– Apostulli – Hebrenjve 3:5-11, 17-19.
Edhe Moisiu qe besnik në gjithë shtëpinë e atij si shërbëtor, për dëshmi të atyre gjërave që do të fliteshin, por Krishti, si bir mbi shtëpinë e tij, shtëpia e të cilit jemi ne, nëse mbajmë fort guximin dhe mburrjen e shpresës deri në fund.
Prandaj, siç thotë Fryma e Shenjtë: “Sot në dëgjofsh zërin e atij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në hidhërimin, në ditën e ngasjes në shkretëtirë, ku etërit tuaj më nganë dhe më vunë në provë, edhe panë punët e mia dyzet vjet. Prandaj u zemërova me atë brez, edhe thashë: Përherë gënjehen në zemrën e tyre; edhe ata nuk i njohën udhët e mia. Prandaj u betova në zemërimin tim: S’kanë për të hyrë në prehjen time”.
Edhe me cilët u zemërua dyzet vjet? Vallë jo me ata që mëkatuan, të cilëve u ranë eshtrat në shkretëtirë? Edhe për cilët u betua se nuk do të hynin në prehjen e atij, veç se për ata që s’bindeshin? Edhe shohim se për pabesinë nuk mundën të hyjnë.