Investim ekonomik ndihmës për Manastirin e Shën Vlashit.

Me nismën e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës, i cili është gjithashtu drejtor i Akademisë Teologjike, si dhe me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Kryepiskopi Anastas, në Manastirin e Shën Vlashit u mundësua realizimi i një nisme novatore, që mund të ndiqet edhe në njësi të tjera të Kishës sonë.

Në vitin 2022 u firmos kontrata me firmën “AR ECOENERGJIA” dhe nisi puna për vendosjen e një impianti fotovoltaik me fuqi 130KWpv.

Specialistët e firmës, pasi përcaktuan vendin më të favorshëm me më shumë rrezatim diellor në mjediset e manastirit, filluan punimet, të cilat zgjatën rreth dy muaj.Ndezja e parë e impiantit fotovoltaik të u bë në korrik 2022. Impianti ka mbuluar një sipërfaqe rreth 650 m2 dhe shuma e investimit ishte afërsisht 115.000 euro. Ai ka garanci 25 vjet dhe në krye të katër viteve i shlyen të gjithë shpenzimet e bëra.

Funksionimi i impiantit në kohë reale monitorohet nga kompjuteri nëpërmjet një aplikacioni. Si rezultat i këtij investimi u bë i mundur mbulimi i konsumit të energjisë të të gjitha godinave që përfshihen në kompleksin të manastirit.

Bazuar në mesataren e konsumit të energjisë përpara montimit të impiantit, në muajt e dimrit faturat varionin nga 150.000 lek deri ne 350.000 lekë, ndërsa pas vendosjes së tij, faturat kanë zbritur në 40-100.000 lekë muajt e dimrit, ndërsa për muajt e verës në vetëm 250 lekë të reja (kosto mirëmbajtjeje nga OSHEE).

Përfitimi për vitin 2023 pritet që të jetë edhe më i madh, pasi shteti shqiptar miratoi ligjin për llogaritjen e bilancit vjetor, që do të thotë se prodhimi i tepërt i muajve të verës do t’i shtohet prodhimit më të ulet të muajve të dimrit dhe, kështu, fatura vjetore do të jetë në vlerat më minimale të mundshme.