– Oshënar Amfiloku i Ikoniumit –

Ati ynë i shenjtë Amfiloku lindi mes viteve 340 dhe 345, në Dioqesari, një qytezë në Kapadoki. Rridhte nga një familje aristokrate e pasur dhe e krishterë. Motra e të atit, Nona, ishte e ëma e shën Grigor Theologut dhe gjatë gjithë jetës së tij, shën Amfiloku mbeti mik dhe shok përpjekjesh i tre Etërve nga Kapadokia: Shën Vasilit të Madh, shën Grigorit të Nazianzit dhe shën Grigorit të Nisës.

Pas studimeve të shkëlqyera në retorikë në Antioki pranë Libaniusit të njohur, bashkë me vëllanë e tij, Efimiusin, Amfiloku ndoqi me sukses karrierën si avokat në Konstandinopojë.

Ndonëse ishte ende i ri, fitoi reputacion për dijen dhe ndershmërinë. I ndihmonte të gjithë sa vuanin nga padrejtësia. Pafajësia dhe mirësia e tij bënë që të ndihmonte një kriminel, gjë që i njollosi famën dhe e detyroi të braktiste detyrën, rreth vitit 360.

Përfitoi nga rasti dhe iu përkushtua plotësisht Perëndisë, me nxitjen dhe këshillat e kushëririt të vet, shën Grigor Theologut. Prej shumë vitesh kishte planifikuar me mikun e tij, Iraklidhin, të tërhiqeshin në shkretëtirë, që të jepeshin pa ndonjë përkujdesje bote në punët asketike dhe në soditje. Por hoqi dorë pjesërisht nga ky plan për t’u kujdesur për të atin, i cili kishte mbetur vetëm, i moshuar dhe i sëmurë, në shtëpinë e tyre në Oziziala. Atëherë shenjtori takoi Vasilin e Madh dhe u bë mik i shtrenjtë me të dhe një nga korrespondentët më sistematikë. Imitonte mënyrën e të jetuarit të mësuesit të madh të Qesarisë, por që nga viti 370, kur Vasili u bë episkop, Amfiloku iu shmang me kujdes vizitave, nga frika se mos e thërriste në shërbimin baritor të Kishës.

Megjithatë, më 373, banorët e qytetit të Ikoniumit, kryeqytet i provincës së re të Likaonisë, i kërkuan shën Vasilit t’u gjente një episkop. Vasili zgjodhi pa ngurrim Amfilokun, të cilin e konsideronte si birin e tij shpirtëror. Megjithëse kundërshtoi, në fund e pranoi detyrën, pasi u sigurua nga një vizion engjëlli. Problemet kishtare të kësaj kishe të re ishin të shumta dhe, në mbarë Lindjen, besimi kërcënohej nga qëndrimi i perandorit Valens pro arianizmit. Me ndihmën e shën Vasilit dhe i armatosur me besim të palëkundur, shën Amfiloku luftoi pa u lodhur kundër herezisë me fjalë, me shkrime dhe me shembullin e jetës së tij të shenjtë. I përulur, nuk jepej në gjykimin e tij vetjak për çështje dogmatike, por kërkonte gjithmonë këshillat e mësuesit të tij, shën Vasilit.

Pas vdekjes së këtij të fundit, ku mori pjesë në ceremoninë e varrimit (379), Amfiloku, si episkop i Ikoniumit, e vazhdoi luftën kundër dishepujve të Makedonit, kundërshtarë të hyjnisë së Shpirtit të Shenjtë. Ai e shpjegoi dhe e shtjelloi doktrinën e shën Vasilit, gjatë një sinodi lokal dhe, mbi të gjitha, gjatë Sinodit II Ekumenik, mbledhur në Konstandinopojë më 381, i shoqëruar nga shën Grigor Theologu, shën Grigori i Nisës dhe 1050 Etërit hyjmbajtës që shpallën hyjninë e plotë të Shpirtit të Shenjtë, të bashkësubstancshëm me Atin dhe Birin.

