisht, në një tjetër në armenisht, ndërsa e katërta u rezervohej të sëmurëve dhe të pushtuarve nga demonët. Shtatë herë në ditë lartësoheshin në harmoni drejt qiellit himne në gjuhë të ndryshme dhe të gjithë mblidheshin në kishën e grekëve, pas leximit të Ungjillit, për të celebruar së bashku Eukaristinë Hyjnore. Si një atë i vërtetë, Theodhosi kujdesej për cilindo dhe te të gjithë tregonte, nëpërmjet sjelljes dhe mësimdhënieve, një ikonë të gjallë të Krishtit. Pas vdekjes së jerontit, igumenit të manastirit të themeluar nga shën Melania (31 dhjetor), ai u zgjodh igumen (arkimandrit) dhe kryetar i të gjithë murgjve që jetonin nëpër komunitete, ndërsa shën Sava (5 dhjetor) ishte vendosur në krye të eremitëve dhe të atyre që jetonin në lavra. Të dy shenjtorët ishin të lidhur me një dashuri të madhe dhe takoheshin shpesh për të diskutuar për tema shpirtërore dhe luftonin kundër heretikëve.
Në atë kohë (513), Kisha ishte e turbulluar nga perandori Anastas, i cili kishte marrë përsipër mbrojtjen e monofizitëve, armiq të Sinodit të Kalqedonisë. Shkarkoi patriarkun e Jerusalemit, Elian, dhe vendosi një heretik dhe u përpoq të tërhiqte drejt tij të gjithë murgjit e shkëlqyer të Palestinës, në veçanti shën Savën dhe shën Theodhosin. Nëse nga përulësia shën Theodhosi e linte veten të kundërshtohej e të mundej, në lidhje me gjërat e Perëndisë dhe dogmave të shenjta të Kishës, ai nuk të falte. Ai mblodhi gjithë banorët e shkretëtirave, u shpalli se kishte ardhur koha për “të urtin të shndërrohej në luftëtar” (Joel 3.11), dhe i shkroi sovranit një letër, ku lajmëronte vendimin kategorik të murgjve për t’i qëndruar besnikë deri në gjak doktrinës së Sinodeve të Shenjta Ekumenike. I entuziazmuar nga ky guxim, Anastasi i la pak pas dore përndjekjet e tij, por më pas i rinisi përsëri edhe më ashpër. Theodhosi shkoi në bazilikën e Ngjalljes dhe, që nga amvona, thirri: “Nëse ndonjë refuzon të pranojë katër Sinodet e Shenjta, njëlloj si katër Ungjijtë, qoftë shkishëruar!”. Pastaj, duke kryesuar ushtrinë e murgjve, përshkoi qytetin duke e forcuar popullin në besim nëpërmjet fjalës dhe mrekullive të tij. E dërguan në internim me urdhër të perandorit, dhe ai mundi të kthehej në manastir 2 vjet më pas, pas ardhjes së Justinit I, i cili favorizoi Orthodhoksinë (518).
Me t’u vendosur paqja, i lumuri vazhdoi të përhapte bekimin e Perëndisë te njerëzit: shëronte sëmundje të pashërueshme, me një kokërr gruri mbushi hambarë të mëdhenj, shëroi shumë gra nga shterpësia, dëboi grumbuj karkalecash, solli shi, çliroi udhëtarë nga rreziqet, paratha 7 vjet më parë tërmetin që do të shkatërronte qytetin e Antiokisë (526). Por, duke mos i llogaritur për asgjë këto hire, ai ngjitej pa pushim te Perëndia, duke u thelluar në përulësi. Një ditë, kur pa se 2 nga dishepujt e tij po grindeshin, u hodh në këmbët e tyre dhe refuzonte të ngrihej, derisa ata të pajtoheshin. Një herë tjetër, kur i ndaloi kungimin një murgu fajtor për një shkelje të rëndë, ky i fundit iu kundërpërgjigj duke i bërë të njëjtin ndalim. Theodhosi u bind, dhe nuk u paraqit për kungim, derisa murgu tërhoqi fjalët e tij.
Në ditët e fundit të jetës, i pikëlluar nga një sëmundje e gjatë dhe e dhimbshme, duroi si Jovi gjithçka me falënderim; refuzonte t’i lutej Perëndisë që të çlirohej dhe nuk e la asnjëherë asketizmin dhe lutjen. Pak para fjetjes së tij, nxiti murgjit të këmbëngulnin në sprova, u premtoi se gjithnjë do të ndërmjetonte në qiell për manastirin e tij; pastaj, si mblodhi gjithë igumenët e Palestinës, i bekoi dhe fjeti më Perëndinë kur ishte 105 vjeç (529). Varrimi i tij u krye me të gjitha nderimet e mundshme nga patriarku, në prani të një turme të madhe murgjish dhe laikësh. Trupi i tij u varros në shpellën e parë ku kishte banuar, në të cilën më pas filluan të kryheshin shumë mrekulli.
Nga të gjitha virtytet e shën Theodhosit, 3 mbetën te dishepujt e tij si trashëgimi e gjallë: asketizmi i ashpër deri në vdekje, shoqëruar me besim të palëkundur; përdëllimi i të varfërve dhe i të sëmurëve; si dhe lutja e lavdërimi sistematik i Perëndisë.
* * * * *
Oshënar Vitali në Gaza.
Pas shumë vitesh jete murgërore në manastirin e ava Seridit (shih 13 gusht), në Gaza (Palestinë), shën Vitali u kthye në qytetin e Aleksandrisë, me qëllim që të punonte për shpëtimin e grave që bënin jetë të shthurur. Merrte vetëm një të dhjetën e shumës që i siguronte puna e dorës, për t’u ushqyer dhe natën shkonte në lagjet e imoralitetit, i ofronte ndonjërës prej këtyre grave pjesën që i mbetej nga shuma, me kusht që të mos jepej më në mëkat, dhe rrinte bashkë me të deri në mëngjes, duke u lutur për shpëtimin e saj. Kur e braktiste, i kërkonte që t’i premtonte se nuk do t’ia tregonte askujt ç’kishte ngjarë. E denoncuan te patriarku i shenjtë, Joan Përdëllimtari (12 nëntor), këtë murg që shkakton skandal duke qëndruar me mëkataret. Por shën Joani nuk mori asnjë masë kundër tij.
Pas vdekjes së Vitalit, një i demonizuar u çlirua, dhe pranë trupit të shenjtit u zbulua një pllakë mbi të cilën qe shkruar: “Banorë të Aleksandrisë, mos gjykoni para kohe, derisa të vijë Dita e Zotit”. Numri i madh i grave me jetë të përdalë, të cilat ishin kthyer falë tij, i bënë të njohura mirëbërjet e tij, dhe qyteti i tërë e nderoi me funeral madhështor.