Apostujt Çezari/Qesari (i Durrësit), Apollo, Sostheni, Tihiku, Epafroditi nga të 70-t.
Kur judenjtë e Korinthit, xhelozë për predikimin e apostull Pavlit, e kapën atë dhe e çuan përpara Galionit, prokonsullit të Ahaisë (Veprat 18:12), ata u kthyen mbrapsht nga gjykata pa fituar dënimin që kërkonin me të madhe. Plot me inat dhe mllef, ata e kapën Sosthenin, kryetarin e Sinagogës, që ishte kthyer nga Judaizmi në Krishterim dhe e rrahën me shkopinj. Sostheni e shoqëroi më vonë apostull Pavlin në udhëtimet e tij dhe u bë episkop i qytetit të Kolofonit në Azinë e Vogël, që varej nga mitropolia e Efesit.
Apostulli Apollo, i cili ishte jude me origjinë nga Aleksandria (shih Veprat 18:24-25), ishte një njeri që kishte studiuar në thellësi Shkrimet e Shenjta. I konvertuar nga apostujt në besimin te Zoti Jisu Krisht, ai predikonte me zell të madh, edhe pse njihte vetëm pagëzimin e shën Joan Pagëzorit. Kur po kalonte në Efes, shën Akila dhe Priskila e katekizuan, i mësuan përsosmërinë e besimit të krishterë dhe e pagëzuan. Pastaj ai shkoi në Korinth ku vazhdoi veprën e apostull Pavlit pranë paganëve. Por talenti i tij si orator bëri që ai të kishte një sukses të jashtëzakonshëm, saqë korinthianët u ndanë në dy grupe kundërshtare: në ata që ishin me Pavlin dhe ata që ishin me Apollon. Kjo është arsyeja se përse apostull Pavli i qorton në letrën e tij të parë (1 Kor. 1-4), duke u shfaqur atyre se apostujt punojnë të gjithë, sipas hirit që u është dhënë, si bashkëpunëtorë të Perëndisë për ndërtimin e Kishës së vetme, Trupit mistik të Krishtit. Më pas Apolloi u bë episkop i Cezaresë.
Epafroditi ishte edhe ai një nga shokët e apostull Pavlit. Meqë ndodhej në qytetin e Filipit në Maqedoni për shërbimin e Ungjillit, ai u dërgua nga të krishterët pranë apostull Pavlit, që ndodhej i burgosur në Romë, që t’i çonte atij dhuratën e tyre. U sëmur rëndë, por e ruajti Perëndia, për të vazhduar më tej misionin e tij dhe u dërgua nga apostull Pavli në Filipi, dhe u çoi atyre Letrën (e apostull Pavlit) dërguar Filipianëve. Sipas disave, ai u bë më pas edhe episkop i Kolofonit, pas Sosthenit; ndërsa sipas të tjerëve, vazhdoi të ishte episkop i Filipit.
Çezari/Qesari përmendet shkurtimisht nga apostull Pavli në Letrën (e këtij) drejtuar Filipianëve (4:22). Sipas traditës, ai u bë episkop i Koronës në Peloponez. Sipas një dorëshkrimi në bibliotekën e Kishës së Jerusalemit, apostull Çezari përmendet si episkop i Durrësit dhe më pas i Koronës.
Tihiku, (shih Efesianët 6:21, Kol. 4:7), bashkëpunëtor besnik i Apostullit të Kombeve, ishte me origjinë nga Azia e Vogël. Ai shoqëroi Pavlin nga Korinthi në Jerusalem (Veprat 20:4) dhe i shërbeu si lajmëtar për të transmetuar letrat dhe mësimet e tij në kishat e largëta. Sipas disa burimeve, është ai që e pasoi Sosthenin në fronin e Kolofonit; sipas të tjerëve, ai ishte episkopi i parë i Halkidonës së Bitinisë.
Për apostull Kefan, Sinaksarët nuk na japin asnjë të dhënë.