Meqë perandori i ri, Theodhosi i Madh, nuk ishte ende i sigurt në besimin orthodhoks mbi hyjninë e Fjalës, Amfiloku shkoi një ditë në oborr, e përshëndeti me respekt perandorin, por qëllimisht i dha një përshëndetje përçmuese djalit të tij, Arkadhit, që i rrinte përkrah. Pasi sovrani u zemërua dhe e qortoi episkopin për këtë sjellje të guximshme, shenjti u tha: “E shikon, ti, o mbret i tokës, vuan kur përbuzin birin tënd dhe mërzitesh, duke vërejtur se ky përçmim të prek ty personalisht, por sa më tepër Perëndia, Mbreti dhe Ati, i hedh poshtë ata që blasfemojnë Birin e Tij dhe thonë për Të se është më i ulët!”. Sovrani e kuptoi këtë mësim që i dha shenjti dhe filloi të spastronte tërë pasuesit e arianizmit.

Kur u kthye në kishën e tij, shën Amfiloku e kulloti grigjën shpirtërore në vende të gjelbëruara të besimit orthodhoks, duke e ngritur në praktikimin e virtyteve ungjillore. Fjeti në paqe në moshë të madhe, në ditët e fundit të shekullit të 4-t, duke lënë fjalime dhe ligjërata për besimin orthodhoks, prej të cilave ka mbetur vetëm një numër i pakët.

* * * * *

– Oshënar Aleksandër Nevski –

Në epokën më të vështirë të historisë së popullit rus, shën Aleksandri shkëlqeu me guximin dhe virtytet e tij si kryetar i shtetit të krishterë: energjik, vigjilent, mbrojtës i besimit dhe i drejtësisë, mori nga Perëndia detyrën të ishte në shërbim të popullit të tij, të kërcënuar nga të gjitha anët. Që në moshë të re, hyri në ushtri dhe u përgatit në artin e qeverisjes nga i ati Iaroslavi, princ i qytetit të Perejiaslavit.

Më 1228, ende 10 vjeç, bashkë me vëllanë e tij të madh u bë princ i qytetit të madh të Novgorodit. Menjëherë u ndesh me vështirësitë e qeverisjes, sepse banorët e qytetit ishin ndarë nga luftërat vëllavrasëse mes të pasurve dhe të varfërve të shtypur nga taksat dhe tirania e fisnikëve. Më 1231, kjo situatë u rëndua edhe nga zia e bukës dhe një dimër tmerrësisht i ashpër, gjë që solli shumë viktima. Ai nxori tërë rezervat dhe i ndihmonte personalisht si të varfrit, ashtu edhe të pasurit.

Që prej vitit 1223, tartarët e ardhur nga Azia Qendrore kishin pushtuar dhe shkatërruar territore të shumta, dhe mes viteve 1237 dhe 1239, kishin depërtuar në Rusi, duke vrarë e plaçkitur kudo ku shkelnin. Qëndruan në Vladimir, por ndaluan rreth 100 km nga Novgorodi, për t’iu drejtuar më pas Kievit dhe për ta bërë shkrumb e hi. U ndalën atëherë në pjesën juglindore të Rusisë, në një territor me rëndësi strategjike të quajtur “Hordhia e Artë”, duke kontrolluar hyrjen në Detin e Zi, në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.

Pas vdekjes së vëllait më 1236, Aleksandri u bë princ i Novgorodit dhe iu desh të përballonte rrezikun që i vinte nga Perëndimi, nga mbretëria e Suedisë, nga ajo e Lituanisë dhe nga kalorësit teutonikë (urdhër murgëror ushtarak, që vepronte në brigjet e Baltikut mes Polonisë dhe Finlandës, i cili kishte si mision kthimin me dhunë të popujve sllavë dhe baltikë në katolicizëm), po përpiqeshin së bashku të pushtonin territoret e principatave ruse të dobësuara nga invazioni mongol dhe konfliktet mes tyre.

