Kremtim dhe hirotoni në Mitropolinë e Gjirokastrës
Ditën e diel, më 3 dhjetor 2023, në kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, u festua e kremtja e Shenjtorëve të kësaj Mitropolie, si dhe 17-vjetori i Kryepriftërisë (2006 – 2023) të Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrit.
Që herët në mëngjes Katedralja ishte mbushur me besimtarët e shumtë të qytetit dhe nga zona të tjera. Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore u kryen nga Hirësi Dhimitri, bashkë me klerikë të Mitropolisë.
Gëzimin e kësaj dite e shtoi më tepër hirotonia në dhjakon e z.Pandeli Zeneli. Ai ka kryer studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, gjithashtu ka përfunduar një Master Skencor në Histori. Mbasi kontribuoi për disa vite në Zyrën e Katekizmit të Kryepiskopatës, dhjakoni i ri u kthye në Mitropolinë e tij, bashkë me dhjakoneshë Irinin dhe vajzën e tyre të vogël, Marinën.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët uruan Mitropolitin e tyre, i cili prej shumë vitesh drejton me përkushtim dhe plot dashuri grigjën që Kisha e Shenjtë i ka besuar.
Në fund ata, ndoqën një program festiv të përgatitur nga të gjitha institucionet arsimore të Mitropolisë së Gjirokastrës, i cili mbylli kremtimet e kësaj dite të veçantë.
Foto Album: