Dëshmorët Guria, Samonai, Habibi (Avivi).
Martirët e shenjtë Guria dhe Samonai ishin priftërinj në krahinën e Edesës, kur perandori Dioklecian nisi persekutimin e madh (303). Të akuzuar se ndihmonin të krishterët nëpër burgje dhe se u jepnin zemër besimtarëve që t’i kundërshtonin kërcënimet dhe të qëndronin të fortë në besim, ata i nxorën para qeveritarit, i cili u përpoq t’i bindte që të mohonin fenë e tyre. Por të dy rrëfyesit refuzuan, duke thënë: “Nuk e tradhtojmë Perëndinë e vetëm që është në qiell, nuk përkulemi para një imazhi të bërë me dorë njeriu. Adhurojmë Krishtin Perëndi, që nga mirësia na shpëtoi nga faji; Ai është drita jonë, mjeku dhe jeta jonë”.
Qeveritari i akuzoi se u rebeluan kundër urdhrave të perandorit dhe i kërcënoi se, nëse këmbëngulnin, do t’i linte të vdisnin në tortura të tmerrshme. “Nuk do të vdesim, siç thua, por do të jetojmë, sipas besës sonë, nëse bëjmë vullnetin e Atij që na krijoi, u përgjigjën ata. Nuk na trembin torturat. Për pak janë dhe kalojnë pa lënë gjurmë. U druhemi mundimeve të përjetshme që janë ruajtur për të pabesët dhe mohuesit. Perëndia ynë do të na ndihmojë të durojmë torturat që nuk zgjasin shumë dhe pastaj do të zhduken, kur shpirti të lërë trupin”. I tërbuar nga këto fjalë, qeveritari dha urdhër t’i burgosin me priftërinjtë dhe dhjakonët e tjerë.
Disa ditë më vonë, i nxorën nga burgu dhe i varën për pesë ditë nga një dorë. Meqë nuk nxorën zë gjatë torturave dhe fjalëve të xhelatëve u përgjigjeshin me një shenjë mohimi të kokës, i hodhën në një birucë që quhej “vrima e errët”, ku ndenjën për tre muaj e gjysmë në errësirë të plotë, pothuajse pa pirë e pa ngrënë.
Kur i nxorën përsëri para gjyqit, ata treguan të njëjtën vendosmëri dhe i thanë qeveritarit: “E thamë se besimi dhe fjala jonë nuk ndryshojnë: bëj ç’të ka urdhëruar perandori. Ke pushtet mbi trupat tanë, por jo mbi shpirtrat.” I varën nga këmbët, por ata vazhduan t’i luteshin Perëndisë t’u jepte durimin e patriarkëve, të profetëve, të apostujve dhe të martirëve që vuajtën më parë për të Vërtetën.
Përfundimisht, vendimi i vdekjes u dha më 15 nëntor. Ushtarët morën Samonain, të cilit i kishin thyer kupat e gjurit, dhe e çuan në gjyq, edhe Gurian e mbanin për shkak të moshës së tij. Kur dëgjuan vendimin, fytyra iu ndriçua nga gëzimi dhe thanë: “Jemi më të mjerët e njerëzve. Nuk e meritojmë të llogaritemi me të drejtët dhe të krahasohemi me ta. Por fjala e mësuesit tonë na ngushëllon: Ai që humb jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë (Matth. 10.39). Lavdi Jisu Krishtit që na gjykoi të denjë të durojmë mundime për emrin e Tij”. Para se t’u prisnin kokat, xhelati u tha: “Lutuni për mua, ju përgjërohem, sepse po bëj keq para Perëndisë”. Samonai dhe Guria ranë në gjunjë, të kthyer drejt lindjes dhe iu drejtuan Perëndisë duke thënë: “Atë i Zotit tonë Jisu Krisht, prano shpirtrat tanë dhe ruaji trupat tanë për ngjalljen.” Ulën qafën para xhelatit dhe ua prenë kokat njëri pas tjetrit.
Kur populli i qytetit mori vesh ekzekutimin e dy martirëve, vrapoi për në vendin e ngjarjes për të marrë trupat dhe mblodhën edhe pluhurin që thithi gjakun e tyre. U varrosën me temjan, erëra të mira, psalme e këndime që ofroheshin për lavdi të Perëndisë, i Cili kishte dëftuar forcën e Vet në këmbënguljen e martirëve.
