Dëshmor Abo në Gjeorgji.

Abo (arabisht: atë) ishte një i ri arab nga Bagdadi, kryeqytet i Kalifatit, që në gjysmën e dytë të shekullit të 13-të shtrihej deri në perandorinë e vjetër perse. I rritur në besimin mysliman dhe i mësuar në artin e parfumeve dhe të shkrimeve arabe, hyri në shërbim të princit të Gjeorgjisë, Nersis, i cili ishte i burgosur në Bagdad.

Kur ky i fundit u lirua nga Kalifi i ri (776) dhe mundi të rimerrte mbretërinë e krishterë të Gjeorgjisë, Abo e ndoqi në këtë tokë të largët, mësoi gjuhën, u interesua për kulturën e popullit, por, mbi të gjitha, i prekur nga bukuria e traditave të krishtera, filloi të studionte me zell Shkrimin e Shenjtë dhe dogmat e Kishës. I bindur se në to gjendej e vërteta, nuk mundi të pagëzohej nga frika se mos vritej nga saraçenët dhe jetonte si i krishterë i fshehur.

Pas 3 vjetësh, kur Nersis humbi favoret e Kalifit, Abo e shoqëroi në arratisjen e tij drejt vendit të Khazarëve (në veri të Kaukazit), popull i ashpër dhe luftarak, por që njihte Perëndinë si krijues dhe që i mikpritën. Abo mundi të pagëzohej në emër të Trinisë së Shenjtë dhe të lutej e të kreshmonte lirshëm, duke ndjekur zotërinë e tij në çdo sprovë. Gjatë kreshmës, megjithëse jetoi në qytet, asketizoi në të njëjtën mënyrë si etërit e shkretëtirës, duke nënshtruar kryengritjet e trupit me mendje dhe duke larguar sulmet e demonëve me heshtje e agripni.

Kur Nersis u lejua të hynte përsëri në atdheun e tij, Abo këmbënguli ta shoqëronte dhe do të zbulonte publikisht te miqtë e tij të vjetër kthimin e tij në të krishterë. “Çfarë merite do të kem nëse qëndroj në këtë vend ku nuk ka as rrezik dhe as rast për të vdekur për Krishtin?” thoshte ai. Pasi arritën në Tbilis, rrëfeu hapur besimin e tij të krishterë me gjithë fyerjet e kërcënimet që pati.

Përfundimisht, u ndalua në fund të vitit 785 dhe doli para gjyqit të emirit. E futën në burg, ku, i lidhur me zinxhirë të rëndë, qëndroi 10 ditë në agjërim, lutje dhe adhurim. Në çastin e fundit, pasi lajmëroi shokët e tij se bashkimi me Krishtin ishte i afërt, shiti rrobat e tij dhe kërkoi të digjeshin temjan e qirinj në gjithë kishat e qytetit, me qëllim që të forcohej nga lutjet e Kishës.

Natën e festës së Theofanisë e kaloi duke qëndruar më këmbë dhe, me dy qirinj të ndezur që mbante në dorë, tha: “Ashtu si Zoti Jisu Krisht zbriti në ujërat e Jordanit, i zhveshur për t’u pagëzuar, tani është radha ime të zbres në ujërat e shenjta për t’u pagëzuar me zjarrin dhe Frymën në gjakun tim…”. Lau fytyrën, u vajos me aroma dhe psali: “Le të vrapojmë pas teje në rrjedhën e parfumeve” (Kantiku 1:4).

Pasi u kungua me Misteret e Shenjta, ngushëllonte të krishterët që vajtonin për të dhe shkoi te xhelatët, duke thënë: “Mos vajtoni për mua, por gëzohuni se shkoj drejt Zotit tim”. Kur i hoqën zinxhirët, hoqi tunikën dhe i zhveshur shkoi drejt “pagëzimit” me gëzim e duar të kryqëzuara. E zgjati vetë kokën që t’ia prisnin. Nga frika se mos vinin dhe e nderonin trupin e tij, saraçenët e dogjën dhe mbetjen e hodhën në lumë bashkë me dheun që ishte përzier me gjakun e shenjtit. Një kolonë zjarri u shfaq në vendin e ekzekutimit dhe mbi ujëra; kështu besnikët mundën të nderonin denjësisht lipsanin e tij.

