* * * * *

– Dëshmor Sebastiani etj. –

Ky martir i lavdishëm i Krishtit ishte pinjolli i një familjeje të njohur të Milanos. Aftësitë e tij të mëdha bënë që të fitonte favoret e perandorit Dioklecian, i cili e emëroi gjeneral të gardës së tij. Me gjithë nderet dhe jetën e shthurur të oborrit, Sebastiani, në fshehtësi, ishte dishepull i Krishtit dhe përfitonte nga privilegjet e tij për t’i bërë vizitë të krishterëve të mbyllur në burg, për t’i ngushëlluar dhe për t’i inkurajuar që të kryenin martirizimin e tyre deri në fund.

Disa të rinj romakë të rangut të lartë, Marku dhe Markeliani, u arrestuan me urdhër të prefektit Kromaci, i cili i nënshtroi në të gjitha llojet e torturave, para se t’i dënonte me vdekje. Gjatë muajit që i parapriu datës së caktuar, dy luftëtarët e Zotit u vunë në një provë edhe më të frikshme: lotët edhe lutjet e grave të tyre të reja dhe të prindërve që i lusnin të mos i braktisnin. Kjo gjë, për pak sa nuk i bëri që të lëkundeshin në vendimin e tyre të mëparshëm, por fatmirësisht mbërriti aty Sebastiani, i cili u bëri vizitë në qelinë e tyre. Ai e demaskoi këtë rrenë të të ligut dhe i inkurajoi që të duronin dhimbjen e disa çasteve për të fituar lavdinë dhe gëzimin e përjetshëm me shenjtorët.

Madje ai arriti të konvertonte prindërit e tyre paganë, Trankuilinusin dhe Marcian, duke i shëruar nga një sëmundje. Fjala dhe zelli apostolik i gjeneralit të shenjtë solli në besimin e krishterë edhe njëfarë Nikostrati dhe gruan e tij, Zoinë, të cilët e bindën që të bëhej i krishterë mikun e tyre Klaudin, funksionarin e lartë të oborrit. Pas tyre erdhën edhe shumë paganë të tjerë në shtëpinë e këtij çifti, për të marrë mësimet e krishtera nga Sebastiani dhe Pagëzimin e shenjtë nga prifti Polikarp.

Kur mbërriti dita e ekzekutimit të Markut dhe të Markelinit, ati i tyre Trankuilinusi u paraqit përpara prefektit, i tregoi për konvertimin e tij dhe i foli fjalë aq bindëse, saqë edhe Kromaci i keq e dëgjoi me vëmendje, iu zbut zemra dhe u bë gjithashtu i krishterë. Të nesërmen, përpara Sebastianit dhe Polikarpit, ai flaku përtokë të gjithë idhujt paganë që ndodheshin në shtëpi. Biri i i tij Tiburci, të cilit i bëri përshtypje të madhe konvertimi i të atit, mbeti i pavendosur dhe ende nuk guxonte të flakte supersticionin e tij. Ai u propozoi shenjtorëve një marrëveshje: u premtoi atyre se do t’i ndiqte dhe do të shkatërronte idhujt e tij, nëse i ati do të shërohej nga një sëmundje e rëndë, që i kishte mpirë trupin dhe e kërcënonte me paralizë të plotë. Kromaci, duke harruar dhimbjen e tij, meqë ai nuk kishte vënë asnjë kusht për kthimin e vet, e qortoi Tiburcin për dyshimet e tij dhe donte ta ndalonte. Por një dritë që zbriti nga qielli e mbuloi papritur dhe u dëgjua një zë që tha: “I lumur je ti, sepse ke besuar Krishtin dhe tani më dërgon për të të shëruar”. Tiburci, i habitur nga ky shërim i mrekullueshëm, ra në këmbët e shenjtorëve për t’u kërkuar të falur dhe mori në atë çast Pagëzimin e shenjtë së bashku me të atin.

