– Hierodëshmor Ignat Hyjmbajtësi –
Dishepull i apostujve, atë i episkopëve, luftëtar i guximshëm që u lëshua i pari nën kohortën e martirëve fitimtarë, shën Ignati mori një kurorë të trefishtë dhe tani ndriçon me një shkëlqim të madh në qiellin e miqve të Perëndisë.
Sipas emrit të tij që është zjarr (ignis në latinisht do të thotë zjarr), dashuria e Perëndisë ishte tek ai në një shkallë aq të madhe, saqë ai u quajt Theofor, Hyjmbajtës, një fjalë që ai nuk hezitonte ta përdorte për veten, pa u mburrur aspak, sepse të gjithë të krishterët, pas pagëzimit të tyre, janë bërë Kristoforë, Krishtmbajtës dhe janë veshur me Shpirtin e Shenjtë (të krishterët janë hagioforë, pneumatoforë, d.m.th. shpirtmbajtës, na thonë Etërit e shenjtë të Kishës).
Në rininë e tij, Ignati njohu apostujt dhe u fut në misteret më të thella të Besimit nga shën Joan Theologu, në shoqërinë e shën Polikarpit. Ai pasoi Evodin, si episkop i Antiokisë, kryeqyteti i Sirisë dhe qyteti më i rëndësishëm i mbarë Lindjes, froni episkopal i së cilës u themelua nga apostull Petroja. Gjatë persekutimit të Domicianit (81-96), shën Ignati inkurajoi konfesorë të shumtë që të përbuznin torturat dhe sprovat që zgjatin për pak kohë për të fituar jetën e përjetshme. Ai vizitonte të krishterët nëpër burgje, i ngushëllonte dhe u transmetonte zellin që ai provonte vetë, për t’u bashkuar përfundimisht me Krishtin me anë të imitimit të vdekjes së Tij. Por atëherë nuk e arrestuan dhe, kur u ndërprenë përndjekjet, episkopi i patrembur u hidhërua që nuk u thirr nga Perëndia për t’u bërë një dishepull i vërtetë sipas masës së përsosmërisë.
Gjatë viteve të paqes që pasoi, apostujt tashmë ishin larguar nga kjo jetë, prandaj episkopi i Antiokisë u përpoq t’i jepte Kishës bazat e organizimit të saj dhe tregoi se si Hiri, i zbritur mbi apostujt në ditën e Pentikostisë, banon dhe vazhdon të veprojë përgjatë shërbesës episkopale.
Nga Antiokia e Madhe, zëri i tij plot autoritet u dëgjua në të gjitha Kishat që atëherë ishin komunitete të vogla lokale duke i nxitur ato të qëndronin në unitetin dhe dashurinë rreth episkopit, që është ikona tokësore e të vetmit Episkop të vërtetë dhe Priftit të Madh, Jisu Krishtit. Të bashkuar në mënyrë të pandarë me Shpëtimtarin e kryqëzuar dhe të ngjallur, besimtarët duhet të përbashkohen rreth episkopit të tyre e rreth rreshtit të priftërinjve e dhjakëve, sa më shpesh që munden në mënyrë të veçantë ditën e diel, ditën e Zotit për të celebruar së bashku Eukaristinë Hyjnore, “duke thyer të njëjtën bukë, që është ilaç i përjetësisë dhe antidot për të mos vdekur, por për të jetuar përherë në Krishtin” (Letra drejtuar Efesianëve 20). Atje ku është episkopi, thoshte ai, atje është Jisu Krishti, atje është Kisha katholike (universale), siguria e jetës së përjetshme, siguria e kungimit me Perëndinë. Prandaj nuk ka veçse një asamble të vetme eukaristike legjitime: ajo që përmbushet prej Kishës, në unitetin e besimit përreth episkopit ose të përfaqësuesit të tij (Letrën drejtuar Smirneasve 8:2).
Kur kjo mbledhje përfundon, të krishterët duhet të shfaqin në jetën e tyre, në sjellje, së bashku dhe me botën që i rrethon, në ndjenjat dhe në mendimet e tyre, të njëjtën harmoni dhe akordim harmonik njësoj si kordat e akorduara mirë të një lire, që t’i këndojnë “me një zë të vetëm, nëpërmjet Jisu Krishtit, një himn lavdërimi Atit” (Efes. 4). “Jini të bashkuar me episkopin i porosit ai efesianët, si Kisha është me Jisu Krishtin e Jisu Krishti me Atin, me qëllim që të gjitha gjërat të jenë në në një mendje me përjetësinë”. Përtej urrejtjes dhe zënkave, ai i nxit të shmangin ndarjet e të gjitha llojeve, “si fillesat e të gjitha të këqijave” (Smirneasve 7). Kështu, të forcuar në një mendje të vetme dhe në dashurinë e ndërsjellë, e Vërteta do të mbetet tek ata dhe Kisha, si një qytet qiellor, do të qëndrojë e pastër dhe e paarritshme nga ndotjet e herezive.
Ashtu si apostull Pavli, shën Ignati bëri të ditur në këtë mënyrë parimet e pandryshuara, të palëkundura, të cilat lidhen me vetë natyrën e Kishës, institucionin e episkopit, rolin e mbledhjes eukaristike, raportin midis Kishës lokale dhe asaj Katholike, të gjitha gjërat që e bëjnë Kishën e Shenjtë të thotë: “Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar” (Ps. 44:15).
Perandori Trajan u ngjit në fron në vitin 98 dhe si fillim i la të krishterët të jetonin në paqe, meqë ishte i shqetësuar nga lufta që i duhej të bënte kundër barbarëve. Por, në vazhdim të fitoreve të tij kundër skithëve dhe dakëve, ai vendosi të nënshtronte të gjitha subjektet e perandorisë së tij ndaj kultit të idhujve dhe të perandorit, nën dënimin e vdekjes.
Në vitin 113, ai ndërmori një fushatë në drejtim të Armenisë dhe Parthisë dhe, gjatë rrugës, ndaloi për pak kohë në Antiokinë e shkëlqyeshme. Aty shpalli një persekutim të egër kundër të krishterëve më të rëndësishëm të qytetit. Duke ndier se kishte mbërritur momenti i shumëdëshiruar, shën Ignati u paraqit vetë përpara perandorit dhe iu përgjigj me guxim pyetjeve të tij. Ai pohoi Perëndinë, Krijuesin dhe Mikun e njerëzve, dhe Birin e Tij të Vetëm, Jisu Krishtin, dhe nuk pati frikë të tallej me supersticionet e këtij sovrani të fuqishëm, që u lutej qenieve të kota dhe të rreme për të mbrojtur ushtritë e tij. Trajani e pyeti i zemëruar: “Ti je dishepulli i të kryqëzuarit në kohën e Pont Pilatit?”. “Unë jam nxënësi i Atij që ka kryqëzuar mëkatin tim mbi Kryq dhe që ka shkelur djallin dhe intrigat” – iu përgjigj shenjtori. “Përse të quajnë Theofor?”. – “Sepse mbaj përbrenda meje Krishtin e gjallë!”. – “Ai që mban të Kryqëzuarin duhet të çohet në Romë i lidhur me zinxhirë dhe aty t’u jepet si ushqim luanëve për të zbavitur popullin” tha perandori.
Shërbëtori i Perëndisë, i mbushur plot me gëzim, puthi nxehtësisht zinxhirët e rëndë me të cilët e kishin lidhur, duke i quajtur ato “perlat e mia shpirtërore më të çmuara”, zinxhirë të dëshiruar fort që i dhanë jetën në Krishtin, sipas shembullit të apostull Pavlit dhe shumë martirëve të tjerë të shenjtë. Pasi i dha lamtumirën Kishës së tij, ai u nis më këmbë, bashkë me të burgosur të tjerë, nën shoqërinë e truprojës së përbërë nga 10 ushtarë mizorë e të paepur, “leopardë” të vërtetë, i quan ai, të cilët i dërrmonin me goditje të panumërta, gjë që solli vetëm një rezultat: i shtoi gëzim më tepër zellit të tij.
Ata u larguan nga Antiokia, dhe më pas me shumë mundime, herë duke udhëtuar nëpër det dhe herë në tokë, arritën deri në Smirnë, ku Ignati u prit me shumë nderime nga bashkëdishepulli i tij, shën Polikarpi, episkop i qytetit. Aty u takua edhe me të dërguarit e qyteteve të tjera: me episkopin e Efesit, Onesimin, me atë të Magnesisë, Dhimas, dhe me episkopin e Tralesit, Polibin. Duke u dhënë mësimet e tij të fundit dhe duke i mësuar të imitonin ëmbëlsinë e Zotit tonë Jisu Krisht në përndjekje, ai u transmetoi gëzimin dhe dëshirën e tij për të gjetur sa më shpejt përsosmërinë e martirizimit. Këtë e bëri aq mirë, saqë ata u përshëndetën me të jo si me një të dënuar me vdekje, por si me një atlet që tashmë kishte triumfuar, si një udhëtar që po nisej drejt qiellit. Prej aty, shën Ignati u dërgonte letra të admirueshme të krishterëve të Kishave të Azisë së Vogël, për t’i forcuar në besë, për t’i këshilluar që të ruheshin prej herezive, duke qëndruar të bashkuar rreth episkopëve dhe priftërinjve në një mbledhje të vetme eukaristike dhe për t’u transmetuar entuziazmin e tij.
