Dëshmort Terenti Dhe Neonila, E Shoqja, Bashkë Me Fëmijët, Sarveli, Foti, Theodhuli, Jeraksi, Nita, Vili Dhe Evniki
Kjo familje e shenjtë jetonte në harmoni e në dashuri në një periudhë e vend të panjohur për ne.
I paraqitën përpara gjyqit të guvernatorit pagan, rrëfyen njëzëri Krishtin si Perëndi të vërtetë dhe i përbuzën idhujt. I rrahën, u hodhën uthull dhe kripë mbi plagë. Por shenjtorët e nxitën njëri-tjetrin që të duronin deri në fund. Shumë herë, një engjëll i Zotit u shëronte plagët dhe i mbronte nga bishat. Iu rezistuan torturave, por në fund paganët ua prenë kokat, duke u dhuruar kështu kurorat e martirëve.
* * * * *
Oshënar Stefan Savaiti
Shën Stefani lindi në fillim të shekullit VIII, në një fshat palestinez të zonës së Askalonit. Mbeti jetim nga të dy prindërit, por e mori nën kujdes xhaxhai i tij Zaharia, murg në Lavrën e Shën Savës, i cili e edukoi me dashurinë për virtytet më të larta ungjillore. Mori skimën engjëllore nga duart e tij dhe nuk e braktisi Zaharinë për 15 vjet, duke iu bindur si vetë Krishtit.
Kur xhaxhai e la për të shërbyer si igumen në manastirin e Kastelionit dhe të Shpellës (shih jetën e shën Savës, 5 dhjetor), Stefani mori përgjegjësi të tjera: punoi si bukëpjekës për dy vjet, si pritës i pelegrinëve për tre vjet. Më pas u dorëzua dhjak, shërbente dhe si kanonark gjatë shërbesave liturgjike. Të gjitha këto detyra i kryente me vetëmohim të përsosur, aq sa mendonin se ishte një engjëll nga qielli.
I zbrazur nga vullneti vetjak, përparoi pa rrezik në jetën vetmitare. Për pesë vjet, jetoi si i mbyllur brenda një qelie, dilte prej saj vetëm të shtunën dhe të dielën, pa e ndërprerë lutjen. I etur nga dashuria për Perëndinë, u largua disa metra larg manastirit, me qëllim që të mos e turbullonte asgjë soditjen e tij.
Pas 15 vjetësh pranoi disa nxënës që t’i drejtonte me urtësi e dallueshmëri. Falë betejave të tij asketike dhe lotëve, arriti në gjendjen e lumur të papasionshmërisë dhe Perëndia i dha pushtet të kryente mrekulli për të mirën e vëllezërve. Dëboi një demon nga një vajzë e vogël, të cilën e mundonte mizorisht; bëri të buronte ujë nga toka e thatë për të shuar etjen e një prej nxënësve të tij; si dhe shumë të tjera. Sipas fjalës së tij, fjeti në paqe më 31 mars 794.
* * * * *
Oshënar Athanasi i Konstandinopojës
Shën Athanasi lindi në Adrianopol gjatë shekullit XIII. Jetim nga babai që i ri, qëndroi vetëm me të ëmën dhe shumë shpejt tregoi zell për praktikimin e virtyteve ungjillore dhe studimin e Shkrimeve të Shenjta. Një ditë, teksa lexonte me përkushtim jetën e shën Alip Stilitit (26 nëntor), jetim si ai, vendosi të zbatonte në praktikë rigorozisht fjalën e Zotit dhe të braktiste çdo lidhje që e mbante me botën për të ngritur mbi supe barrën e lehtë e të ëmbël të Krishtit.
Mori skimën murgërore me emrin Akakio në një manastir të Selanikut, ku nuk qëndroi gjatë, për shkak të vaktësisë, sa i përket punëve asketike, që ekzistonte në atë vend. Si vizitoi më përpara shumë manastire dhe u këshillua me etër, shkoi në Malin e Shenjtë. Qëndroi në manastirin e Esfigmenit, dhe u bë për të gjithë model i ushtrimit e i martirizimit të përditshëm për Krishtin. Nuk mbante kurrë sandale, por rrinte këmbëzbathur. Mbante një tunikë, natë e ditë, dimër verë, nën të cilën fshihte një këmishë lëkure kali të trashë.
Gjithë jetën e kaloi në agjërim rigoroz, hante pak bukë dhe ujë. Tre vitet e para që qëndroi në manastir nuk pranoi të mbante një qeli të tërë. Flinte diku në një cep, natën e kalonte me lutje, këndonte psalme dhe e ruante mendjen në heshtjen e zemrës. Shërbente në tryezë, nuk ulej kurrë për të ngrënë, hante thërrimet që mbeteshin në fund të vaktit. Shërbente në kuzhinë, pa e lënë pas dore të ushtruarit.
Shikonte zjarrin e furrës dhe kujtonte zjarrin e përjetshëm që i pret ata që nuk janë penduar. Meqë të gjithë tregonin respekt për të, shfrytëzoi rastin gjatë një pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë për t’iu larguar lavdisë së njerëzve dhe të mbetej i panjohur nga të gjithë, në një qeli të izoluar në malin Latro në Bitini. Që andej shkoi në malin e Shën Afksentit (14 shkurt), përballë Konstandinopojës. Përfitoi nga biseda të shumta shpirtërore me asketët që takoi, pastaj u vendos në manastirin e Shën Llazarit në Malin Galezion (7 nëntor), ngjitur me Efesin.