Plot me gëzim për lajmin e konvertimit të tyre, kryepiskopi i Romës, Gaius (283-296), erdhi për të përqafuar vëllezërit e rinj dhe u bëri të ditur se do të emërohej një prefekt i ri me urdhrin për t’i çuar ata drejt ekzekutimit. Ai i këshilloi të ndaheshin në dy grupe: njëri grup, me Sebastianin në krye, të qëndronte në Romë për t’ia ofruar veten martirizimit dhe grupi tjetër me Polikarpin, duhet të shkonte të gjente strehë në një vend të largët. Të gjithë donin të qëndronin me Sebastianin, të bindur se martirizimi është rruga më e mirë për të shkuar në Mbretërinë e Perëndisë; por, në fund fare, iu bindën urdhrit të hierarkut, përveç të riut Tiburc, që arriti ta bindte për të qëndruar me ata që do të martirizoheshin. Marku dhe Markelini u dorëzuan dhjakë, ati i tyre Trankuilini prift dhe Sebastiani u caktua kryetar i kësaj kohorte martirësh. Ata lanë mënjanë çdo lloj aktiviteti tjetër profan dhe qëndruan në qytet në pritje të arrestimit të tyre, duke jetuar ditë e natë me lutje e kreshmë dhe duke i psalur himne lavdërimi Perëndisë. Të shumtë ishin ata që vinin dhe shëroheshin prej duarve të tyre nga sëmundjet e shpirtit dhe të trupit.

Viktima e parë e këtij grupi ishte Zoia e lumur. Ajo u arrestua kur po shkonte në kishë dhe u var me kokën poshtë dhe vdiq e asfiksuar prej një tymi me erë të keqe. Më pas ia flakën trupin në Tiber. Pastaj i erdhi radha Trankuilinit, të cilin e vranë me gurë dhe e hodhën në lumë. Nikostrati dhe Klaudi, që ishin nisur në kërkim të trupave të shokëve të tyre, u arrestuan ndërkohë në brigjet e lumit dhe u çuan përpara prefektit të ri dhe më pas përpara perandorit, që urdhëroi t’i ekzekutonin me goditje thuprash dhe t’i hidhnin në ujë. Tiburci u denoncua nga një i krishterë i rremë dhe, pasi bëri një apologji të bukur të besimit të krishterë, e vunë mbi qymyr të ndezur dhe vdiq me kokën e prerë. Kastuli, që i fshihte shenjtorët në banesën e tij, u varros i gjallë dhe dy vëllezërit, Marku e Markeli, pasi i duruan me gëzim torturat e shumta, vdiqën kur u goditën në brinjë me heshta. Shën Sebastiani qëndroi i fundit nga të gjithë, duke pritur me padurim të bashkohej edhe ai me Zotin në Tokën e të gjallëve. E çuan përpara perandorit dhe atje dëshmoi me qetësi të jashtëzakonshme për të vërtetën. Më pas iu dha dënimi me vdekje dhe shkoi te vendi i ekzekutimit, i shoqëruar nga një turmë e madhe njerëzish. E lidhën në një shtyllë dhe e kthyen në shënjestër të gjallë, duke e goditur me shigjeta. Pasi ia përshkuan trupin me shigjeta të shumta, e lanë si të vdekur, meqë i kishte dalë shumë gjak; por një grua e krishterë shkoi dhe e mori nga shtylla, e ai u shërua në pak kohë në mënyrë të mrekullueshme. Shkoi dhe u paraqit përsëri përpara perandorit, i cili u habit tej mase kur e pa të gjallë. Me urdhrin e tij, e çuan në cirk për ta vrarë duke e goditur me çomange dhe më pas ia bënë trupin copë e çikë.

Mbrëmjen e ekzekutimit të tij, një grua e krishterë shpresëtare pa një vizion, ku iu tha se duhej të shkonte për të marrë trupin e tij dhe ta varroste në një katakomb, sipër të cilit u ndërtua një kishë për nder të tij në kohën e paqes së shën Konstandinit të Madh. Në këtë vend, me ndërmjetimin e martirit të shenjtë, ndodhën shumë mrekulli gjatë shekujve.

* * * * *

– Dëshmor Efvioti –

Ai e kishte origjinën nga fshati i Poketonit në Bitini dhe shkëlqeu me anë të fjalëve dhe mrekullive që bënte në kohën e perandorit Maksimian (286-311). Falë tij, shumë idhujtarë u kthyen në besimin e vërtetë dhe kërkuan të pagëzoheshin. Prandaj edhe guvernatori i Kizikës, Leonti, e arrestoi dhe e torturoi në mënyrë barbare.

Për shkak të durimit të madh që tregonte shenjtori në tortura, u kthyen shumë paganë në besën e vërtetë, kështu që u detyruan ta çojnë përsëri në qelinë e burgut, duke pritur ditën e ekzekutimit të tij. Por lajmi i mbërritjes së perandorit të Perëndimit, Konstandinit, mikut të të krishterëve, i cili do të luftonte me Maksimianin e pabesë, bëri që Efvioti të lirohej dhe të jetonte edhe 5 vite të tjera në liri, duke përhapur kudo farën e mirë të Ungjillit, para se të flinte paqësisht në Zotin.