 

* * * * *

Oshënar Gjergj Hozeviti.

Ati ynë i shenjtë Gjergji lindi në mes të shekullit të 6-të, në gji të një familjeje të devotshme qipriote. Pas vdekjes së prindërve, dëshironte të përqafonte jetën asketike dhe, për t’i shpëtuar një martese të imponuar, të përgatitur nga ungji, që e kishte tutor, u largua për në Vendet e Shenjta, për të takuar vëllanë e tij të madh, Iraklidhin, i cili jetonte si eremit që prej shumë vitesh në Lavrën e Kalamonit, në brigjet e Jordanit. Por, duke e parë ende të ri për të bërë këtë lloj jete, i vëllai e drejtoi në Manastirin e Hyjlindëses së Hozevas, në rrugën nga Jerusalemi për në Jeriko, i cili ishte themeluar në shekullin e 5-të nga shën Joani, episkop i Qesarisë (3 tetor). Pasi mori qethjen murgërore, iu besua një jeronti të ashpër dhe të padrejtë, me origjinë nga Mesopotamia; por ai i nënshtrohej me butësi, durim dhe përulësi, si të ishte vetë Zoti.

Një ditë, siç vonoi të sillte ujë nga përroi, jeronti i dha një shuplakë të fuqishme në sy të komunitetit; por menjëherë dora iu tha dhe iu paralizua, dhe iu shërua vetëm kur dishepulli i tij u lut para varrit të shenjtorëve të manastirit. Shën Gjergji u largua për t’i shpëtuar admirimit të njerëzve dhe u kthye në Kalamon, ku për shumë vjet jetoi në po atë qeli dhe në të njëjtën mënyrë si i vëllai, i bindej në çdo gjë dhe e konsideronte më shumë si atë më Perëndinë, sesa si vëlla sipas mishit. Nuk shkëmbenin kurrë ndonjë fjalë të tepërt, këmbëngulnin në lutje dhe ushqeheshin me ushqime të mbetura, që i ruanin për vete, nga java në javë. Për një kohë të shkurtër, lutja e Gjergjit fitoi kaq fuqi para Perëndisë, saqë mund të bënte që pema e thatë të jepte fruta ose t’i afrohej pa frikë një luani të frikshëm. Iraklidhi fjeti në paqe në moshën 70-vjeçare, duke lënë pas reputacionin e një shembulli të përsosur të përulësisë, Gjergji e vazhdoi i vetëm në të njëjtën qeli mënyrën e jetës që bënte, duke qenë i gatshëm për t’u shërbyer vëllezërve në lavër.

Pas fjetjes së igumenit, turbullirat që trazuan komunitetin për zgjedhjen e pasuesit, e shtynë Gjergjin të braktiste Kalamonin dhe të shkonte, me një shenjë nga Perëndia, në manastirin ku ishte qethur, në Hozeva, ku igumeni Leont e priti me gëzim, i dha një qeli më vete dhe i tha të bënte jetën që i përshtatej. I mbyllur gjithë javën dhe duke ruajtur në fshehtësi të plotë punët e tij shpirtërore, i bashkohej vëllazërisë vetëm të dielën, thoshte fjalët e tij të nevojshme për shpirtin dhe priste me kujdes rrëfimin e mendimeve të vëllezërve. Mblidhte ndonjë mbetje të tryezës së përbashkët, i linte të thaheshin në diell dhe i përdorte si ushqim ditët e tjera, duke i njomur me ujë. Me gjithë sulmet e shpeshta të të ligut për ta shpërqendruar, nuk e ndërpreu me asnjë pretekst rregullin e lutjes dhe kurrë nuk nxirrte fjalë pa frymëzimin nga Perëndia, prandaj fitoi pushtet kundër frymëve të papastra.

Ndonëse bënte jetë të mbyllur, ishte i kujdesshëm në shërbimin ndaj vëllezërve dhe, ditën kur zinin bukë, ai merrte përsipër furrën, e cila ishte më e nxehtë se vapa e padurueshme e asaj krahine.

