51-vjetori i hirotonisë
së Fortlumturisë së Tij, Anastasit, në gradën episkopale
Më 19 nëntor 1972, Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë zgjodhi me votë unanime Profesorin e Shkollës Teologjike të Universitetit të Athinës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, Arkimandritin Anastas Janullatos si Episkop Titullar, me titullin të “Episkopatës dikur të shkëlqyeshme të Andrusës”.
Me këtë rast, në ditën e diel, 19 nëntor 2023, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u kremtua Liturgjia Hyjnore. Ajo u krye nga Kryepiskopi Anastas, në bashkëmeshim me Mitropolitin të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollën; të Elbasanit, Hirësi Andonin; të Amantias, Hirësi Nathanaili, Episkopin e Bylisit, Hirësi Astin.
Në emër të klerit dhe besimtarë Kryepiskopin Anastas e uroi Hirësi Nikolla dhe në fund Fortlumturia e Tij falënderoi për urimet e ngrohta.
Pas Liturgjisë festimi u zhvendos në amfiteatrin Qendrës Kulturore, ku u mblodhën besimtarë, punonjës të institucioneve të Kishës, por mbi të gjitha nxënës dhe mësues nga të gjitha shkollat e ngritura nga Kryepiskopi Anastas, pjesë të Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, të cilët kishin përgatitur një shfaqje artistike festive. Në fillim, drejtori i këtij fondacioni, z.Andrea Rëmbeci, foli për kontributin e madh të Fortlumturisë së Tij para ardhjes në Shqipëri. Veprimtaria vazhdoi me një dokumentar të shkurtër përmbledhës për veprën e Kryepiskopit Anastas.
Më pas filloi shfaqja, me një këngë nga fëmijët kopshtit të shkollë “Protagonistët, e cila vazhdoi me programin e përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle. Me radhë në skenë u ngjitën nxënësit e shkollave të Durrësit, Korçës, Gjirokastrës dhe të Kolegjit Universitar “Logos”. Ato u shoqëruan edhe me urimet për Kryepiskopin, të përgatitura nga fëmijët dhe të rinjtë.
Në fund në skenë u ngjit Kryepiskopi Anastas, i cili falënderoi për urimet e ngrohta dhe shfaqjen e bukur. Ai përmendi disa nga dhurimet që i janë bërë Kishës sonë së fundmi, si kisha në ndërtim e Shën Prokopit, Rezonanca Magnetike, Skaneri dhe farmacia në Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi”, duke theksuar se çdo përvjetor duhet të jetë një hap i ri, për të bërë më shumë për Kishën.
Veprimtaria kulmi me foton e Kryepiskopit Anastas me fëmijët dhe të rinjtë që morën pjesë në shfaqje.
Foto Album nga Liturgjia Hyjnore:
Foto Album nga Koncerti i mbajtur në amfiteatrin Qendrës Kulturore: