– Dëshmor Jeroni dhe 33 Dëshmorët në Melitinë –
Shën Jeroni ishte nga Tiani (Kapadoki). Jetonte në thjeshtësi dhe qetësi duke punuar arën e tij në kohën e sundimit tiranik të Dioklecianit dhe Maksimianit (rreth 290). Të pakënaqur me persekutimin e të krishterëve, këta dy tiranë rekrutonin me dhunë në ushtrinë e tyre tërë njerëzit me vlerë dhe të fuqishëm, për të kënaqur etjen për pushtime. Meqë Jeroni shquhej në tërë krahinën e Kapadokisë për fuqinë dhe burrërinë e tij, guvernatori Lisia vendosi ta fuste në trupat e tij.
Një ditë, kur shenjti punonte në arë, dërgoi dy ushtarë për ta marrë. Kur i pa të vinin, shenjti kuptoi menjëherë se përse bëhej fjalë dhe se rekrutimi nuk kishte të bënte me përballjen me rreziqet e jetës ushtarake, por, mbi të gjitha, do ta detyronin të mohonte besimin te Krishti për të sakrifikuar te perandori, i cili konsiderohej si perëndi nga romakët. Kapi dorezën e drunjtë të belit dhe iu vërsul ushtarëve, të cilët ia mbathën të plagosur. Por u kthyen më vonë me përforcime dhe e gjetën shenjtin të fshehur në një shpellë me 18 të afërm dhe miq. Për të shmangur një konflikt të përgjakshëm, Jeroni, me nxitjen e vëllait të tij, Qiriakos, pranoi të dorëzohej te ushtarët dhe ta çonin te guvernatori në Militinë.
Kur ra mbrëmja, një engjëll iu shfaq shenjtit dhe e siguroi se nuk do ta udhëhiqte drejt betejave për një mbretëri tokësore, por drejt një beteje përfundimtare, të lavdishme, që do t’i hapte portat e Mbretërisë së përjetshme. Të nesërmen në mëngjes, i mbushur me gëzim, shenjti u tha prindërve, që i kishin arrestuar bashkë me të, se Perëndia i kishte zbuluar se cili qe misteri që Providenca kishte përgatitur për të dhe se kjo udhë e robërisë do shërbente për ta çuar në Qiell.
Kur e çuan në Militinë, u burgos bashkë me 33 të krishterë të tjerë. Kohën e kalonin duke fuqizuar besimin dhe duke i dhënë zemër njeri-tjetrit për jetën që do t’i ofronin Perëndisë si blatë lavdërimi. E nxorën para guvernatorit, i cili e akuzoi si kryeneç, pasi nuk u ishte bindur urdhrave të tij dhe kishte përdhosur idhujt. Përveç kësaj, kur mësuan se ai ishte Jeroni që kishte rrahur ushtarët, në vend që tirani të admironte kurajën e shenjtit, urdhëroi ta torturonin dhe t’ia prisnin dorën. Si i duroi me gëzim këto keqtrajtime, e futën në burg, në pritje të një gjyqi të dytë. Një nga shokët e tij, Viktori, i cili qe edhe i afërm me Jeronin, nga frika e torturave që e prisnin, i kërkoi fshehurazi rojës së burgut ta linte të ikte në këmbim të arës.
Kur ushtari i Krishtit e mori vesh arratisjen e Viktorit, qau, vajtoi për shortin e trishtueshëm të shokut të tij, i cili, për të shpëtuar jetën e tij të përkohshme, u privua nga jeta e përjetshme dhe shijimi pa fund me të zgjedhurit, duke u dënuar në flakët e ferrit. E vizituan shokët e tij, të cilët ishin ende të lirë dhe u besoi dëshirat e fundit. I kërkoi motrës së tij, Theotimës, të celebronte për vit kujtimin e tij dhe e porositi t’ia çonin lipsanin e dorës nënës së tij të varfër dhe të verbër, si ngushëllim në dhimbjen e saj.
Ditën e katërt, e nxorën përsëri para Lisias bashkë me shokët e tij. Më kot e rrahën me shkopinj, pastaj urdhëruan t’ia prisnin kokën. Duke ecur drejt vendit të dënimit, martirët këndonin psalmin e gjatë të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë: “Lum ata që janë të paqortueshëm në udhë, që ecin sipas Ligjit të Zotit” (Ps. 118).
Kohë më vonë, të afërmit e shenjtit kërkuan t’i blinin lipsanin. Guvernatori lakmitar përfitoi nga rasti dhe kërkoi ar sa pesha e tij. Guvernatori pranoi gjithashtu të ndërtohet një kishë në nder të shenjtorit në vendet e martirizimit të tij.
