– Apostulli – Kolosianëve 4:2-9
Qëndroni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderime; duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që të na hapë Perëndia derën e fjalës, që të themi misterin e Krishtit, për të cilin edhe jam burgosur; që ta shfaq atë, sikurse më duhet të flas.
Ecni me urtësi para atyre që janë jashtë, duke fituar kohën. Fjala juaj le të jetë përherë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit.
Gjithë punët e mia do t’jua tregojë Tihiku, vëllai i dashur, edhe punëtor besnik e shërbëtor bashkë me mua në Zotin, të cilin e dërgova tek ju pikërisht për këtë, që të marrë vesh punët tuaja dhe të ngushëllojë zemrat tuaja; bashkë me Onisimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është prej jush. Ata do t’ju rrëfejnë të gjitha të këtushmet.