Kremtimi i gëzueshëm festiv i lindjes Së Zotit tonë Jisu Krisht në Tiranë.

 

Atmosfera festive që krijon Krishtlindja, plot dritë e gëzim, ndihet që më parë, në shërbesat e kësaj periudhe, si Efqelia, Shërbesa e Orëve, Vigjilja etj, kohë në të cilën besimtarët e krishterë kreshmojnë për 40 ditë dhe intensifikojnë përpjekjet shpirtërore.

Të gjithë qytetet, rrugët, sheshet, lokalet dhe gjithçka përreth veshin që herët petkun festiv. Të shumta janë edhe veprimtaritë me fëmijët dhe të rinjtë orthodhoksë, veçanërisht Kolendrat, si dhe veprimtaritë bamirëse, vizitat e dhuratat në shtëpitë e të moshuarve, në burgje, në qendrat e fëmijëve me aftësi ndryshe etj.

Të gjitha kulmuan me shkëlqimin dhe harenë që sjell data 25 dhjetor, dita e Lindjes së Shpëtimtarit, Zotit tonë Jisu Krisht, Fjalës së Përjetshme të Perëndisë që u bë njeri për shpëtimin tonë.

Që herët në mëngjes kremtimi nisi me Mëngjesoren dhe Liturgjinë Hyjnore festive të Shën Vasilit, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë. Kryepiskopi Anastas bashkëmeshoi me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin; Episkopin e Bylisit, Astin dhe klerikë të kryeqytetit.

Për këdo që nuk pati mundësi të jetë prezent në Liturgji, shërbesat e plota u transmetuan drejtpërdrejt në Televizionin Publik, por edhe në lidhjet e drejtpërdrejta dhe kronikat e disa televizioneve private.

Mesazhi i Krishtlindjes i Kryepiskopit Anastas, i cili u lexua nga Hirësi Nathanaili dhe Hirësi Asti, kishte temën: “Durim plot shpresë”. Ndër të tjera, në të thuhej:

“Durimi plot shpresë që buron gjatë Krishtlindjes nuk është dobësi, përkundrazi, është një fuqi mistike. Ai shndërron edhe hidhërimet dhe dobësitë më të mëdha të kësaj jete, duke forcuar rezistencën, shpirtin luftarak, qëndresën cilësore, përkrahjen e së vërtetës dhe të drejtësisë. Apostull Pavli, nga përvoja vetjake, na siguron: ‘… e dimë që vuajtja sjell durimin, durimi sjell sprovën dhe sprova sjell shpresën. Shpresa nuk na turpëron’ (Rom. 5:3-5). Nëpërmjet durimit, njeriu shpirtëror i përdor më mirë fuqitë e tij mendore dhe ndjesore. Durimi, bashkë me këmbënguljen e heshtur, hap shtigje kalimi për marrëdhëniet e ndryshme njerëzore pa rrugëdalje, për vështirësitë shëndetësore, varfërinë dhe trazirat sociale. E udhëheq jetën njerëzore drejt pjekurisë, se “duhet të duroni deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë” (Jak. 1:4)”.

 


 

Foto Album:

 

Kremtimi i gëzueshëm festiv i lindjes Së Zotit tonë Jisu Krisht.