Shën Habibi ishte dhjak në kohën kur Liciniusi, pas Dioklecianit, shpalli një përndjekje të re kundër të krishterëve (309). Shkonte fshehtazi nëpër fshatrat e Edesës, për të mbledhur besimtarët në kishë, u lexonte Shkrimet dhe i nxiste të ngulmonin në të vërtetën e besës. Kur e mori vesh qeveritari, Lisani, u inatos dhe nisi të kërkonte dhjakun. Nuk arriti ta gjente, ndaj kapi familjen dhe njerëzit e fshatit të tij. Kur Habibi e mësoi këtë lajm, u nis për në Edesë dhe u dorëzua te komandanti i gardës së qeveritarit. Ky i fundit u përpoq ta bindte që të largohej fshehurazi, duke i thënë se familja e tij nuk rrezikonte asgjë, por shenjti këmbënguli, i bindur se vullneti i Perëndisë ishte të martirizohej.
Kur e morën në pyetje, Habibi u tregua i vendosur dhe i përbuzi idhujt, prandaj dhe qeveritari e kamxhikoi pa mëshirë. Disa ditë më vonë, e paraqitën para Lisanit. E varën dhe i shqyen mishin, duke ia çarë me krehër hekuri. Kërcënimeve të reja dhe të tmerrshme, shenjti iu përgjigj: “Këto vuajtje ma forcojnë më tepër vullnetin, si pema që ujitim dhe jep frut.” Duke parë pafuqinë e tij, tirani i tha: “Feja jote të mëson të urresh trupin tënd dhe të gjesh kënaqësi në vuajtje?” – “Nuk i urrejmë trupat tanë, u përgjigj Habibi, por gëzohemi duke parë realitetet e padukshme, të vërtetuara nga ky premtim që vuajtjet e kësaj jete nuk janë asgjë para lavdisë që është ruajtur për ata që duan Krishtin (Rom. 8.18)”. Meqë vdekja nga shpata i dukej e ëmbël, qeveritari urdhëroi ta digjnin me zjarr të ngadaltë. E morën për ta vrarë, duke e tërhequr me një rrip që ia kishin lidhur në gojë. E ëma i shkonte nga pas, e veshur me të bardha si për ditë feste. Kur arriti në vendin e ekzekutimit, Habibi u lut, pastaj u kthye duke bekuar turmën që kishte ardhur për ta shoqëruar dhe që e uroi shenjtin të gjente paqen. Kur zjarri nisi të kërciste, ai hapi gojën dhe dha shpirt përnjëherë.
Të krishterët e nxorën nga zjarri, e vajosën dhe e lyen me erë të mirë. Trupi i tij i shenjtë u varros në të njëjtin varr ku ishin vendosur edhe Guria me Samonain.
* * * * *
Oshënar Pais Velickofski.
Ati ynë Paisi lindi më 1722, në një familje të madhe. I ati ishte prift i qytetit të Poltavës në Ukrainë. I butë, i përmbajtur, me një zgjuarsi të gjallë, mësoi shpejt të lexonte dhe u zhyt me pasion në studimin e Shkrimit të Shenjtë, të jetëve të murgjve të shenjtë, si dhe të shkrimeve të Etërve të Kishës, veçanërisht për asketizmin dhe dërrmimin e shpirtit. U dërgua për të vazhduar studimet në Akademinë kishtare të Kievit, por shpejt u zhgënjye nga mësimdhënia e thatë, e ndikuar nga skolastika latine dhe kultura pagane, si dhe nga shembujt e këqij që pa atje.
