– Apostulli – Hebrenjve 11:9-10, 32-40.
Me anë të besimit shkoi e banoi në tokën e premtuar si në tokë të huaj, edhe banoi në tenda, bashkë me Isakun e me Jakovin bashkëtrashëgimtarët e po atij premtimi; sepse priste qytetin që kishte themele, mjeshtër edhe krijues i të cilit është Perëndia.
Edhe ç’të them më? Sepse nuk do të më arrijë koha të tregoj për Gedeonin, për Barakun e Samsonin, edhe Jeftaenë, për Davidin e Samuilin dhe profetët, të cilët me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve. Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpate; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime, ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.
Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin, sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne.