APOSTULLI – Hebrenjve 5:11-6:8
Kemi shumë gjëra për të thënë, edhe të vështira për t’u shpjeguar, meqenëse jeni bërë të plogësht në dëgjim. Sepse, ndonëse pas kaq kohësh duhej të ishit mësues, përsëri keni nevojë që ndonjë t’ju mësojë juve parimet elementare të thënieve të Perëndisë; edhe keni arritur të keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë. Sepse kushdo që ushqehet me qumësht, është i papërvojë në fjalët e drejtësisë, sepse është një foshnje. Po ushqimi i fortë është për të rritur, të cilët meqenëse janë mësuar kështu, i kanë ndjenjat e tyre të stërvitura për të dalluar të mirën e të ligën.
Prandaj si të lëmë mësimin fillestar të Krishtit, le t’i drejtohemi përsosmërisë, pa vënë përsëri themel pendimi nga punë të vdekura dhe të besimit tek Perëndia, të mësimit për pagëzime, e për vënien e duarve, e ngjalljen e të vdekurve, e për gjyqin e përjetshëm. Edhe këtë do ta bëjmë, në lejoftë Perëndia.
Sepse është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë dhe ndjenë shijen e dhuratës qiellore, edhe u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë, edhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë, edhe të fuqive të jetës së ardhme, edhe pastaj u rrëzuan, të përtërihen përsëri në pendim; sepse kryqëzojnë përsëri në veten e tyre të Birin e Perëndisë, edhe e turpërojnë. Sepse toka që pi shiun që bie shumë herë mbi të, edhe prodhon barëra të dobishme për ata, për të cilët edhe punohet, merr bekim nga Perëndia. Po në nxjerrtë driza e gjemba, është e pavlefshme dhe afër mallkimit, fundi i së cilës është të digjet.