– Mbledhja për Joan Pagëzorin, Pararendësin –

Ashtu siç e ka zakon, pas disa festave të mëdha të Zotit dhe të Hyjlindëses, në ditën e dytë të Theofanisë Kisha nderon shën Joan Pararendësin, të cilin e lavdëron si më të madhin ndër profetët, më të lartin ndër bijtë e grave, zërin e Fjalës, lajmëtarin e Hirit, dallëndyshen lajmëtare të pranverës shpirtërore, pishtarin dhe kandilin e dritës hyjnore, agimin shpirtëror që shpall Diellin e Drejtësisë, si engjëll tokësor dhe njeri qiellor që qëndron mes qiellit dhe tokës dhe që bashkon Dhiatën e Vjetër me atë të Re.

I dërguar nga Perëndia si zëri në shkretëtirë, për të shpallur dhe për të përgatitur ardhjen e Krishtit, Joani i jep fund misionit të tij duke pagëzuar Zotin në Jordan: “Ky pra, gëzimi im u mbush. Ai duhet të shtohet dhe unë të pakësohem…” (Joan 3.30). Megjithatë, pas shfaqjes së Hirit dhe vdekjes së tij si martir, shën Joan Pagëzori vazhdon të jetë për të krishterët, në kuptimin shpirtëror, Pararendësi i Krishtit.

Shembull i vetëpërmbajtjes, i virgjërisë, i jetës së pendimit dhe i pastrimit të pasioneve nëpërmjet asketizmit dhe lutjes, nismëtari i jetës murgërore dhe i qëndrimit në shkretëtirë, ai nuk resht së na përgatituri udhën për te Zoti. Duke ndjekur mesazhin e tij për pendim dhe për kthim, mund të përgatitemi për Pagëzimin e shenjtë dhe, duke imituar, pas ndriçimit, mënyrën e shenjtë të jetës së tij në shkretëtirë, mund të ruajmë Hirin dhe ta shtojmë pa pushim, derisa Krishti të banojë te ne në tërë madhështinë e Ngjalljes së Tij.

* * * * *

– Dëshmor i ri Athanasi në Izmir –

Ishte nga Atalia dhe jetonte në Smirnë, ku kishte kontakte të shpeshta me turqit. Duronte përçmimin dhe fyerjet e tyre. Një ditë, pa bërë kujdes, i shpëtoi nga goja një dhoksologji e famshme myslimane.

Kur e dëgjuan, turqit u sulën drejt tij dhe e çuan me bujë para gjykatës, duke deklaruar se ai do përqafonte fenë myslimane. Por shenjti u mbrojt me forcë, duke u shpjeguar se ishte thjesht një formulë e përgjithshme lavdërimi e Perëndisë dhe se s’kishte qëllim aspak të braktiste besimin e etërve të tij.

E burgosën si apostat dhe, pas shumë pyetjesh, e rrahën me shkopinj, si dhe i bënë shumë tortura të tjera. Por, meqenëse nuk dorëzohej, ia prenë kokën dhe ia hodhën qenve. Këto kafshë, që e kishin zakon të përpinin kufomat që u hidhnin, patën respekt për kokën e shenjtit, aq sa tri ditë më vonë, të krishterë të devotshëm arritën ta varrosnin me nderime.