E Diela XIII e Lukait, Me synim jetën e përjetshme, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 26.11.2023 (Tekst)

«Shit gjithë ç’ke… dhe eja e ndiqmë pas» v.22

Një prijës i pasur judé shkoi tek Krishti dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme? -Ti i di porositë: Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën tënde”. Edhe ai i tha: “Të gjitha këto i ruaj që në rininë time”. Kur dëgjoi këto Jisui, i tha: “Edhe diçka të mungon: shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiej; dhe eja, e ndiqmë pas”. Sapo ai i dëgjoi këto, u hidhërua shumë sepse ishte tepër i pasur. Kur Jisui e pa aq të hidhëruar, tha: “Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri! Sepse më kollaj është të hyjë deveja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”. Ata që e dëgjuan, thanë: “Atëherë, kush mund të shpëtojë?”. Edhe Ai u përgjigj: “Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë”.

 

* * *

 

Trashëgimia e mbretërisë së qiejve dhe jetës së përjetshme, ngjan me një marrëdhënie tregtare. Blen atë që të ofrojnë, dhe paguan atë që mundesh. Që të blesh diçka që dëshiron, duhet të kesh edhe kushtet përkatëse. Krishti, duke parë dëshirën e sinqertë të prijësit të ri, bën tani ofertën e Tij. “Edhe diçka të mungon: shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiej; dhe eja, e ndiqmë pas!”.

Por ky propozim, i kapërcente shpresat e të riut. I duket diçka e pakuptueshme, që jeta e përjetshme të varet nga qëndrimi i tij ndaj pasurisë së vetë. Për hebrenjtë, pasuria ishte dëshmi e bekimit të veçantë të Perëndisë. Të shesë pasurinë e tij? Kjo ishte në kundërshtim me mësimdhënien e shkronjësve dhe farisenjve. I riu nuk mund të shpëtojë nga laku i traditës së judenjve dhe dashuria për pasurinë. Ai i pasur nuk shikon në personin e Jisu Krishtit, Mesian që pritet, por një njeri të veçantë që të bën për vete, me pikëpamje interesante dhe një dhunti unike komunikimi, prandaj edhe largohet i hidhëruar!

 

* * *

 

Fatkeqësisht, pasuria materiale e bën të dyshimtë, madje edhe vetë besimin tek Perëndia; një besë që do të duhej të shprehet si bindje absolute në mirësinë e Tij, që është e gatshme t’i sakrifikojë të gjitha për dashurinë ndaj Perëndinë dhe të afërmin. Gjithë porositë ekzistojnë për një qëllim: Që të masin kufijtë e marrëdhënieve me Perëndinë dhe të tjerët. Nuk janë shkak që të shfaqim idhullin tonë të rremë, por rast që të vërtetojmë çdoherë besnikërinë tonë ndaj Ligjvënësit hyjnor. Por, në ç’mënyrë? Nëpërmjet dashurisë sonë praktike për krijesën e Tij, që u gatua sipas imazhit dhe në përngjasim me Të.

Nëse do, pra, o njeri, të trashëgosh jetën e përjetshme, nëse dëshiron me të vërtetë komunikimin me Perëndinë, atëherë mëso të kesh dashuri. Kujdesu t’i shmangesh dashurisë së njëanshme, bindjes në fuqitë dhe virtytet e tua. Vendos në qendër të ekzistencës tënde, Perëndinë, dhe ndaje me të tjerët dashurinë e Tij. Bukuria e jetës, rrënja e virtytit, nuk gjenden në égo, por në hapjen tonë të lirë drejt tjetrit, misterit të pagjurmësuar të dashurisë ndaj të afërmit. Ky mister e ka fillimin tek Perëndia Triadike; por këtë Perëndi është e pamundur ta besosh, për sa kohë vërtitesh rreth vetes tënde, për sa kohë qëndron indiferent ndaj të tjerëve.

“Dashuria e Perëndisë dhe dashuria e njerëzve janë dy anët e një dashurie të përgjithshme”, këshillon shën Maksim Konfesori. Dhe apostull Pavli, duke u shkruar Filipjanëve, thekson: “Gjithë privilegjet për sa i përket ligjit të Moisiut, që kisha më përpara si përndjekës i krishterimit, dhe më pas si apostull, gjithë privilegjet dhe avantazhet, që t’i pëlqej Krishtit, i konsiderova si dëm, krahasuar me dijen dhe jetën e Krishtit” Filipjanëve 3:7-8. Këto fjalë që përmbanin shpirtin e apostull Pavlit, i thotë kur e ndjeu veten e tij të pushtuar, të tërhequr nga Krishti.

