– Apostulli – Efesianëve 5:33-6:9.
Po edhe ju, secili veç e veç kështu le ta dojë gruan e tij si veten e tij; edhe gruaja le t’i druhet burrit.
Ju djemtë bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, i cili është urdhërimi i parë me premtim, “që të të bëhet mirë ty, e të jesh jetëgjatë mbi dhe”.
Edhe ju etërit mos zemëroni bijtë tuaj, por rritini ata me mësim e me këshillë të Zotit.
Ju shërbëtorët bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me frikë e dridhje, me thjeshtësi të zemrës suaj, si Krishtit, jo si shërbëtorë për sy e faqe, që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë me frymë dëshirën e Perëndisë, duke u shërbyer me mirëdashje si Zotit, edhe jo si njerëzve; sepse e dini që çfarëdo të mirë të bëjë secili, këtë edhe do të marrë prej Zotit, qoftë shërbëtor, qoftë i lirë.
Edhe ju zotërinjtë, po ato bëni për ata, duke lënë kërcënimet; sepse e dini, se edhe ju vetë keni Zot në qiejt, edhe ai s’ka anësi.