* * * * *
– Oshënar Llazari, Çudibërës –
Ati ynë i shenjtë Llazar lindi më 968 në një fshat afër Magnezisë së Meandrës. Në çastin kur lindi, një dritë verbuese mbushi befas shtëpinë dhe i nxori jashtë gratë që ishin atje. Kur ato u kthyen, gjetën foshnjën në pozicion lutjeje, me duar të kryqëzuara në kraharor dhe me fytyrë të kthyer nga Lindja.
Në moshën 6-vjeçare prindërit e tij e besuan te një prift i quajtur Leont, që t’i mësonte Shkrimet e Shenjta. 3 vjet më vonë, u dërgua në Orobos te noter Gjergji, që të ndiqte edukimin e tij dhe pas 3 vjetësh të tjera, xhaxhai i tij, Ilia, murg në manastirin e Kalathoit, e mori me vete për ta përsosur në shkencat kishtare. Gjatë këtyre viteve të formimit të tij, Leoni (ishte emri që mori në pagëzim), u dallua për butësinë, përulësinë, studimin dhe më tepër për zellin në lutje dhe shërbesat hyjnore.
Dhembshuria dhe dashuria që kishte i riu për të varfrit, bënin që të shpenzonte tërë burimet e pedagogëve të tij në lëmoshë. Kjo i kushtoi, se shumë herë u rrah për shkak të bujarisë së tij. Nga dëshira e flaktë që kishte për të vizituar Vendet e Shenjta, u largua nga manastiri. Por xhaxhai i tij e solli prapë në manastir, e mbajti dy vjet dhe e dërgoi në manastirin e Strubilionit, pranë një noteri, i cili ishte ngarkuar ta përsoste në shkencat juridike. Por shumë shpejt Leoni u bë mësuesi i tij në shkencën e shkencave dhe në artin e arteve.
Pas 3 vjetësh, ai bëri edhe një tjetër tentativë për të vizituar Vendet e Shenjta. E kapën dhe e kthyen mbrapsht. Pas 10 vjetësh, me bekimin e një stiliti të vetmuar, Leoni arriti të realizonte planin e vet. Rrugës takoi një asket të shenjtë, i cili ia ktheu mendjen të mos shkonte atje, për shkak të rreziqeve që i kanoseshin gjatë pelegrinazhit, por të tërhiqej në një manastir në rrethinat e Atalias. Atje ai veshi skimën engjëllore dhe mori emrin Llazar. U dha me zell në tërë ushtrimet e asketizmit. E donte kreshmën dhe i nënshtrohej me të njëjtën lakmi si grykësi ushqimit. Me vigjilencën e tij e kishte holluar trupin, ndërsa shpirtin e kishte aftësuar të jepej në lartësitë e soditjes. Heqja dorë nga vullneti vetjak dhe bindja ndaj igumenit dhe atit shpirtëror bënë që të kthehej në një model për murgjit e tjerë në këtë virtyt themelor. Por, disa kohë më pas, fjeti ati i tij shpirtëror dhe Llazari mori nga igumeni i ri bekimin për të jetuar në një shpellë diku aty afër, që të ishte krejt i vetëm me Perëndinë.
Për 7 vjet luftoi heroikisht kundër tundimeve të demonit, pastaj, më në fund, shkoi në Jerusalem. Si nderoi bazilikën e shenjtë të Ngjalljes dhe vende të tjera të shenjta, vizitoi manastirin e Shën Savës, ku u pranua të hynte. Por dashuria e tij për vetminë dhe zelli për asketizmin nuk vonuan të krijonin vështirësi në komunitet, ndaj igumeni i dha bekimin të largohej. Atëherë Llazari shkoi në manastirin e Shën Efthimit, por ndenji për pak kohë. U kthye sërish në Shën Sava, ku u prit me gëzim nga vëllezërit. Qëndroi për 6 vjet si kishtar dhe, pa dëshirën e tij, u dorëzua prift nga patriarku i Jerusalemit.
Sipas traditës së vjetër të murgjve të Palestinës, që nga fillimi i Kreshmës së Madhe deri të Dielën e Palmave, Llazari e kishte zakon të tërhiqej në shkretëtirën e thatë dhe përvëluese, pa marrë asgjë me vete. E linte veten në duart e Providencës së Perëndisë, duke u ushqyer me bimë që gjente dhe pinte ujë në sasi të pakët. Në atë kohë saraçenët kishin pushtuar qytetin e Jerusalemit dhe rrethinat e tij, dhe shenjti, me një zbulim hyjnor, u bind të merrte udhën për në atdhe bashkë me disa shokë të tij.
Kur u kthye në Efes, iu bashkua dy murgjve të tjerë që asketizonin jo larg qytetit, pranë një kishe kushtuar shën Marinës. Llazari ndërtoi atje një shtyllë të mbuluar me çati, ku u ngjit që të ushtrohej ashpër. Disa kohë më vonë ia hoqi dhe çatinë, që të imitonte më me përsosmëri tipin e jetës së shën Simeon Stilitit (1 shtator). Qëndroi kështu në platformën e tij në çdo kohë e stinë, i dhënë te Perëndia para botës, engjëjve dhe njerëzve, sipas fjalës së apostujve (I Kor. 4.9).
