– Oshënar Sava i Shenjtëruar –
Ati ynë hyjprurës Sava, një engjëll në mish dhe mjeshtër i shkretëtirës së Palestinës, lindi në Mutalaska, një qytet i vogël pranë Qesarisë në Kapadoki, në vitin 439. Në moshën 8-vjeçare hyri në manastirin e Flavianës, që ndodhej aty afër, ngaqë ndjeu një dashuri të madhe për Perëndinë dhe ngaqë e kuptoi kotësinë e gjërave të dheut. Ai i rezistoi insistimit të të afërmve të tij, që donin ta bënin të ndryshonte mendje dhe eci shumë shpejt në rregullin e jetës murgërore, duke përparuar veçanërisht në vetëpërmbajtje dhe në recitimin përmendsh të Psaltirit.
Një ditë, teksa po punonte në kopsht, ndjeu dëshirën të hante një mollë. Por, sapo këputi një kokërr, e qortoi veten, kapërceu pasionin e grykësisë dhe tha: “Fruti që më solli mua vdekjen nëpërmjet Adamit, ishte joshës për sytë dhe i mirë si ushqim. Adami preferoi gjënë që ishte e pëlqyer për sytë mishtorë dhe vendosi të kënaqte më tepër barkun e tij, sesa shpirtin. Prandaj, le të mos e lejojmë letargjinë shpirtërore të na bëjë të huaj për shkëlqimet e vetëpërmbajtjes”. Duke e hedhur frutin e mollës përtokë, ai fitoi mbi lakminë dhe nuk hëngri më asnjë mollë gjatë jetës së tij të këtushme. Për më tepër, bëri shumë përpjekje shpirtërore në kreshmë dhe në agripni me pjekurinë e asketëve më me përvojë në jetën shpirtërore dhe ua kaloi bashkëmurgjve të tij në përulësi, bindje dhe në vetëpërmbajtje.
Pasi kishte kaluar 10 vjet në manastir, ai mori bekimin e igumenit të tij për të shkuar në Jerusalem, ku e tërhoqi jashtë mase fama e virtytit të shën Efthimit (20 jan.). Ai iu lut jerondit të shenjtë që ta pranonte si nxënësin e tij, por Efthimi e dërgoi së pari në manastirin e Shën Theoktistit (3 shtat.), sepse nuk e kishte zakon të pranonte të rinj pa mjekër midis eremitëve të ashpër të shkretëtirës. Nën drejtimin e Theoktistit, Sava ishte shembullor në përulësi dhe në braktisjen e vullnetit të tij; ai ia përkushtonte tërë ditën shërbimit të vëllezërve dhe e kalonte çdo natë duke lavdëruar Perëndinë me lutje. Përsosmëria e tij në të gjitha virtytet ishte aq e madhe, saqë shën Efthimi e quante “fëmija jerond”.
Pas vdekjes së shën Theoktistit në vitin 469, shën Sava mori bekimin që të jetonte si asket në një shpellë, jo shumë larg manastirit. Ai nuk hante asgjë gjatë 5 ditëve të para të javës dhe e kalonte kohën në lutje, duke thurur gjethe palme. Të shtunave dhe të dielave, kthehej në manastir për Liturgji dhe për të marrë pjesë në ushqim bashkë me vëllezërit. Gjatë Kreshmës së Madhe (14 janar deri të shtunën e Palmave), shën Efthimi e kishte si zakon ta merrte shën Savën me vete në shkretëtirë, ku ata ushtroheshin në praktikimin e virtyteve më të larta, duke e takuar Perëndinë në qetësi dhe në mungesë të çdo lloji ngushëllimi njerëzor. Pasi Sava arriti në lartësinë e asketëve të mëdhenj të besimit dhe kur shën Efthimi fjeti në Zotin, ai u largua përfundimisht drejt shkretëtirës së plotë, për t’u përballur me djallin dhe shërbëtorët e tij, i armatosur me shenjën e Kryqit dhe thirrjen e emrit të shenjtë të Jisuit. Pasi kaloi 4 vjet në shkretëtirë, ai u udhëhoq nga një engjëll në një shpellë që ndodhej në anën e majtë të një honi, poshtë të cilit kalonte përroi i Kedronit.