Mori Skimën e Madhe murgërore me emrin Athanas dhe në saje të soditjes hyjnore për tetë vjet mblodhi thesare të çmuara. E bindën të bëhej prift. Pastaj, për dhjetë vjet, ushtroi detyrën si kishtar, të cilën e kreu me pastërtinë e një engjëlli shërbëtor në shenjtëroren qiellore. Por Athanasi nuk mund të mos ëndërronte me mall për bukurinë e vetmisë, në këtë mënyrë, mori bekimin për t’u tërhequr sërish në një vend të shkretë të Athosit. Por xhelozia e djallit nuk e la të qetë, ndaj dhe u detyrua të shkonte në një vend të izoluar të malit Ganos, në Thrakë. Pak nga pak, u mblodhën edhe dishepujt e tij të parë, burra e gra, të pasur e të varfër vinin tek ai për të marrë këshilla dhe bekimin. Jo shumë larg ndërtoi një manastir grash, duke qenë në të njëjtën kohë edhe ati shpirtëror i manastirit.
Gjatë mbretërimit të Andronik Paleologut (1282-1328), Kisha, megjithëse ishte e dobësuar dhe e përçarë pas shumë trazirash, përgjegjës të të cilave ishin latinofonët Mihaili VIII (†1282) dhe patriarku Veko (1274-1282), kishte nevojë për një njeri të Perëndisë, për ta restauruar me themelet e saj të shëndetshme të traditës së apostujve dhe të Etërve. Ishte dëgjuar të flitej për Athanasin, prandaj edhe perandori dërgoi një delegacion episkopësh dhe priftërinjsh për t’i kërkuar asketit të pranonte fronin patriarkal. Shenjti kishte ndër mend ta refuzonte, por iu kujtua një vizion që kishte pasur kur jetonte në malin Galez, ku kërcënohej të ndëshkohej nga Perëndia nëse nuk bindej.
Pranoi dhe, më 14 tetor 1289 hipi në fronin patriarkal. Pa e lënë asnjëherë asketizmin dhe lutjen e pandërprerë, ashtu si një Gojartë i dytë, filloi të spastronte Kishën nga njerëzit e korruptuar dhe të shthurur që po e mbytnin. Zbatoi reforma radikale, por shumë shpejt u ndërprenë nga intrigat dhe xhelozia e të fuqishmëve, aq sa në vitin 1293 shenjti dha dorëheqjen nga detyra, duke preferuar më tepër t’ia besonte Perëndisë sesa të shteronte më kot fuqitë e tij përballë vullnetit keqdashës të njerëzve.
Pas dhjetë vjetësh u kthye përsëri në vetmi, duke bashkëbiseduar vetëm për vetëm me Perëndinë dhe duke u lutur për shpëtimin e njerëzve. Pasuesi i tij, patriarku Joan, megjithëse ishte i butë e i përulur, nuk e kishte energjinë e Athanasit, ndaj dhe nuk mundi të vinte rregull në Kishë. Në pamundësinë për të gjetur një njeri të ndriçuar siç duhej nga Shpirti i Shenjtë, perandori e kërkoi për herë të dytë Athanasin. I frymëzuar edhe më tepër nga thesari shpirtëror që kishte mbledhur në vetmi, shenjti shkëlqeu edhe me më shumë shkëlqim në fronin patriarkal.
U tregua mjek energjik dhe bari plot dhembshuri dhe mençuri për popullin e kryeqytetit, i cili ishte goditur nga zija e tmerrshme e urisë. Personalisht kryesonte shpërndarjet e ushqimeve dhe veshjeve, dhe organizoi një komision me detyrën për të kontrolluar çmimet e mallrave. Por demoni nuk e la të qetë me xhelozitë e smirëzinjve, ndaj shenjti u detyrua të hiqte dorë për herë të dytë (1309). I çliruar nga përkujdesjet e botës dhe me mendje të lehtësuar iu kushtua soditjes dhe lutjes pa pushim. Drejtoi nxënësit e tij deri në fund të jetës. Perëndia i dha hirin të shikonte brenda zemrave dhe të parathoshte ato që do të ndodhnin në të ardhmen.
Në letrat e tij, që janë ruajtur, ai tregon zellin që kishte për ndërtimin shpirtëror të popullit dhe e nxit perandorin e besimtarët për pendim që të kundërshtonin zbarkimin e papërballueshëm të turqve. Në moshën 80-vjeçare (1315) ndjeu t’i afrohej fundi dhe mblodhi për herë të fundit dishepujt dhe i këshilloi të praktikonin këto tri virtyte: përulësinë, dashurinë për të tjerët dhe lëmoshën, gjithashtu të luftonin mendimet e sëmura që zënë vend në zemër.
Fjeti në paqe duke lavdëruar Trininë e Shenjtë e të lavdishme. Ndodhën shumë mrekulli në varrin e tij, dhe nderimi i tij si shenjt u njoh nga Kisha para fundit të shekullit XIV (1368).