Pas 4 vjetësh, braktisi studimet dhe u nis në kërkim të një ati shpirtëror dhe të një manastiri, ku do të mund të jetonte në varfëri si Krishti. Qëndroi në shumë manastire, u bë rasofor me emrin Platon, më pas dëgjoi të lavdërohej jeta që bëhej në skitet e Moldavo-Vllahisë (Rumania sot), ku ishin strehuar murgjit më të mirë rusë, të përndjekur nga reformat e Pjetrit të Madh dhe shkoi shpejt atje bashkë me murgj të tjerë. Jetoi për disa vjet në kushtet ideale për jetën murgërore, pranë etërve që ndiqnin besnikërisht mësimdhëniet e Etërve të shenjtë, dhe tregoi cilësitë e një dishepulli të vërtetë: bindje absolute, përulësi, dashuri për vëllezërit, qëndrueshmëri e gëzim në prova, zell për meditimin e lutjen. Etërit, kur panë përparimin e shenjtit, donin ta dorëzonin prift para moshës kanonike (30 vjeç), por, duke iu druajtur udhëzimeve të Traditës së Shenjtë, ai braktisi manastirin e tij dhe Rumaninë, për të shkuar në destinacionin e shumëdëshiruar, në Malin e Shenjtë.
Për shkak të pushtimit turk, situata në Malin Athos nuk ishte e mirë: padituria mbretëronte dhe njerëzit shpirtërorë ishin të rrallë, si midis murgjve grekë, ashtu edhe atyre sllavë. Ngaqë nuk gjeti një atë shpirtëror pas përpjekjeve që bëri, Platoni u vendos vetë pranë Manastirit Pantokrator, duke pasur si udhëzues Ungjillin, shkrimet e Etërve dhe dëshminë e ndërgjegjes së tij. Jetonte në varfëri ekstreme, hante një herë në dy ditë, luftonte shumë kundër mendimeve dekurajuese. Pas 4 vjet përpjekjesh, Vasili, një jeront që kishte njohur në Rumani, gjatë një vizite në Malin Athos, e qethi murg me emrin Pais dhe e këshilloi të kishte pranë edhe shokë të tjerë, për t’u shpëtuar rreziqeve të jetës vetmitare të parakohshme.
Pak kohë më vonë, një murg rumun i quajtur Visarion, i cili, ashtu si Paisi nuk kishte gjetur atë shpirtëror, i kërkoi shenjtit me lot ta pranonte si nxënësin e tij. Duke e gjykuar veten të padenjë për të mësuar të tjerët ai e pranoi, por jo si dishepull, por si shok asketizmi. Jetuan në bindje ndaj njëri-tjetrit, duke pasur një shpirt e një zemër vetëm për Zotin. Jeta e tyre ishte kaq e pëlqyeshme, saqë erdhën edhe vëllezër të tjerë rreth tyre, rumunë e sllavë. Kur numri i vëllazërisë arriti në 12, filloi jeta e përbashkët, pasi jeta në një manastir me jetë të përbashkët është ikona e jetës së apostujve të shenjtë, mbledhur rreth Zotit dhe e Liturgjisë së vazhdueshme rreth fronit të Mbretit Qiellor.
Më 1758, me kërkesën e vëllezërve të tjerë, pranoi të bëhej prift dhe ati i tyre shpirtëror. Me gjithë vështirësitë materiale, vëllazëria u rrit, ndaj ndryshuan vend. Shkuan te Skiti i Profetit Ilia dhe u përpoqën t’i jepnin jetë Manastirit të Simonopetrës. Por turqit nuk i lanë të qetë, prandaj u larguan nga Athosi për t’u vendosur në Rumani (1763).
Paisi dhe 70 dishepujt e tij u pritën me gëzim nga mitropoliti i Moldavisë, i cili u dha Manastirin e vogël të Ngushëllimtarit, në Dragomirna. Paisi vendosi jetën e përbashkët sipas modelit athonit dhe në përputhje me porositë të Etërve të shenjtë. I zhveshur nga çdo e mirë materiale dhe çdo lidhje me botën, duke hequr dorë vazhdimisht nga vullneti vetjak, secili qëndronte me ndërgjegje të zbrazur para Perëndisë, duke pasur si ndërmjetues atin e tyre të përbashkët, simbol i gjallë i Krishtit.
“Bindja, mësonte ai, është shkalla, e cila të çon nga toka në qiell, rruga që të çon në papasionshmëri. Duke hequr dorë nga vullneti personal në shumë raste që ofron jeta e përbashkët, me përulësi, paqe e frikë Perëndie, murgu mund të ruajë vazhdimisht kujtimin e Perëndisë dhe të thërrasë në fshehtësi emrin e shenjtë të Jisuit”.
