– Apostulli – Filipianëve 3:8-19.
Po, me të vërtetë mendoj se të gjitha janë dëm për epërsinë e njohjes së Krishtit Jisu, Zotit tim; për të cilin u dëmtova në të gjitha, edhe i shikoj si plehra, që të fitoj Krishtin, edhe të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është prej ligjit, po atë që është me anë të besimit në Krishtin, drejtësinë që është prej Perëndisë mbi besimin; që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij, edhe shoqërinë e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij; se mbase kështu arrij ngjalljen e të vdekurve.
Jo se unë tashmë e kam marrë çmimin, apo se jam bërë i përsosur, por e ndjek se mbase edhe e kap, gjë për të cilën edhe u kapa prej Krishtit Jisu.
Vëllezër, unë s’e numëroj veten time se e mora atë. Po një gjë bëj, duke harruar ato që janë prapa, edhe duke u shtrirë në ato që janë përpara, sulem drejt qëllimit për çmimin e thirrjes së Perëndisë prej së larti në Krishtin Jisu.
Gjithë sa jemi të përsosur, pra, këtë le të kemi ndër mend; edhe nëse e mendoni diçka ndryshe, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë. Po në atë që arritëm, le të ecim me po atë rregull, le të mendojmë po atë gjë.
O vëllezër, bëhuni bashkëshëmbëllyes të mi, edhe vini re ata që ecin kështu, siç na keni neve një shembull. Sepse shumë, për të cilët ju thosha shumë herë, edhe po ju them edhe tani duke qarë, ecin si armiqtë e kryqit të Krishtit, fundi i të cilëve është humbje, edhe Perëndia i të cilëve është barku, edhe lavdia e atyre është në turpërinë e tyre, të cilët mendojnë punët e dheut.