Shenjti ndenji aty 5 vjet, duke soditur gjërat shpirtërore dhe Perëndia i dha atij sigurinë se kishte arritur koha që të pranonte nxënës. Ai e pajiste secilin prej tyre me një qeli nëpër shpellat e shumta që kishte vendi dhe i mësonte nga përvoja e tij artin e jetës eremite. Kur numri i nxënësve të tij arriti në 70, shenjti nxori me anë të lutjes së tij një burim uji të freskët, për t’i ngushëlluar ata. Nxënësit mblidheshin për lutje të përbashkët në një shpellë që për nga forma i ngjasonte më shumë një kishe. Këtë shpellë shenjtori e kishte gjetur me anë të një zbulese, duke u udhëhequr nga një shtyllë e zjarrtë. Lavra e tij vazhdoi të rritej e numëronte deri në 150 murgj. Shumë pelegrinë vinin tek ai për të kërkuar shpëtimin dhe sillnin gjërat e domosdoshme materiale për nevojat e murgjve, të cilët kështu ishin të lirë nga përkujdesjet dhe shqetësimet materiale. Edhe pse shën Sava nuk donte dorëzohej prift, atij iu desh ta pranonte një detyrë të tillë në moshën 53-vjeçare, për hir të grigjës së tij shpirtërore.
Numri i nxënësve të tij nuk e ndalonte atë që të vazhdonte të jetonte në vetmi dhe të ruante zakonin e atit të tij shpirtëror, Efthimit, që e kalonte Kreshmën e Madhe çdo vit në shkretëtirën e thellë. Një vit, ai u vendos në një kodër të pushtuar nga demonë, e cila quhej Kastelion, të cilën e pastroi me anë të lutjes së tij dhe më vonë ndërtoi edhe një manastir me jetë komunitare për murgj me përvojë. Për ata që sapo kishin lënë botën, ai kishte ndërtuar një ndërtesë në veri të Lavrës, ku ata mund të stërviteshin në jetën asketike dhe në recitimin e Psaltirit. Ai nuk e lejonte çdo njeri të bënte jetë eremiti, por i vinte në provë dhe i stërviste murgjit që kishin cilësitë e gjykimit dhe vigjilimit mbi mendimet e tyre, si edhe zemrën e përulur dhe braktisjen e plotë të vullnetit të tyre. Ai i dërgonte të rinjtë që nuk kishin ende mjekër, për të marrë mësime në manastirin e Shën Theodhosit (11 janar).
Duke parë pështjellimin e madh në popullatën murgërore të Palestinës në atë kohë, për shkak se heretikët monofizitë i kundërviheshin Sinodit të Halkidonës, patriarku Salust i Jerusalemit caktoi shën Savën dhe shën Theodhosin si ekzarkë të tij për të gjitha manastiret që vareshin nga Jerusalemi. Ai i dha Theodhosit ofiqin e arkimandritit të të gjithë murgjve të manastireve me jetë komunitare, ndërsa Savën e bëri arkimandrit të të gjithë eremitëve dhe murgjve që banonin në qelitë e lavrave. Sava ngjallte frikë te demonët, por me njerëzit ishte shumë i butë dhe i përulur. Në një rast, kur disa murgj u rebeluan kundër tij, jerondi i shenjtë u tërhoq pa u përpjekur të shfajësohej ose të impononte autoritetin e tij. U kthye më pas vetëm për të sjellë mesazhin e patriarkut. Ai themeloi manastire të tjera, kështu që, përveçse ishte ekzarku i eremitëve, u bë edhe igumen i 7 manastireve.
Pasi fitoi papasionshmërinë e lumur dhe, meqë ishte i palëkundur në besimin e tij dhe i përkushtuar te Perëndia, ky mjeshtër i shkretëtirës zbuste kafshë të egra, shëronte të sëmurë dhe, me anë të lutjes së tij, sillte shiun e shumëpritur, në krahina që mundoheshin nga thatësira dhe zia e bukës. Ai i udhëhiqte legjionet e luftëtarëve të tij shpirtërorë me një urtësi të madhe dhe përpiqej të ruante unitetin e besimit.
Shën Sava ishte një nga murgjit që u dërgua në Konstandinopojë në vitin 512 për të mbrojtur besimin ordhodhoks përpara perandorit Anastas, që favorizonte monofizitët dhe për të lehtësuar taksat e kishës së Jerusalemit. Ngaqë Sava ishte veshur me rroba të vjetra, rojat e pallatit menduan se ishte lypës dhe e dëbonin, por perandorit i bëri një përshtypje të madhe ai eremit i hirshëm. Në qëndrimin e tij të gjatë në Konstandinopojë, perandori e thërriste shpesh për ta takuar, që të përfitonte prej mësimeve të tij shpirtërore.
