Profeti Malakia.

Emri Malakia nënkupton “engjëlli im, lajmëtari im”. Vinte nga fisi i Zabulonit (sipas të tjerëve, nga Levi). Ishte ende i ri kur u bë kthimi i judenjve të Babilonisë dhe mori pjesë në reformën fetare të Esdrës dhe të Nehemisë, si dhe në rindërtimin e Tempullit (rreth 450).

Por shumë shpejt, priftërinjtë filluan të kryenin ritualet e tyre me përtesë. I shkelën sërish porositë e Ligjit dhe zakonet u degraduan; atëherë Zoti dërgoi Malakinë, të fundmin e profetëve të Tij të vegjël, për t’i lajmëruar se së shpejti do t’i jepte fund priftërisë së pabesë hebraike dhe se Engjëlli i Dhiatës së Re (3.1), Dielli i Drejtësisë (3.20), d.m.th. Krishti, do të vinte për të përuruar një priftëri të re dhe të përjetshme. “Ja, unë po ju dërgoj lajmëtarin tim, për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e tij, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me ëndje, ja, do të vijë” (3.1).

Blatat dhe sakrificat e papërsosura do t’ia lënë vendin Sakrificës unike dhe të përsosur të Eukaristisë, e cila bashkon te Perëndia hebrenj dhe johebrenj: “Sepse, që nga lind dielli dhe deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve dhe në çdo vend do t’i ofrohet temjan emrit tim dhe një blatim i pastër, sepse emri im do të jetë i madh midis kombeve” (1.11).

Kjo ditë e madhe dhe e frikshme e ardhjes së Mesisë, shoqëruar me zjarr të padurueshëm për të pabesët, do të përgatitet me ardhjen e Pararendësit: “Ja tek po dërgoj lajmëtarin tim, që të hapë udhën para meje” (3.1). Kështu u profetizua qartë ardhja e shën Joan Pagëzorit (përmendur nga Krishti te Mattheu 11.10), që do të vijë e do të ecë para Tij (Krishtit), me frymën dhe fuqinë e Ilias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë” (Mal. 3.23-24, cituar te fjalët që Kryeengjëlli Gabriel i tha Zaharisë: Lluk. 1.17).

* * * * *

Oshënare Gjenovefa në Paris.

Shën Gjenovefa lindi rreth vitit 422 në fshatin Nanter, afër Parisit. I ati quhej Sever dhe ishte bari, ndërsa e ëma Gerontia. Tradita tregon se kur shenjtorja ishte 7 vjeçe, shën Gjermani i Okserit bashkë me shën Lupin e Trojës (tek po shkonin në Angli për të luftuar herezinë e Pelagjit), kaluan natën në Nanter. Të dy episkopët e shenjtë mbërritën aty me vështirësi, pasi një grup shumë i madh njerëzish u kërkonin bekimin. Këtu ishte dhe Gjenovefa me prindërit e saj. Shën Gjermani e dalloi nga mëshira dhe butësia engjëllore e tipareve të saj.

Tradita shton se fryma e Perëndisë i dha episkopit një ndriçim të menjëhershëm dhe i zbuloi vajzës misionin e saj në të ardhmen. Gjenovefa, pasi iu afrua së bashku me prindërit, i tha se do t’i përkushtohej Perëndisë. Episkopi ia dha bekimin për këtë rrugë, pastaj e çoi në kishë, i shoqëruar nga i gjithë populli. Gjatë këndimit të psalmeve dhe të lutjeve ai e mbajti dorën të shtrirë mbi kokën e vajzës dhe vazhdoi kështu deri në drekë, derisa i ati t’i premtonte vogëlushes se do ta sillte të nesërmen përsëri, para se ata të largoheshin. Të nesërmen prindërit e shpunë vajzën e tyre tek episkopi në orën e caktuar.

Shën Gjermani e pyeti vajzën nëse i kujtohej premtimi që kishte bërë dje para Perëndisë. “Po, – u përgjigj vajza, – më kujtohet dhe shpresoj të jem besnike me ndihmën e Hirit”. Episkopi i dha një medaljon bakri, ku ishte gdhendur një kryq dhe e këshilloi ta mbante gjithmonë në qafë, që të kujtohej vazhdimisht për përkushtimin ndaj Perëndisë. Që nga ai çast Gjenovefa e pa veten të ndarë nga bota dhe, megjithëse ishte shumë e re në moshë, ajo pati zell për t’u ushtruar në vepra bamirësie. E ndiente veten shumë të lumtur kur shkonte në kishë. Tradita na tregon, në lidhje me këtë, historinë e mëposhtme:

“Një ditë, kur nëna e saj shkoi në kishë, nuk e mori me vete vajzën. Gjenovefa, plot dhimbje, i kërkoi ta shoqëronte, por të gjitha këto nuk vlenin, madje nëna e paduruar i dha një shuplakë. Perëndia e dënoi këtë qëndrim me verbëri, pra nëna u verbua, por iu premtua më pas se do të shërohej, duke larë dy ose tri herë sytë me ujin që vajza kishte nxjerrë nga pusi, mbi të cilin kishte bërë shenjën e kryqit. Më vonë nëna e saj u shërua dhe kjo shënoi mrekullinë e parë të Gjenovefës. Kjo është dhe origjina e traditës popullore të pusit në Nanter, i bekuar nga shën Gjenovefa dhe që shëron sëmundje”.

Pas vdekjes së prindërve, shkoi në Paris dhe qëndroi te kumbara e saj; atje bëri jetë edhe më asketike. Nga këto ushtrime fitoi pastërti, përulësi të thellë, besim të gjallë, dashuri të zjarrtë, të cilat e bënë të derdhte rrëke lotësh. Shenjtëria e madhe e Gjenovefës bëri që shumë njerëz ta kishin zili dhe ta përgojonin, por pafajësia e saj u njoh nga të gjithë. Atila, mbreti i hunëve, hyri në Francë me një ushtri, duke shkretuar e prishur çdo vend ku shkelte. Shumica e historive të kësaj periudhe dëshmojnë për përshtypjen e keqe që la në mendjen e popullit plaçkitja dhe barbaria e tij. Zhurma e mbërritjes së tij alarmoi Parisin; banorët, të cilët nuk kishin siguri në qytete, braktisën gjithçka.

Gjenovefa, e shqetësuar nga ky rrezik, me besim të fortë e të patundur te Perëndia, lajmëroi se armiku do të largohej nëse parisianët do të kreshmonin e do të luteshin. Nxiti njerëzit që të mos largoheshin dhe filloi të lutej nxehtësisht. Dhe, për çudi, hunët ndryshuan drejtim. Parisi u shpëtua, dhe që atëherë shën Gjenovefa filloi të nderohej çdo ditë e më shumë si mbrojtësja e qytetit.

Më vonë, kur Parisi udhëhiqej nga Shilderiku, populli u kërcënua nga uria. Gjenovefa ishte në krye të atyre që shkuan me një flotë varkash që të kërkonin ushqim dhe, me gjithë rreziqet e lundrimit, i shoqëroi deri në Arsis-syr-Ob, ku u furnizuan me grurë, të cilin ua shpërndau gjithë banorëve, duke filluar nga më të varfrit. Shilderiku, megjithëse ishte pagan, e nderoi virtytin e shenjtores dhe me lutjet e saj kreu shumë vepra bamirësie. U imitua nga i biri Klovis, i cili lironte të burgosurit sa herë që e lumura ndërmjetonte për ta.

Ndihmoi me këshillat e saj qeverisjen e mbretit Klovis, madje ishte krahu i tij i djathtë. Te disa autorë gjejmë edhe këtë shprehje: “Shën Gjenovefa ishte engjëlli mbrojtës i Klovisit”. Prej saj ky i fundit u pagëzua dhe kjo ngjarje pati rëndësi për përhapjen e Krishterimit në Perëndim. Në moshën 89-vjeçare, pasi kishte bërë çdo lloj vepre bamirësie, shën Gjenovefa fjeti më 3 janar 512, 5 javë pas Klovisit, mbretit të parë të krishterë. Ajo është kujtuar gjithmonë si mbrojtësja e Parisit.

Më 1129, nën mbretërimin e Lyi-lë-Gro-it, një sëmundje e tmerrshme po bënte kërdinë. Me gjithë mjekimet dhe lutjet publike, epidemia vazhdonte dhe me shpresën për ta ndaluar u bë një procesion solemn, ku eshtrat e shën Gjenovefës u çuan në katedrale. Që nga ajo kohë kjo ceremoni mbahej për çdo fatkeqësi publike. Shenjtorja quhet mbrojtësja e Parisit, sepse ka shpëtuar qytetin nga përmbytjet, sëmundjet, epidemitë, zitë e bukës dhe vazhdon ta mbrojë përherë. Për fat të keq, gjatë Revolucionit francez më 1789, lipsanet e saj u dogjën dhe u hodhën në lumin Sena nga revolucionarët, por disa pjesë gjenden ende sot në Panteon.