– Ungjilli – Llukai 5:17-26.

Edhe një ditë, ndërsa ai ishte duke i mësuar, rrinin Farisenj e mësues ligji, të cilët kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë e i Judesë e i Jerusalemit; edhe fuqia e Zotit ishte për t’i shëruar ata. Edhe ja, disa njerëz sillnin mbi shtrat një njeri, i cili ishte i paralizuar; edhe kërkonin ta sillnin brenda e ta vinin përpara atij. Edhe pasi s’gjetën nga ç’anë ta sillnin brenda nga turma, hipën mbi çati, edhe e zbritën nga tjegullat bashkë me shtratin në mes, përpara Jisuit. Edhe kur pa besimin e tyre, i tha atij: O njeri, të janë ndjerë mëkatet e tua.
Edhe shkruesit e Farisenjtë zunë të mendoheshin, duke thënë: Cili është ky që flet blasfemira? Kush mund të ndjejë mëkate, përveçse vetëm Perëndia? Po Jisui, si kuptoi mendimet e tyre, u përgjigj e u tha atyre: Ç’mendoni në zemrat tuaja? Ç’është më lehtë të them: Të janë ndjerë mëkatet e tua, apo të them: Ngrihu dhe ec? Po që të dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të ndjejë mëkate, i tha të paralizuarit: Ty të them, çohu, edhe ngri shtratin tënd dhe shko në shtëpinë tënde.
Edhe menjëherë ai u çua përpara tyre dhe ngriti shtratin, mbi të cilin dergjej, edhe shkoi në shtëpinë e tij, duke lavdëruar Perëndinë. Edhe një mahnitje i pushtoi të gjithë, edhe lavdëronin Perëndinë; edhe u mbushën me frikë, duke thënë se sot pamë gjëra të çuditshme.