– Apostulli – Filimonit 1-25.

Pavli, i burgosur i Jisu Krishtit, edhe vëllai Timothe, Filimonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë, edhe Apfias së dashur, edhe Arkipit, bashkëluftëtarit tonë, edhe kishës në shtëpinë tënde; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.

Falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar ty përherë në lutjet e mia, sepse dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke në Zotin Jisu, edhe në gjithë shenjtët; që të bëhet pjesëmarrja e besimit tënd e frytshme me anë të njohjes së çdo të mire që është ndër ju në Krishtin Jisu. Sepse kemi shumë gëzim dhe ngushëllim për dashurinë tënde, sepse zemrat e shenjtorëve janë prehur me anën tënde, o vëlla.

Prandaj, ndonëse kam shumë guxim në Krishtin të të urdhëroj ty atë që duhet, po për dashurinë më tepër të lutem, duke qenë i tillë, si plaku Pavël, po tani edhe i burgosur i Jisu Krishtit, të lutem për birin tim, Onisimin, që e linda në vargonjtë e mi; i cili dikur qe i padobishëm për ty, po tani është i dobishëm për ty dhe për mua, të cilin e dërgova përsëri. Edhe ti prite atë, që është vetë zemra ime. Unë desha ta mbaj atë pranë vetes që të më shërbejë në vendin tënd, në vargonjtë e ungjillit.

Por pa mendimin tënd nuk desha të bëj asgjë, që të mos jetë e mira jote nga nevoja, po me dashje. Sepse mbase prandaj u nda prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përjetë, jo më si shërbëtor, po më tepër se shërbëtor, vëlla të dashur, veçanërisht për mua, po sa më tepër për ty, edhe në mish, edhe në Zotin. Nëse më ke pra pjesëtar, prite atë si mua.

Edhe në qoftë se të ka bërë ndonjë paudhësi, ose të ka detyrim, këtë ma ngarko mua. Unë Pavli shkrova me dorën time, unë do të paguaj; që mos të të them se edhe veten tënde ma detyron. Po, o vëlla, le të marr unë prej teje këtë të mirë në Zotin; prehe zemrën time në Zotin.

Duke pasur shpresë se do të më dëgjosh të shkrova, sepse e di se edhe më tepër se ç’të them do të bësh.

Njëkohësisht bëmë gati edhe vend për të ndenjur, sepse shpresoj se me anë të lutjeve tuaja do t’ju dhurohem juve.

Të përshëndet Epafrai, shoku im i burgut në Krishtin Jisu, Marku, Aristarku, Dhimai, Llukai, bashkëpunëtorët e mi.

Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me frymën tuaj. Amin.