 

* * *

 

I riu në fjalë -dhe jo vetëm ai- nuk e pa kështu Krishtin. Prandaj edhe e konsideron fitimin e të ndjekurit pas Krishtin, më të vogël nga dëmi i privimit nga pasuria e tij, dhe sprapset. Nëse vëmë re mirë tekstin e Ungjillit, shitja e pasurisë nuk është kusht që të ndjekë dikush Krishtin, por është pasojë e këtij vendimi. Së pari i beson, e dashuron dhe i bindet dikush Krishtit, dhe pastaj e ndjek pas. Dhe duke e ndjekur Krishtin me sinqeritet, është i gatshëm për çdo sakrificë. Të ndjekësh Krishtin do të thotë përkushtim i plotë. “Sepse ku është thesari juaj, atje është edhe zemra juaj” Matheu 6:21.

Kështu, nuk është e pashpjegueshme, si Pjetri dhe nxënës të tjerë braktisën varkat dhe atin e tyre, dhe e ndoqën pas. Gjithashtu doganieri Mathe braktisi punën e vetë dhe e ndoqi pas. Andrea dhe Joani, braktisën mësuesin e tyre shën Joan Pagëzorin. Shën Pavli, privilegjet e tij si judé. II Korinthianët 11:6. Shumë njerëz duhet ta braktisin pasurinë e tyre, kur paraja është gjithçka për ata, kur bëhen skllevër të saj. Ashtu si të tjerë, epshet trupore apo egoizmin e tyre, smirën apo dinakërinë e tyre.

Nëse e studiojmë akoma më me kujdes veten tonë, atëherë ndoshta do të shohim çfarë është ajo që na mban lidhur, na sundon. Na pengon t’i afrohemi lirisht Zotit, na largon nga ambienti i nxënësve të Tij: Mangësi është kjo? Shok? Dëshirë e çdollojshme? Të mira materiale? Interes? Ideologji? Lavdi njerëzore? Çfarëdo qoftë, shpatën që pret këto lidhje, e kemi në dorë. Është vullneti ynë i menjëhershëm, i pavonuar. Dëshira jonë e vendosur dhe e fortë. Dhe mjeti, që do ta mprehësh dhe do ta forcosh, është hiri dhe fuqia e Perëndisë. “Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë”.

 

* * *

 

Shpëtimi ynë është i mundur të arrihet për hir dhe vetëm për hir të dashurisë së Krishtit. Dashurisë së Tij deri në sakrificë për ne. Përgjigjja më e denjë ndaj kësaj dashurie, është dashuria jonë: Një dashuri, e çliruar nga interesat dhe frika, nga kufizime mendore dhe nga përllogaritje ligjore. Një dashuri, që di të heqë dorë nga të drejtat e saj, për hir të të tjerëve. Një dashuri që përjetohet si varfëri vullnetare, si vetëmohim dhe njëkohësisht si bindje absolute tek Perëndia. Kështu, shkëmbimi i ofresës së sakrificës deri në vdekje të Krishtit, duhet të ketë si pasojë dhe kundërofertë, dashurinë tonë deri në sakrifikim për Të.

Kjo shprehet në mënyrë shumë të përmbledhur në një himn të Kishës sonë, në lidhje me sakrificën e dëshmorëve të besës për trashëgimin e jetës së përjetshme, që të arrijnë synimin e tyre, jetën e përjetshme. “O shenjtorë, të tregtisë suaj të mirë! Sepse gjakra ofruat dhe qiejt trashëguat; dhe përkohësisht të sprovuar, përjetësisht ngazëlloheni; me të vërtetë, malli juaj ishte i mirë! Sepse duke braktisur ato që prishen, shijuat të paprishmet, dhe duke vallëzuar bashkë me Engjëjt’ himnoni pa pushim, Trininë e njëqënëshme”. Lutjesorja, periudha e T.I. në pasvargjet e mbrëmësores së të premtes.

Jeta e përjetshme ishte ajo që dëshironte prijësi i pasur, por kjo nuk u realizua, sepse nuk iu bind porosisë. Parapëlqeu pasurinë e tij dhe jo Jisu Krishtin, që është thesari i vërtetë dhe vetë jeta e përjetshme. Kështu, edhe një herë tjetër vërtetohet fjala e lutjes zotërore të Jisu Krishtit: “Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin të vërtetin Perëndi dhe Jisu Krishtin që dërgove”. Joani 17:3.

 

* * *

 

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Duke bërë autokritikë dhe duke matur vazhdimisht pulsin e jetës sonë të brendshme shpirtërore, njëkohësisht le t’i bëjë secili prej nesh, vetes së tij, pyetje të tilla: E bëra vallë thesar të zemrës sime Krishtin? I drejtova mendimet e mia, dëshirat e mia, qëllimet e mia tek Ai? Zbatoj dhe them ato që do Ai? Është e varur vetja ime, të afërmit e mi, çështjet dhe nevojat e mia, çështjet dhe nevojat e të afërmve të mi, nga Ai? Gjej prehje tek Ai? Ia besoj veten time Atij? E dua Até? E sjell me kënaqësi në mendjen time Até, ashtu si i pasuri pasurinë e tij dhe oficeri gradën e vetë? Nëse ndërgjegjja ime përgjigjet me sinqeritet, “Po”, atëherë ai që pyet është me të vërtetë i krishterë!