* * * * *
Oshënar Patapi.
I lindur në Tebë, në një familje besimtare, shën Patapi, me zemrën e përflakur nga dëshira për të arritur në përsosmëri, vendosi të linte prindërit e tij, pasuritë dhe çdo lidhje me këtë botë, për të banuar në shkretëtirë dhe për të komunikuar pa pushim me Perëndinë. Jetoi në qetësi për shumë vjet; dëshira e tij për t’iu shmangur lavdisë së njerëzve nuk arriti dot të pengonte emrin e tij, që u bë shumë i njohur.
Turma e besimtarëve që vinin për ta takuar, e pengonin nga soditja e tij shpirtërore, ndaj ai vendosi të ikte që atje dhe të banonte në Konstandinopojë, afër kishës së Vllahernës. Aty, i panjohur dhe i huaj në mes të popullit të kryeqytetit, ai mundi të vazhdonte dhe të shtonte përpjekjet e tij shpirtërore, i pashqetësuar nga lavdërimet e kota. Duke bashkuar me shumë art soditjen shpirtërore me praktikimi e virtyteve, ai u bë si një engjëll i veshur me trup njerëzor. Njësoj si fuqitë qiellore, ai kurrë nuk reshtte së lavdëruari Perëndinë, si ditën dhe natën, dhe në këmbim Perëndia i dha dhuratën e kryerjes së mrekullive.
Me anë të thirrjes së emrit të Krishtit, ai shëroi një ditë një të verbër të lindur, që u ul përdhé para këmbëve të tij me besim. Një herë tjetër, shëroi një njeri, trupi i të cilit ishte ënjtur frikshëm, duke i bërë shenjën gjallëruese të Kryqit dhe duke e lyer me vajin e një kandili të kishës. Gjithashtu ai dëboi demonët që kishin pushtuar një djalë të ri e të varfër, me të njëjtin autoritet porsi Zoti. Sa më shumë që rritej në virtyt dhe që zhytej në soditjen shpirtërore, aq më tepër shtoheshin mrekullitë që tërhiqnin drejt tij një numër të madh vizitorësh. Duke zbatuar me rreptësi urdhërimet e Zotit tonë Jisu Krisht, ai mori nga Perëndia dhuratën e të njëjtave mrekulli, që ne i shikojmë të përmenden në Ungjillin e Shenjtë.
Pasi e forcoi Kishën në këtë mënyrë me anë të pranisë së tij dhe duke ndihmuar edhe shumë shpirtra me anë të mrekullive, ky shërbëtor i lavdishëm i Perëndisë fjeti në paqe, i rrethuar nga murgjit dhe asketët e vendeve aty pranë, të cilët vajtuan një humbje të tillë kaq të madhe. Por në të njëjtën kohë edhe gëzoheshin për hyrjen e tij në lavdinë e përjetshme.
Shumë kohë më vonë, në vitin 1904, pranë Korinthit në Greqi, u zbulua lipsani i plotë i trupit të shën Patapit, teksa po punonin në kishën e një manastiri të vogël, të vendosur në lartësi të Lutrakit (mali Gerania) pranë Korinthit. Që nga ajo kohë, manastiri iu dedikua shenjtorit dhe aty kryhen pa pushim mrekulli të shumta.
* * * * *
Oshënar Sofroni.
Shën Sofroni, me origjinë nga ishulli i Qipros, studioi për vite të tëra Shkrimet e Shenjta dhe, duke zbatuar mësimet e Zotit me shumë saktësi, mori nga Perëndia dhuratën e kryerjes së mrekullive.
Pas vdekjes së Damianit, episkopit të Qipros, për virtytet e tij u zgjodh episkop nga të krishterët e ishullit. Si episkop, ai u bë ushqyesi i të uriturve, kujdestari i të varfërve, ndihma e jetimëve dhe çlirimi i gjithë të pikëlluarve. Ai fjeti në paqe më Zotin, i zbukuruar me një kurorë të tillë.