– Apostulli – 2 Timotheut 1:1-2, 8-18.

 

Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jisu, Timotheut, birit të dashur, i qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë, edhe prej Krishtit Jisu, Zotit tonë.

Mos kij turp pra për dëshminë e Zotit tonë, edhe për mua të burgosurin e tij; por vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë; i cili na shpëtoi dhe na thirri me thirrje të shenjtë, jo sipas punëve tona, po sipas vendimit dhe hirit të tij që na u dha në Krishtin Jisu që përpara kohëve të përjetshme, edhe që u zbulua tani me anë të shfaqjes së shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, i cili prishi vdekjen, edhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit. Për këtë u vura unë predikues dhe apostull e mësues i kombeve; shkak për të cilin edhe i pësoj këto; por nuk kam turp; sepse e di kujt i kam besuar, edhe jam i bindur se ai mund të ruajë deri në atë ditë atë që mua më është besuar.

Ruaj formën e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje, me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu. Të mirën që t’u besua ruaje me anë të Frymës së Shenjtë që rri ndër ne.

Ti e di këtë, se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, prej të cilëve është Figjeli dhe Hermogjeni. Zoti i dhëntë përdëllim shtëpisë së Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi, po kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti. Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Zoti në atë ditë. Edhe sa më shërbeu në Efes, ti i di më mirë.