E Diela e II E Llukait, Ne jemi krijuar nga Dashuria për dashurinë, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla 01.10.2023 (Tekst)

Në një nga dorëshkrimet që i referohet mësimeve dhe jetës së Shën Kozmait, na tregohet një histori për dy persona, Saprikin dhe Nikoforin. Këtë histori mund ta kemi dëgjuar në disa variante të ndryshme, ndonëse thelbi i kësaj historie qëndron i njëjtë.

Le ta themi si na tregohet nëpërmjet gojës së Shën Kozmait. Shën Kozmai e tregon këtë histori dhe thotë: ‘’ Ishte një njeri që quhet Saprik dhe ai që i vogël ishte njeri shumë i devotshëm. Kreshmonte vazhdimisht, lutej vazhdimisht. Kur u rrit filloi të bënte vepra të tjera të bamirësisë, filloi të ndihmonte ata që kishin nevojë, të ndërtonte kisha dhe manastire. Ndërsa Nikofori ishte krejt e kundërta e këtij personi. Ai ishte një njëri imoral, i shthurur që nuk pyeste për askënd madje ishte dhe vrasës. Kishte vrarë shumë njerëz. Ndër ata njerëz që kishte vrarë ishte dhe vëllai i Saprikit. Kuptojmë urrejtjen që kishte ndërmjet këtyre dy personave.

Për shkak të devotshërisë së tij Sapriki arrestohet dhe dërgohet përpara mbretit. Mbreti i kërkon atij që të mohoi Krishtin dhe të flijoj tek idhujt, por ai i thotë që kurrsesi nuk do ta mohoi Krishtin, Perëndinë tim, Shpëtimtarin tim. Shtatë vite të tëra Sapriki ishte në burg dhe torturohej që të mohonte Krishtin.. Shtatë vite me radhë. Kur mbreti pa këmbënguljen e tij dha urdhër që ti pritej koka, pra vendosi ta ekzekutonte Saprikion.

E mëson Nikifori dhe shkon dhe e takon dhe i thotë “vëlla e di që kam mëkatuar ndaj teje, jam fajtor, për atë që të kam bërë, të kërkoi falje, falmë”. Sapriki i tha: “ jo nuk do të të fal kurrë”. Vazhdon udhëtimin drejt vendit të ekzekutimit dhe Nikifori i ulët në gjunjë, i puth këmbët, i lutet; falmë vëlla, ti do të shkosh të ekzekutohesh, falmë. Ai nuk pranon. Kur shkon në vendin e ekzekutimit Nikifori përsëri i ulet në gjunjë dhe i thotë: “tani ti do të shkosh tek Zoti, si mund të shkosh pa u pajtuar përpara Zotit, falmë”. “Jo nuk do të fal asnjëherë”!

Ngrihet shpata për ti prerë kokën, kuptohet në këtë moment e braktis Saprikun, hiri i Zotit dhe ai si në një ëndërr thotë pse jam këtu? Dhe xhelati i thotë: “ I marrë je? Ke shtatë vjet që torturohesh në burg dhe torturohesh për këtë gjë dhe më pyet mua që do të ekzekutoj? “ E mohoi Krishtin”- thotë Sapriku.

Në këtë moment Sapriku u bë pjesë e të ligut. Nikifori pa që mbi kokën e Saprikit ishte ëngjëlli me kurorën gati, ti jepje kurorën e lavdisë, sapo ai të ekzekutohej, thërret me të madhe “ unë jam i krishter, unë jam i krishter, më vrisni mua”. I prenë kokën dhe e mori ai kurorën e lavdisë. Kurorën e lavdisë së Perëndisë. ”

Shën Kozmai thotë diçka shumë të frikshme mbas kësaj historie. “Sikur të bëjmë të me mijëra të mira, akoma sikur të japim gjakun tonë për Krishtit, nëse nuk falim vëllain tonë, do të dënohemi në mundimin e përjetëshëm”. Është shumë e frikshme kjo që na thotë Shën Kozmai.

Ne e dimë me të vërtet që të falësh armikun tënd nuk është diçka e lehtë. Është shumë e vështirë, por pikërisht në këtë gjë të vështirë na kërkohet të bëhet dallimi i ne të krishterëve nga pjesa tjetër e botës. Ky është ndryshimi që duhet të ofrojmë ne të krishterët në botë. Pse duhet të fal armikun tim? Një nga arsyet është se duke falur armikun tonë dhe ata që na bëjnë të këqija, ne i bëjmë dobi vetes tonë. Ne jemi krijuar nga dashuria për dashurinë. Në natyrën tonë është që të duam. Nëse ne kemi urrejtje, zili , armiqësi dhe këtë urrejtje e fusim brenda në qenien tonë, ai që dëmtohet, është pikërisht vetë qenia jonë. Futet në qenien tonë diçka që është e huaj për ekzistencën tonë. Kjo na dëmton ne të parët. Prandaj ne kur përgatitemi që të shkojmë për tu kunguar, bëjmë një lutje që thotë : “Përpara se të kungohesh me gjakun e Krishtit, pajtohu me ata që të kanë hidhëruar, pastaj guxo të hash ushqimin mistik”. Pajtohu më parë pastaj shko të marësh brenda teje Zotin e dashurisë.

Një arsye e dytë pse ne duhet të falim armiqtë tanë është që Zoti të dëgjojë lutjen tonë. Shë Siluanoi thotë: “ Nëse ne nuk falim armiqtë tanë dhe akoma nuk i duam armiqtë tanë, Zoti nuk do t’i dëgjojë lutjet tona”. Është e frikshme, është e frikshme që të dimë se Zoti nuk do të na dëgjojë. Është e frikshme të jemi të vetmuar në vetminë tonë, të mos kemi guximin dhe mos të kemi besimin që Zoti do të na dëgjojë lutjen tonë.

E treta pse duhet të falim, sepse pikërisht na e kërkon vetë Perëndia, Krijuesi jonë “ Falni armiqtë tuaj. I doni armiqtë tuaj. Bekoni armiqtë tuaj”. Na e kërkon Perëndia dhe përderisa na e kërkon Perëndia që është Ati ynë, duhet të bëjmë bindje të verbër tek Ai. Sigurisht si një Atë i dashur ai e di që kjo është shumë e dobishme për ne. Jo më kot na e kërkon Perëndia ta bëjmë diçka të tillë.

Dhe e fundit dhe ndoshta më e rëndësishme që pse duhet të falim dhe të duam armiqtë tanë, sepse ne atëhere kur do të falim dhe duam armiqtë tanë, atëherë do të marim ndjesë nga Perëndia ynë. Ndoshta miqtë tanë se meritojnë faljen tonë, dashurinë tonë, por as ne nuk e meritojmë dashurinë dhe faljen nga Perëndia. Ndaj nëse duam që Perëndia të na fal neve, atëherë jemi të parët që duhet të falim armiqtë tanë edhe atëherë do të na fal Perëndia ne.

Është rrugë e vështirë të dashur besimtarë, por kjo është rruga që na mëson kisha. Kjo është rruga që na mëson Krishti.

Le të përpiqemi, le të kërkojmë hirin e Perëndisë, ndihmën e Hyjlinëdëses, ndihmën e shenjtorëve, që të ecim në këtë rrugë që na mëson Zoti. Amin!