– Ungjilli – Llukai 1:5-25.
Në ditët e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift, me emrin Zaharia, prej rendit të Abiait; edhe gruaja e tij ishte prej të bijave të Aaronit, edhe emri i saj ishte Elisabeta. Edhe që të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ecur pa të metë në gjithë porositë dhe urdhërimet e Zotit. Edhe ata s’kishin fëmijë, sepse Elisabeta ishte shterpë, edhe të dy ishin të shkuar në ditët e tyre.
Edhe ndërsa ai ishte duke bërë punët e priftërisë përpara Perëndisë sipas radhës së shërbesës së tij priftërore, sipas zakonit të priftërisë, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit e të temjanisë. Edhe gjithë turma e popullit ishte duke u lutur përjashta në kohën e temjanisjes.
Edhe iu shfaq atij një engjëll i Zotit duke ndenjur në të djathtë të altarit të temjanit. Edhe Zaharia kur e pa, u drodh dhe frikë ra mbi të. Po engjëlli i tha: Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, edhe gruaja jote, Elisabeta, do të lindë djalë, dhe do ta quash emrin e tij Joan.
Edhe ti do të kesh gëzim e ngazëllim; edhe shumë njerëz do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse do të jetë i madh përpara Zotit, edhe verë e pije dehëse nuk do të pijë, edhe me Frymë të Shenjtë do të mbushet që nga barku i së ëmës. Edhe shumë nga të bijtë e Izraelit ka për t’i kthyer në Zotin Perëndinë e tyre.
Edhe ai do të vijë përpara atij me frymë e me fuqi të Ilias, për të kthyer zemrat e etërve mbi bijtë, edhe të pabindurit në urtësinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur.
Edhe Zaharia i tha engjëllit: Si ta marr vesh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime e vjetër në ditët e saj. Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Unë jam Gabrieli që rri përpara Perëndisë; edhe u dërgova që të të flas ty, edhe të të jap lajmin e mirë për këto. Edhe ja tek do të jesh pa gojë e nuk do të mundësh të flasësh deri në atë ditë që do të bëhen këto; sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.