Ishte zhveshur nga çdo frymë gjykimi, vajtonte shpesh për mungesën e zellit dhe të frikës ndaj Perëndisë që kishin murgjit e epokës së tij, krahasuar me jerontët, për çoroditjet e tyre gjatë shërbesave liturgjike, dhe i qortonte murgjit, të cilët, duke u mburrur për vitet e tyre të kaluara në manastir, i trajtonin me përbuzje vëllezërit laikë dhe mëkatarë. “Më besoni, thoshte ai, edhe nëse dikush do ta bënte të ri qiellin dhe tokën, por, për shkak të krenarisë, do të përçmonte të afërmin e tij, puna e tij do të ishte e kotë dhe do ta kishte vendin me hipokritët. Vetëm kur jemi në paqe me të afërmin, mund t’i afrohemi Perëndisë. Mëkatet dhe pasionet kanë si burim të përbashkët krenarinë dhe të çojnë në vdekje; ndërsa bindja dhe nënshtrimi ndaj Zotit janë jetë, gëzim dhe dritë”. U mësonte murgjve të tij të çliroheshin nga pasionet me anë të frikës së Perëndisë, e dëftuar në luftën, lotët, lutjen dhe kreshmën, dhe i nxiste në garë për përulësi, duke u ruajtur nga çdo gjykim ose smirë kundrejt njëri-tjetrit, që të arrinin në dashurinë e shenjtë, e cila është bashkëlidhja e përsosmërisë (Kol. 3.14).

Në prag të pushtimit pers të vitit 614, shenjti paratha, sipas një vizioni, marrjen e Jerikosë dhe të fronit të Jerusalemit. Igumeni dhe vëllezërit patën kohë të arratiseshin: disa në Arabi, të tjerë në shpella; sa për të, ai nuk donte të braktiste vendin ku Perëndia e kishte vendosur. Me këmbënguljen e dishepullit, ai pranoi më në fund të strehohej në Kalamon. Shumica e murgjve u pikasën nga pushtuesit, u masakruan apo u dërguan si robër; shën Gjergji bëri që barbarët të kishin respekt për të, ndaj e liruan. U kthye në Hozeva ku, deri në fund të jetës, jetoi i mbyllur në manastir. Atje i shërbente dishepulli i tij besnik dhe biografi, Andoni.

Falë lutjeve të tij, manastirit kurrë nuk i mungoi buka dhe vaji për vizitorët që i vinin, megjithëse ishte kohë krize dhe mjerimi, që pasoi marrjen e Qytetit të Shenjtë. Në moshë të madhe u sëmur dhe, kur ndjeu çastin që do të largohej nga kjo botë, thirri Andonin. Ky ishte në shërbim të vizitorëve dhe nuk mundi dot të kthehej. Jeronti i tha: “Mos u turbullo, do të pres derisa të mbarosh shërbimin”. Rreth mesnatës, kur nxënësi mbërriti, e përqafoi dhe i tha: “Dil shpirti im! Shko drejt Zotit!”. Dhe fjeti.

 

* * * * *

Shën Domnika

Shën Domnika lindi në Kartagjenë të Afrikës. Në vitin 384, në kohën e perandorit Theodhosi i Madh dhe të patriarkut Nektar, Domnika erdhi në Konstandinopojë me 40 bashkmoshatarë të saj. Sapo e njohu Domnikën, patriarku dalloi predispozicionin e saj të mirë dhe e pagëzoi. Pak kohë më vonë e bëri edhe murgeshë.

Në jetën murgërore ajo u dallua menjëherë për besimin, zellin, përkushtimin, ofrimin dhe kryesisht pastërtinë e shpirtit, duke dëshmuar me jetën e saj fjalët e Zotit tonë, që thotë: “Jeni tashmë të pastër. Fjala e së vërtetës, të cilën ju mësova, ajo ju pastroi” (Jn. 10:3). Pastërtia morale e Domnikës, si dhe përulësia e saj e admirueshme e rreshtuan në rreshtat e shenjtorëve.