Fama e tij u përhap me shpejtësi në atë zonë dhe vinin shumë njerëz jo vetëm për t’i marrë bekimin, por edhe për të dëgjuar mësimet e tij shpirtërore, madje të varfrit vraponin që të merrnin ushqimin që shenjti shpërndante pa llogaritur veten. Ishte tepër bujar dhe për këtë, nga frika se mos mbeteshin fare pa gjë, dy shokët vendosën të ndaheshin prej tij. Por dishepuj të tjerë dëshironin të ishin nën drejtimin e Llazarit, prandaj bënë disa qeli rrëzë shtyllës dhe ndërtuan një kishëz. Shenjti qëndroi 7 vjet mbi shtyllë. Flinte për pak çaste, hante pak elb dhe pinte disa gllënjka ujë. U ngarkua me zinxhirë të rëndë, si etërit të tjerë të shenjtë. Megjithatë, nuk e gjente qetësinë e kërkuar.
Kështu një natë, pa dijeninë e askujt, zbriti nga shtylla dhe u fsheh në një shpellë, të cilën e kishte shenjtëruar më përpara murg Pafnuti, në shkëmbinjtë e thepisur dhe të rrezikshëm të malit Gales. Qëndroi atje vetëm 6 muaj, sepse mitropoliti i Efesit i dha urdhër të kthehej te Shën Marina, që të kujdesej për dishepujt. Më vonë, u kthye në shpellë i shoqëruar nga 5 murgj të tjerë. Rrinte vetëm në shpellë; çdo javë vëllezërit vinin dhe i sillnin një shtambë me ujë e disa perime. Dilte prej saj vetëm për t’u ngjitur në një shtyllë të re, që kishte ndërtuar vetë. Jetoi në mohim të plotë. Një ditë, edhe pse e kishte boshatisur shtambën, nuk zbriti nga shtylla, sikur të vdiste nga etja. Pak nga pak erdhën edhe dishepujt atje. Ndërtuan qeli dhe një kishë kushtuar Shpëtimtarit.
Më vonë, pas 12 vjetësh, Llazari ndërtoi një qeli të re në pjesën më të lartë të luginës.
Dhe, kur streha e tij u bë gati, shkoi atje pa e ditur askush. Në këtë vend të ri shenjti vuajti nga sulmet e demonëve, të cilët, pasi nuk arrinin ta bindnin me ngacmimet e papastra, e qëllonin me gurë. Njëherë dëgjoi të flitej për një grua që jetonte në shtyllë, mbyllur në një dhomëz, e cila nga një e çarë e murit i linte këmbët të vareshin jashtë. Nga dëshira për të marrë pjesë edhe më shumë në vuajtjen e Krishtit, shenjti donte ta imitonte, por, me këshillat e urta të dishepujve dhe nënës së tij më në fund hoqi dorë nga ky sakrifikim i tepruar deri në vdekje, pak i favorshëm për ndërtimin e njeriut të brendshëm. Shtylla i dedikohej Hyjlindëses. Ngjitur me të u ndërtua edhe një kishëz, ku herë pas here vinte një prift për të kryer Liturgjinë Hyjnore. Nga etja e tij e pashuar për vetminë, Llazari e braktisi edhe atë vend dhe shkoi në një shtyllë të tretë, e cila, si dy të mëparshmet, u bë qendër e grupimeve murgërore dhe mori emrin e Ngjalljes së shenjtë.
Kur Llazari ndërroi jetë, ky vend numëronte rreth 40 murgj, ndërsa dy të mëparshmit kishin 12 murgj secili. Shenjti qëndroi vetëm me Perëndinë, i varur mes qiellit dhe tokës, por dinte gjithashtu të kujdesej për nxënësit e tij në detajet më të vogla të jetës së tyre. Shtylla e tij anonte nga kisha dhe komunikonte me të nëpërmjet një dritareje të vogël, prej nga shenjti mund të mbikëqyrte vigjilencën e murgjve të tij kur psalnin apo kur bisedonin me vizitorët.
Shën Llazari u hirësua nga Perëndia për dhuntinë e largpamësisë dhe të profecisë. Paratha që më parë datën e vdekjes së tij; por, me kërkesën e dishepujve të tij, të cilët e lutën të qëndronte edhe pak kohë në jetë për shpëtimin e tyre, iu lut Hyjlindëses dhe ajo i dha 15 vjet jetë shtesë. Më 1054, shenjti kërkoi të vinte dishepulli i tij, Nikolla, dhe 8 ditë para fjetjes i tregoi me detaje testamentin e tij shpirtëror, por vendosi firmën e tij vetëm ditën kur vdiq, më 8 nëntor. U varros pranë shtyllës, falë së cilës e kishte ngjitur shpirtin drejt Qiellit, para se të ndahej nga trupi.