– Apostulli- 1 Korinthianëve 1:26-2:5.
Sepse, o vëllezër, shikoni thirrjen tuaj, se sipas mishit nuk ka ndërmjet jush shumë të ditur, as shumë të fuqishëm, as shumë fisnikë. Po Perëndia zgjodhi marrëzitë e botës, që të turpërojë të diturit; edhe Perëndia zgjodhi dobësitë e botës, që të turpërojë të fortët; edhe Perëndia zgjodhi të ultat e botës dhe të përbuzurat, edhe ato që nuk janë, që të prishë ato që janë; që të mos mburret çdo trup përpara atij. Edhe ju jeni prej atij në Jisu Krishtin, i cili u bë për ne dituri prej Perëndie, drejtësi dhe shenjtërim dhe shpërblim, që, siç është shkruar: “Ai që mburret, në Zotin le të mburret”.
Edhe unë, o vëllezër, kur erdha tek ju, nuk erdha me lartësi fjale a diturie, që t’ju tregoj juve dëshminë e Perëndisë. Sepse e pashë të udhës të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jisu Krishtin, edhe këtë të kryqëzuar. Edhe unë erdha tek ju me dobësi e me frikë e me shumë tmerr. Edhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë diturie njeriu që mbushin mendjen, po me dëftim Fryme e fuqie, që të mos jetë besimi juaj me anë të diturisë së njerëzve, po me anë të fuqisë së Perëndisë.