– Apostulli – 2 Timotheut 4:9-22.

Përpiqu të vish shpejt tek unë. Sepse Dhimai më la, se deshi këtë botë, edhe shkoi në Selanik; Krisku në Galati; Titoja në Dalmaci. Vetëm Llukai është bashkë me mua. Markun merre dhe sille me vete; sepse më është i vlefshëm në shërbesë. Edhe Tihikun e dërgova në Efes.

Kur të vish, sill gunën që lashë në Troadë pranë Karpit, edhe librat, po më fort pergamenat. Aleksandër bakërpunuesi shumë të liga më bëri; Zoti ia shpagoftë sipas punëve të tij. Prej tij edhe ti ruhu, sepse iu kundërvu fort fjalëve tona. Në mbrojtjen time të parë asnjë nuk qëndroi bashkë me mua, po të gjithë më lanë, – mos iu numëroftë atyre për mëkat.

Por Zoti më ndenji pranë e më dha fuqi që me anën time të përmbushet predikimi, edhe të dëgjojnë gjithë kombet; edhe shpëtova nga goja e luanit. Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo punë e ligë, edhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin. Përshëndet Priskën dhe Akilën, edhe shtëpinë e Onisiforit.

Erasti mbeti në Korint; edhe Trofimin e lashë të sëmurë në Militë. Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndet Euvuli dhe Pudi dhe Lini dhe Klaudia, edhe gjithë vëllezërit. Zoti Jisu Krisht qoftë bashkë me frymën tënde. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.