Kur u kthye në Palestinë, Savës iu desh të merrej me intrigat dhe komplotet e Severit, patriarkut heretik të Antiokisë, i cili, pasi e tërhoqi së pari perandorin në rrjetat e mashtrimit të tij, arriti të dëbonte shën Ilian nga selia e Jerusalemit. Megjithëkëtë, më shumë se 6.000 murgj, të nxitur nga Sava dhe Theodhosi, u mblodhën dhe protestuan kundër patriark Joanit, pasuesit të Ilias, duke mbrojtur Sinodin e Halkidonës. Duke ditur se perandori po bëhej gati të përdorte forcën kundër murgjve të Tokës së Shenjtë, Sava i drejtoi Anastasit një kërkesë të guximshme në emër të të gjithëve. Perandori vdiq po atë vit dhe, me hirin e Perëndisë, besimi i drejtë u ripohua me forcë nga Justini I (518-27), pasuesi i tij në fron. Perandor Justini urdhëroi që Sinodi i Halkidonës t’u shtohej diptikëve të shenjtë. Shën Sava u dërgua në Skithopolis dhe Kesarea, ku ai bëri të ditur fitoren e orthodhoksisë në mes të kremtimit të jashtëzakonshëm të popullit.
Jerondi u dërgua përsëri në Konstandinopojë në vitin 531, për të fituar ndihmën dhe mbrojtjen e perandorit të devotshëm Justinian (527-65), pas kryengritjes së përgjakshme të samaritëve. Shën Sava i profetizoi perandorit që ai do të rimerrte Romën dhe Afrikën, si dhe i parashikoi fitoren finale mbi monofizitizmin, nestorianizmin dhe origjenizmin, që do të përbënin edhe lavdinë e mbretërimit të tij.
Shën Sava u prit me gëzim kur u kthye në Jerusalem. Shërbëtori i palodhur i Perëndisë themeloi manastirin e Jeremias në këtë kohë, para se tërhiqej përfundimisht në Lavrën e Madhe. U sëmur pak kohë më vonë, pasi kishte mbërritur në moshën 94-vjeçare dhe fjeti në paqe më 5 dhjetor 532. Trupi i tij, që mbeti i paprishur në një mënyrë të mrekullueshme, u pre me paqe në Lavër, në praninë e një numri të madh murgjish dhe laikësh. Ai u mor në Venecie në kohën e kryqtarëve dhe u kthye në manastirin e tij në vitin 1965.
Lavra e Shën Savës, që u bë më vonë një manastir komunitar, zë një vend me rëndësi të veçantë në historinë e murgjërisë orthodhokse dhe të Kishës së Palestinës. Shumë shenjtorë kanë dalë aty, duke numëruar këtu shën Joan Damaskinin, shën Kozmanë e Majumasë, Shën Stefanin dhe shën Andrean e Kretës. Tipikoni, që ende rregullon shërbesat e Kishës sonë, u zhvillua dhe u përcaktua në lavrën e Shën Savës dhe një pjesë e rëndësishme e himnografisë së Kishës sonë është kompozuar në këtë vend të shenjtë.
* * * * *
– Oshënar Nektari dhe Ati i tij Shpirtëror Filotheu –
Shën Nektari ishte me origjinë nga Maqedonia, ku ai dhe familja e tij kishin shpëtuar në mënyrë të mrekullueshme nga vdekja, gjatë një ekspedite ndëshkimore turke. Në falënderim të kësaj, i ati i tij u bë murg dhe e mori me vete atë dhe të vëllanë, që të vazhdonin shkollimin e tyre. Nektari, më pas, u bë murg në Malin e Shenjtë, nën drejtimin shpirtëror të Dionisit, një ish-fisniku nga Konstandinopoja, dhe të një jerondi që quhej Filothe, i cili kishte edhe dhuratën e profecisë. Ai bëri një përparim të shpejtë në rrugën e virtytit, por djalli, i pafuqishëm për ta dëmtuar për sa kohë ndodhej me atin e tij shpirtëror, nxiti një nga bashkasketët e tij të bëhej xheloz dhe i dhunshëm me të.
Për këtë arsye, Nektari u dërgua në Karies dhe qëndroi me Danielin, Protosin e Malit të Shenjtë, që kishte marrë edhe ky dhuratën e profecisë. Kur Danieli vdiq, Nektari u vendos me Dionisin në Qelinë e Kryeengjëjve. Pasi Dionisi fjeti në Zotin, Nektari jetoi i vetëm. Gjatë kësaj kohe përparoi mjaft në virtyt, edhe pse u provua në mënyrë të ashpër prej Perëndisë nga një sëmundje e gjatë dhe e dhimbshme. Ai fjeti në paqe më 5 dhjetor 1500. Pas 4 vjetësh, trupi i tij u nxor nga toka dhe lëshoi një aromë të mrekullueshme shenjtërie.