– Ungjilli – Llukai 10:1-15.

 

Edhe pastaj Zoti zgjodhi edhe shtatëdhjetë nxënës të tjerë dhe i dërgoi dy nga dy përpara tij në çdo qytet e vend, ku kishte për të shkuar ai.

U thoshte atyre pra: Të korrat janë të shumta, po punëtorët të paktë; lutjuni pra të zotit të të korrave të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij. Shkoni; ja unë tek po ju dërgoj ju si shqerra në mes të ujqërve. Mos mbani kuletë, as trastë, as sandale; edhe asnjë mos përshëndetni udhës.

Edhe në atë shtëpi që të hyni, më përpara thoni: Paqe në këtë shtëpi. Edhe në qoftë atje bir paqeje, paqja juaj do të prehet në të; në mos, do të kthehet tek ju. Edhe qëndroni në atë shtëpi duke ngrënë e duke pirë nga ato që t’ju japin ata; sepse punëtori është i denjë për pagën e tij; mos shkoni prej shtëpie në shtëpi.

Edhe në atë qytet që të hyni dhe t’ju presin, hani ato që t’ju vënë përpara, edhe shëroni të sëmurët që gjenden në të, dhe u thoni atyre: Mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju. Por në atë qytet që të hyni, dhe të mos ju presin, kur të dilni nëpër rrugët e tij thoni: Jua shkundëm juve edhe pluhurin që u ngjit në këmbët tona prej qytetit tuaj; po këtë të dini, se mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju. Edhe po ju them juve, se në atë ditë më i durueshëm do të jetë mundimi për Sodomën, se për atë qytet.

Mjerë ti Horazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse po të ishin bërë në Tir e në Sidonë ato çudira që u bënë tek ju, me kohë do të ishin penduar duke ndenjur në thes e në hi. Po në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë mundimi në ditën e gjyqit se tek ju. Edhe ti Kapernaum, që u lartësove deri në qiell, do të zbresësh deri në hadh.