E Diela XIV e Llukait, Shërimi i të verbrit, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 03.12.2023 (Tekst)
«Po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë» (v. 39)
I verbri i pjesës së sotme të Ungjillit, sapo kuptoi dhe u informua se kalonte nga ajo rrugë Zoti ynë, thirri me fuqi: “Jisu, bir i Davidit, përdëllemë”. Por ata që ndiqnin Krishtin, ndërkohë që do të duhej ta ndihmonin të verbrin të takojë Zotin tonë, e qortonin të pushojë. Dhe i verbri, i kapërceu të gjitha pengesat që i vunë të tjerët, në mënyrë që të takojë Krishtin. Sfidoi qortimet dhe me më tepër fuqi këmbëngulte të thërrasë: “Bir i Davidit, përdëllemë!” Ndaj britmave këmbëngulëse të të verbrit, britmave të vazhdueshme dhe me besë, Krishti ynë ndalet dhe e fton të afrohet.
Dhe kur u afrua e pyeti: “Ç’do të të bëj?” Dhe i verbri u përgjigj: “Zot, të hap sytë e të shoh”. Dhe Zoti ynë, si i tërëfuqishëm dhe i gjithëditur që është, duke parë besën e tij, tha: “Hap sytë e shih; besimi yt të shpëtoi”. Menjëherë i verbri pa dritë dhe ndoqi Zotin Krisht, duke lavdëruar Perëndinë. Me pak fjalë, kjo është pjesa e sotme Ungjillore, e cila përmban një shumicë të vërtetash, që janë të pamundura t’i shtjellojmë brenda minutave të pakta që kemi në dispozicionin tonë.
* * *
Prandaj, do të analizojmë sot çështjen e pengesave që ndërhyjnë në ecurinë tonë drejt Krishtit, ashtu sikurse edhe mënyrën e përballimit të tyre.
«Po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë».
Shumë herë ankohemi se Perëndia nuk na dëgjon, nuk na përgjigjet në lutjet tona, nuk na jep atë që kërkojmë. Dhe kjo na mbush me hidhërim dhe dëshpërim, dhe shumë herë trondit edhe besimin tonë tek Ai. Por, a menduam vallë ndonjëherë, mos e kemi fajin ne, që nuk na dëgjon Perëndia? Sepse nuk mjafton thjesht t’i lutesh Perëndisë, ndoshta si për zakon, por të lutemi dhe të kërkojmë me besë të nxehtë, me këmbëngulje, me durim. Dhe Perëndia, sado të tregojë se vonon, përfundimisht do të japë atë që kërkojmë, për sa kohë është sipas vullnetit të Tij të shenjtë. Sepse ekzistojnë edhe kërkesa absurde, të cilave Perëndia nuk u përgjigjet. “Njerëzit, -thotë komentuesi i hirshëm, Efthim Zigavinoi- i irriton kur këmbëngul shumë duke u kërkuar diçka. Por me Perëndinë ndodh e kundërta; e hidhëron kur nuk i kërkon, kur nuk i lutesh Atij vazhdimisht dhe me këmbëngulje”.
«Po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë».
Heroi i Ungjillit të sotëm, nuk kishte sy. Kishte diçka më të madhe: Këmbëngulje. Me të e gjeti dritën e tij. Në momentin kur të gjithë e qortonin, në vend që ta ndihmonin, ai këmbëngulte dhe fitoi. Çdo përpjekje serioze ka nevojë për këmbëngulje. Sa njerëz të parëndësishëm, me këmbënguljen e tyre, u bënë të famshëm?
Demosteni, nga belbëzues, u bë orator i zoti. Dhidhimo i verbër, në Aleksandri, me vullnetin e tij të palëkundur, u bë shkrimtar i famshëm. Njësoj edhe Helen Keller, në ditët tona. Lindi pothuajse e verbër dhe e shurdhët, dhe u bë një nga shkrimtaret më të dëgjuara. Shën Andoni i Madh, krejtësisht i pashkolluar, me këmbënguljen e tij, mësoi Shkrimin e Shenjtë përmendësh, vetëm duke e dëgjuar.
