– Ungjilli – Marku 9:42-10:1.
Edhe kush të skandalizojë një nga këta të vegjlit që besojnë tek unë, është më mirë për atë, t’i vihet një gur mulliri rreth qafës së tij, edhe të hidhet në det.
Edhe në të skandalizoftë dora jote, preje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një dorë, se duke pasur të dy duart të shkosh në gjehenë, në zjarr të pashuar, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
Edhe në të skandalizoftë ty këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë, se duke pasur të dy këmbët të hidhesh në gjehenë, në zjarr të pashuar, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, se duke pasur dy sy të shkosh në gjehenë të zjarrit, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet, edhe çdo theror me kripë do të kripet. E mirë është kripa, po në u bëftë kripa e pakripë, me se do ta ndreqni? Kini kripë në veten tuaj dhe paqe njëri me tjetrin.
Edhe si u ngrit andej, vjen në kufijtë e Judesë, në anën e përtejme të Jordanit, edhe prapë turma shkojnë bashkë tek ai, edhe siç e kishte zakon, përsëri i mësonte.