Më 16 korrik 1240, Aleksandri u detyrua të mblidhte një ushtri që të përballonte sulmin masiv dhe të egër të suedezëve në betejën e Nevas. Në të ngrysur, shën Borisi e Glebi u shfaqën mbi një anije të mistershme, duke zbritur nga lumi Neva, duke shpejtuar të vinin në ndihmë të Aleksandrit. Të forcuar nga ky vizion dhe të mbështetur nga Hyjlindësja, Aleksandri dhe njerëzit e tij fituan mbi armiqtë. Me gjithë këtë fitore, populli i Novgorodit, përsëri e dëboi për disa kohë heroin e tij; por një vit më vonë, kur kalorësit teutonikë hynë në Pskov dhe kërcënuan se do të merrnin Novgorodin, ata e thirrën përsëri shenjtin, i cili korri një fitore të madhe dhe historike pranë liqenit Peipus (1242). Atëherë ai u prit triumfalisht në Novgorod dhe kaloi 4 vjet atje, për ta mbrojtur nga inkursionet e lituanezëve.

Kur ndërroi jetë i ati, më 1246, Aleksandri u thirr në “Hordhinë e Artë”, pranë Khanit tartar, bashkë me princa të tjerë. Zakoni kërkonte që t’i bëhej homazh sovranit mongol, dhe t’i nënshtroheshin zakoneve pagane, përndryshe të priste vdekja. Aleksandri e dinte këtë, por për asgjë në botë nuk mund të tradhtonte besimin e krishterë, prandaj edhe u përgatit për vdekjen. Kur mbërriti para Khanit, nderoi sovranin me përkulje të kokës, por refuzoi t’u nënshtrohej riteve pagane, duke thënë: “Madhëri, unë të nderoj, sepse Perëndia të dha pushtetin, por nuk mund të adhuroj idhujt, sepse jam i krishterë dhe adhuroj Perëndinë e vetëm në Tre Persona, Krijuesin e qiellit dhe të tokës”.

Khani, i impresionuar nga guximi i tij dhe duke ditur fitoret e shenjtorit, urdhëroi që të mos i bënin asgjë të keqe, madje ta mikprisnin me të gjitha nderet. Që aty, Aleksandri bashkë me të vëllanë, Andrein, u dërguan te Khani i madh, në Karakorum, në skajet më ekstreme të Mongolisë. U kthye në Novgorod më 1251, i lodhur dhe i sëmurë, por i konfirmuar si princ i Novgorodit dhe i Kievit, duke marrë mbështetjen e pushtuesve.

Më 1252 Andrea, princi i Vladimirit, u ngrit kundër tartarëve dhe u bë aleat me suedezët, gjë që kërcënonte t’i sillte Rusisë vuajtje e ndëshkime. Aleksandri u kthye përsëri te krerët tartarë dhe mundi ta evitonte invazionin. Bleu të burgosur me rezervat e shtetit dhe, pasi kishte siguruar pushtetin mbi të gjithë Rusinë, nisi të mbledhë popullin e shpërndarë të Kievit.

Në të njëjtën periudhë, princi i shenjtë duhet të përballonte edhe kërcënimet e vazhdueshme që vinin nga Perëndimi. Papa i Romës, Inocenti IV, kishte dërguar misionarë te principatat ruse, për ta kthyer popullin orthodhoks në romano-katolikë, por Aleksandri reagoi fuqishëm, duke i refuzuar dogmat e huaja për traditën apostolike që i ishte përcjellë popullit rus nga misionarët bizantinë. Atëherë fuqitë katolike ngritën një “kryqëzatë” të vërtetë kundër tij. Më 1256 suedezët, danezët dhe finlandezët, bashkë me kalorësit gjermanë u sulën drejt Novgorodit, por Aleksandri e mundi koalicionin, madje pushtoi edhe Finlandën.

Më 1260, taksat, që mongolët kërkonin, u rritën dhe ata që nuk mund t’i shlyenin dot merreshin skllevër. Aleksandri u nis përsëri në mision që të kërkonte lehtësimin e taksave, por, i lodhur nga udhëtimi dhe sëmundja ndërroi jetë rrugës, më 14 nëntor 1263, pasi kishte veshur skimën e madhe murgërore në shtratin e vdekjes dhe kishte marrë emrin Aleks.

Në varrin e tij u kryen shumë mrekulli dhe shfaqje, veçanërisht për fitoret e Rusisë kundër mongolëve më 1380, 1552 dhe 1572. Më 1380, lipsani i tij u gjet i paprishur. Në shekullin e 18-të u shpall shenjti mbrojtës i popullit rus nga cari Pjetri i Madh.