Pasi mësoi se të krishterët e Romës u orvatën ta shpëtonin prej ekzekutimit, ai u shkroi një letër për të përmbajtur zellin e tyre jo të matur dhe për t’i lutur që të mos ndërhynin. “Tani kam filluar të jem një dishepull… Dëshira ime trupore është kryqëzuar dhe nuk ka më zjarr tek unë për të dashur materien, por një ujë të gjallë që murmurin brenda meje dhe thotë: “Eja drejt Atit” (Letra për romakët 7).
Dashuria e Perëndisë gufonte deri në atë pikë përbrenda tij, saqë i frymëzoi këto fjalë të zjarrta: “Më falni vëllezër, mos më pengoni të jetoj, mos dëshironi që të vdes, më lejoni të jem një imitues i pësimit të Perëndisë tim… Më lini të më hanë kafshët, me anë të të cilave do të arrij të gjej Perëndinë. Unë jam brumi i Zotit dhe dua të vdes nga dhëmbët e bishave, që të bëhem një bukë e pastër e Krishtit”. Të bëhej sipas imazhit të Krishtit, një bukë eukaristike, që të celebronte me anë të vetes së tij Liturgjinë e vërtetë dhe të përsosur, kjo ishte dëshira e hierarkut të shenjtë.
Kortezhi ndaloi në Troadë, ku Ignati mësoi me gëzim se persekutimi në Antioki kishte përfunduar. Ai u shkroi Kishave që të dërgonin përfaqësues për të gëzuar bashkë me bijtë e tij shpirtërorë dhe ia besoi Polikarpit kujdesin e Kishës së tij.
Më në fund, pas shumë peripecish, shenjtori mbërriti në Romë. Atje u prit nga besimtarët e kryeqytetit me një atmosferë ku lotët e trishtimit dhe të ankthit i bashkoheshin gëzimit se po prisnin këtë yll të ardhur nga Lindja, i cili kishte përshkuar botën për të ardhur në Perëndim, që të perëndonte. Kur mbërriti momenti i ekzekutimit, shën Ignati hyri në arenë sikur po ecte drejt Altarit të shenjtë për të kryer Liturgjinë e tij të fundit, përpara besimtarëve të përzier midis paganëve në shkallët e amfiteatrit. Tashmë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, episkop dhe nxënës i Priftit të Madh, Shpëtimtarit tonë, Jisu Krishtit, në të njëjtën kohë prift dhe therore, ai ia ofroi veten me gëzim luanëve të egër, që u sulën përmbi të dhe e gllabëruan në pak çaste, duke i lënë vetëm eshtrat e mëdha. Besimtarët i morën këto lipsane të vyera me shumë nderim dhe i sollën me madhështi në Antioki. Gjatë gjithë rrugës, të krishterët i përshëndetnin, njësoj sikur bariu të kthehej te grigja e tij i gjallë dhe triumfues.
* * * * *
– Oshënar Filogoni i Antiokisë –
Shën Filogoni, duke qenë i pajisur nga Perëndia me aftësi të mëdha natyrore dhe me besim të madh, fitoi një njohje të plotë në të gjitha fushat e dijes dhe, pasi u bë avokat, e vuri shkencën dhe elokuencën e tij në shërbim të të afërmit. I martuar dhe babai i një vajze të vogël, ai jetonte në përkorje dhe dëlirësi, duke i kaluar ditët në gjykatore për të mbrojtur çështjen e të pafajshmëve dhe për të ndihmuar të shtypurit.
Shenjti shkëlqeu në këtë mënyrë aq shumë me anë të virtyteve të tij, saqë u zgjodh me një shenjë nga Perëndia, për të qenë kryepiskop i Antiokisë së Madhe dhe që të ndërmjetonte me anë të lutjes dhe kujdesjes së tij baritore pranë Gjykatësit qiellor, për shpëtimin e deleve të Tij. Edhe pse persekutimi kishte mbaruar, kur ai u ngjit në fron situata në Kishë ishte ende delikate (314), sepse herezia arianiste që kishte lindur po shkaktonte shumë shqetësime.
Kështu u detyrua të luftonte pareshtur për ruajtjen e unitetit dhe forcimin e së vërtetës. Në fund të një jete të tillë qiellore, pasi kishte kullotur me urtësi grigjën e tij shpirtërore, e dha shpirtin e tij te Zotit në vitin 324.
Menjëherë pas vdekjes së tij, u mblodh një sinod episkopësh në Antioki për të zgjedhur pasuesin e tij, shën Efstathin, dhe për të shpallur në mënyrë të padiskutueshme besimin orthodhoks në Krishtin, Fjalën e përjetshme të pakrijuar dhe Birin e Vetëmlindur të Atit, duke përgatitur në këtë mënyrë veprën e Sinodit të madh e të shenjtë Ekumenik të Nikesë.