– Dëshmor Jakov Persiani –

Shën Jakovi, ky atlet i lavdishëm i Krishtit, vinte nga një familje e pasur fisnike nga Bethlapadi, pranë Suzës në Persi. Ishte i afërm me mbretin Jezdgerd I(399-425), i cili i dha shumë ndere e privilegje. Ishte rritur e edukuar në besimin e krishterë nga prindërit, por, i rrethuar nga privilegjet e funksionit të tij pranë mbretit, mohoi Krishtin dhe u dha pas idhujtarëve. Kur e morën vesh këtë gjë nëna dhe motra e tij, i dërguan një letër ku i shkruanin se, nëse vazhdonte t’u flijonte idhujve, nuk do të kishte më lidhje me to.

Pas kësaj Jakovi erdhi në vete, kuptoi gabimin që kishte bërë dhe, i penduar, dëshiroi të bëhej nxënës i Krishtit, i Cili vdiq për mëkatet tona. Shpirti iu prek kaq thellë, sa dëshiroi të martirizohej për Të.

Mbreti, kur pa sjelljen e Jakovit, u zemërua pa masë me të. Menjëherë ia hoqi nderet e pushtetet që i kishte dhënë dhe e dorëzoi te xhelatët për ta torturuar. E shtrinë përdhe e ia prenë trupin copa-copa, duke filluar me duart e këmbët. Në agoni, shenjti thirri në ndihmë Krishtin. Si mori fuqi, më në fund e dorëzoi shpirtin te Zoti, duke fituar kështu jo vetëm faljen e mëkatit që kishte bërë, por edhe kurorën e martirit të Krishtit.

* * * * *

– Oshënar Theodhosi në Tërnovë –

Lindi në fund të shekullit të 13-të në krahinën e Tërnovës dhe u bë murg në moshë të re në një manastir të Arcarit (pranë Vidinës), ku u dallua për përulësinë e tij. Pas vdekjes së atit të tij shpirtëror, kaloi në manastire të ndryshme në kërkim të një ati të ri më Krishtin dhe për një vend të përshtatshëm për heshtjen dhe lutjen. Kur ishte në një grup murgjish që banonin në pyllin pranë Silvenit, dëgjoi të flitej për ardhjen e afërt në Paroria, në kufijtë e Bullgarisë dhe të Perandorisë Bizantine, të shën Grigor Sinaitit (6 prill) dhe të dishepujve të tij, që kishin ikur nga Mali i Shenjtë për t’iu shpëtuar sulmeve të piratëve turq.

Menjëherë u fut në grupin e këtyre murgjve dhe u tregua një shembull bindjeje dhe pasues i zellshëm i lutjes së brendshme. Atje ai u lidh me miqësi shpirtërore me shën Romilin (18 shtator).

Falë ndërhyrjes së tij, vëllazëria përfitoi nga mbrojtja e mbretit bullgar Joan Aleksandri (1331-1371), admirues i madh i murgjve dhe i kulturës bizantine, për të pajisur ndërtesën e tyre me mbrojtje kundër sulmeve të herëpashershme të turqve.

Pas vdekjes së shën Grigorit, më 1346, vëllezërit donin të vendosnin Theodhosin si igumen, por ai refuzoi dhe u nis bashkë me Romilin, në fillim për në Silven, pastaj për në Malin e Shenjtë. Edhe atje s’gjetën paqe për shkak të turqve dhe rinisën pelegrinazhet e tyre drejt Selanikut, Berresë (Verias), pastaj Konstandinopojës.

Theodhosi u kthye përfundimisht në vendin e tij të lindjes dhe, falë ndihmës së mbretit, themeloi një manastir në Malin Kelifarevo, 16 km nga Tërnova. Futi në të në mënyrë strikte parimet e mësuara nga shën Grigor Sinaiti dhe shumë shpejt u mblodhën 50 murgj të cilët jetonin në heshtje dhe me lutjen e zemrës. Ata kopjonin e përkthenin në sllavisht dorëshkrime të veprave të Etërve të Kishës.

Falë rrezatimit të shenjtërisë së Theodhosit dhe këtij aktiviteti theologjik, ky manastir u bë për vite me radhë qendër e rrezatimit të spiritualitetit hezikast në Bullgari dhe kandili i Orthodhoksisë kundër herezive. Erdhën aty dishepuj nga të gjitha anët: Serbia, Hungaria, Vllahia; që të merrnin mësimin e shën Theodhosit. Por sërish i shqetësuar nga sulmet e turqve, shenjti u detyrua të tërhiqej në shpellë për të gjetur qetësinë e domosdoshme për lutjen.

Pas 3 muajsh u sëmur, por, megjithatë, gjeti fuqi që të shkonte në Konstandinopojë për të biseduar me bashkëdishepullin dhe biografin e tij, patriarkun shën Kalisti I (20 qershor), për problemet kishtare që kërcënonin atëherë marrëdhëniet mes Kishës Bullgare dhe Patriarkanës Ekumenike. Fjeti në manastirin e Shën Mamasit, më 27 nëntor 1363 dhe u varros me nderime të mëdha.

Shën Theodhosi ishte ai që përhapi në Bullgari mësimdhënien shpirtërore, të cilën e kishte futur në Malin e Shenjtë shën Grigor Sinaiti. Deri në fund të shekullit, kur ishte edhe periudha e artë e Kishës Bullgare, personazhet më të ndritura të jetës kishtare ishin dishepujt e tij: veçanërisht shën Efthimi, patriarku i Tërnovës (20 janar) dhe shën Qipriani, mitropoliti i Kievit (16 shtator).