– Ungjilli – Llukai 15:1-10
Edhe gjithë tagrambledhësit e mëkatarët i afroheshin, që ta dëgjonin. Edhe Farisenjtë e shkruesit murmurisnin, duke thënë se ky pret mëkatarë dhe ha bashkë me ta.
Edhe ai u tha atyre këtë paravoli, duke thënë: Cili njeri prej jush, në pastë njëqind dhen, dhe të humbë një prej tyre, nuk lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, dhe nuk shkon të kërkojë të humburën, deri sa ta gjejë? Edhe si ta gjejë, e vë mbi supet e tij duke u gëzuar. Edhe kur vjen në shtëpi, thërret miqtë dhe fqinjët, e u thotë atyre: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta delen time të humbur. Po ju them juve, se kështu do të jetë më tepër gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim.
Apo cila grua që ka dhjetë dhrahmi, në i humbtë një dhrahmi, nuk ndez kandilin dhe nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes, deri sa ta gjejë? Edhe si ta gjejë, thërret mikeshat e fqinjat, duke thënë: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta dhrahminë që humba. Kështu, po ju them juve, bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.