Këmbëngulja bën mrekulli. Zbulon fuqi shndërruese. Secili prej nesh ka brenda tij fuqi, të cilat, vetëm me këmbënguljen dhe kultivimin e botës sonë të brendshme, dalin në sipërfaqe dhe vlerësohen në jetën tonë.
Por këmbëngulja jo vetëm rimëkëmb, por edhe shkatërron. Shndërron, por edhe deformon. Ndriçon, por edhe errëson. Sipas asaj se si do ta përdorë njeriu, për të mirën apo për të keqen. Këmbëngulja, të verbrit, i bëri mirë. E përdori mirë. Kurse Farisenjtë, që këmbëngulnin në mashtrimin e tyre, nga vetja e tyre, krijuan shkatërrimin. Çdo ditë kemi nevojë për këmbëngulje. Nga ushtrimi i përditshëm i profesionit tonë, deri në arritjen e shenjtërisë sonë, kemi nevojë për këmbëngulje. “I duruari i fituari” thotë populli. Mjafton ta përdorim saktë këmbënguljen tonë.
«Po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë».
E pe çfarë arriti me lutjen e tij këmbëngulëse i verbri? Lutja është për shpirtin, transmetuesi dhe marrësi. Është antena që arrin lart, shumë lart, dhe transmeton sinjalet e shpirtit në qiell. Sinjalet S.O.S. në momentin e luftës shpirtërore, që të dërgojë Zoti mbrojtjen e Tij të tërëfuqishme. Dëshirat e flakta, në kohën e armëpushimit dhe të paqes, që të japë Ai bekimin e Tij për t’i realizuar.
Lutja e ngre dheun në qiell. Dhe e zbret qiellin në tokë. Është marrësi i dhuratave dhe hireve hyjnore. Është gjithashtu një nga mjetet, me të cilat njeriu i përulur shfaq fisnikërinë e shpirtit të tij.
U mrekullove nga lypësi i verbër, për këmbënguljen e tij të palëkundur. Për lutjen e tij të nxehtë ndaj Zotit. Por, e vure re vallë fisnikërinë e shpirtit të tij? Dinte të lutej me këmbëngulje. Por edhe të falënderojë nxehtësisht. Dhe të lavdërojë tërëfuqinë e Perëndisë. Dhe tregoi me virtytin e mirënjohjes, se paaftësia fizike e kishte detyruar të lypë, por shpirti i tij kishte dallimin e epërsisë dhe fisnikërisë shpirtërore. Lulen aromatike të mirënjohjes ndaj Perëndisë. Dhe u bë kjo mirënjohje e tij, shkak që të nxiten edhe turmat. Të himnojnë mirësinë e Perëndisë.
«Po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë».
Ekzistojnë shumë të krishterë të mirë dhe besnik, që luten nxehtësisht dhe me këmbëngulje, për muaj apo vite me radhë, që Perëndia t’i shpëtojë nga njerëzit keqdashës dhe dinak, t’u dhurojë shëndetin e tyre të shumëdëshiruar, e megjithatë nuk dëgjohen. Një shembull. Apostull Pavli, me besimin dhe nxehtësinë e lutjes së tij, për të cilën askush nuk ka dyshim, i lutej Perëndisë ta çlirojë nga një ngasje. “Tri herë iu luta Zotit, që ta largojë prej meje, por ai m’u përgjigj: Të mjafton hiri im” (2 Kor. 12: 8-9). Sepse me ngasjet dhe pikëllimet që provon besimtari, përulet dhe kupton se atë që arrin, nuk e arrin me fuqitë e tij, por me ndihmën e Perëndisë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin.
Le të mos shqetësohemi, pra, kur Perëndia bën sikur nuk i dëgjon lutjet tona. Le të këmbëngulim duke u lutur, me mendimin se atë që lejon Perëndia të na ndodhë, e lejon për të mirën tonë, për dobinë tonë shpirtërore, për shpëtimin tonë. “Të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që duan Perëndinë” (Rom. 8:28), thotë apostull Pavli. Të besojmë në mënyrë të patundur se, përfundimisht, Perëndia do të na japë pakrahasimisht gjëra më të shumta dhe më të rëndësishme nga ato që kërkojmë, “më tepër nga gjithë sa kërkojmë apo mendojmë” (Efes. 3:20).
U bëftë!