Kur hynte në qeli, meditonte gjatë për Shkrimet e bënte metani me lot. Në vëllazërinë murgërore të Paisit të lumur u adaptuan për herë të parë në kushtet e jetës kinoviake metodat e lutjes së brendshme, që deri atëherë ishin rezervuar vetëm për eremitët dhe asketët. Në kishë shërbesat ishin të rregulluara në mënyrë të përsosur, një kor psalte në sllavisht dhe tjetri përgjigjej në rumanisht. Çdo mbrëmje murgjit rrëfeheshin te jeronti, në mënyrë që perëndimi i diellit të mos i gjente të zemëruar (Ef. 4.26) ose në grindje. Por nëse ndonjëherë një vëlla ishte i zemëruar me një tjetër, e kishte të ndaluar të hynte në kishë, madje edhe të thoshte lutjen “Ati ynë”.
I lumuri Pais e udhëhiqte grigjën e tij, e cila shtohej pa pushim, duke u thelluar me devotshmëri në shkrimet e mësuesve të mëdhenj të murgërisë. I trajtonte tekstet me gjithë respektin, përulësinë, dashurinë e një dishepulli për atin e tij shpirtëror. Që nga vitet që kishte studiuar në Kiev, kishte përvojë të hidhur të pamjaftueshmërisë së përkthimeve të vjetra sllave, që e bënin shpesh tekstin të pakuptueshëm dhe të cilat më kot përpiqej t’i krahasonte midis tyre.
Kur ishte në Malin e Shenjtë, Paisi filloi të mësonte greqishten e vjetër dhe ndërmori me durim shqyrtimin e një sërë dorëshkrimesh të teksteve të etërve në gjuhën e tyre origjinale. Në Dragomirna punoi pa pushim, me respekt të admirueshëm dhe me një metodë të ashpër e kritike në korrigjimin dhe dalëngadalë edhe në përkthimin nga greqishtja të shumë veprave të Etërve, si: shën Andoni, shën Hezikiusi, shën Makari, shën Diadoku, shën Filothe Sinaiti, shën Theodhor Studiti, shën Simeoni Theologu i Ri, shën Grigor Sinaiti e mbi të gjitha ava Isak Siriani. Me ndihmën e një grupi bashkëpunëtorësh që shtohej vazhdimisht, korrigjonte shpesh përkthimet dhe i përdorte në praktikë me leximin dhe komentimin e tyre në mbledhjen e vëllazërisë, një natë në sllavisht dhe natën tjetër në rumanisht.
Pas luftës ruso-turke (1774) vëllazëria e braktisi Dragomirnën dhe u vendos në Seku. Por vëllazëria u rrit shumë, prandaj Paisi vendosi ta ndante në dy pjesë familjen shpirtërore dhe u vendos me shumicën e murgjve në manastirin afër Neamtsit (1779), qendër e jetës shpirtërore e Moldavisë që nga shekulli i 14-të. Ushtria murgjërore arriti shumë shpejt numrin e 1000 murgjve: 700 në Neamts dhe 300 në Seku dhe, përveç aktiviteteve liturgjike e shpirtërore, u organizuan edhe aktivitete bamirëse që vareshin nga manastiri. Vizitorë vinin nga Rusia dha nga tërë anët e Ballkanit. Admironin rregullin, paqen, dashurinë reciproke, devotshmërinë që ekzistonte dhe shumë prej tyre qëndronin për t’u bërë murgj. Paisi, me gjithë punën e madhe të përkthimit, pranonte këdo që i kërkonte këshilla dhe mbante një korrespondencë të gjerë me gjithë botën sllave.
Fjeti në paqe më 15 nëntor 1794, një vit pas publikimit të përkthimit të parë sllavisht të Filokalisë, botuar 10 vjet më parë në greqisht nga shën Makari i Korinthit (17 prill) dhe shën Nikodhim Agjioriti, e cila përbëhej kryesisht nga përkthimet e përgatitura që më përpara nga Paisi e nxënësit e tij. Përkthimet dhe rrezatimi i tij shpirtëror ishin origjina e një lëvizjeje për ripërtëritjen e jetës shpirtërore dhe për rimëkëmbjen e murgjërisë tradicionale, e cila zgjati deri në Revolucionin e vitit 1917.